Në rrugën e gjatë në Perëndim të Greqisë, nëpër re shfaqen fytyrat e perandorëve, fushat e gjëra dhe miliona njerëz që flenë, kaq shumë histori në asfaltin e sotëm.
Karrocat e kuajve që ecën me vrap, njerëzit që vdiqën duke u nisur në misione, në Romën e lashtë, Greqinë e vjetër, çdo hap, përjetimet e paraardhësve dergjen sot nëpër vorre.
Edhe Shqipëria që lidhej me Rrugën Egnatia, Selaniku i magjishëm i filozofisë së lashtë, karvanë të perandorisë duke pushtuar Ballkanin, lëviznin këtej, në rrugët e thikta, në udhën e gjakut.
Sot vetëm heshtje dhe ullinj të pafund, kaltërsi qielli, automobila që gjarpërojnë në piktoreskët fshatra, e bekuar toka, dielli që shkëlqen, autostradë, deti, sa tmerr e lavdi i pa me sytë e përpjekjes, Rruga Egnatia.
Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend dhe është ndër më të bukurit e më ‘pozitivët’ e Shqipërisë. Së paku ta krijon këtë ide, me popullsi të madhe, me urbanizim të gjerë, me banesa të reja dhe të vjetra, me mish-mish-in e madh amerikano-latino-shqiptaro-europianë, bëhet një vend tepër interesant edhe për syrin e njeriut të zakonshëm. Rrugët e saj gjarpëruese, pranë detit dhe larg tij, rregullimet në kohët e fundit, autostrada, bulevardet brenda qytetit, ecjet e avashta diku e të shpejta diku tjetër, e bëjnë të mirë-rregulluar nga ana e infrastrukturës. Autostrada kryesore në vend Tiranë-Durrës ka probleme të shumta dhe duhet me patjetër të rregullohet, pasi e ndërtuar për herë të fundit më 1996, është amortizuar shumë.
Deti
Deti është elementi më i veçantë i qytetit. Edhe përpara 1 qershorit, në këtë vend ka plazh. Sheh njerëz nëpër rrugë që mbajnë komardare, ecin zbathur ose me sandale, me top në dorë, dikë vetëm, dikë çift e dikë me familje. Deti në pjesën e Durrësit është i pisët dhe nuk dimë nëse ashtu është natyralisht apo nga derdhja e ujërave të zeza, duke e bërë me alga të shumta dhe jo të preferuar për turistët. Duke qenë kështu, shpesh qytetarët zgjedhin të shkojnë tek Gjiri i Lalzit, zonën e njohur si Currilat apo vende të ngjashme, ku uji është më i pastër. Por hotelet pranë detit janë vërtetë moderne, ngjashëm me ato në vendet e zhvilluara, gjë për të cilën do të flasim më vonë.
Qielli
Qielli në verë është i qetë, është blu e pastër, nga ajo blu që shkëlqen, bashkë me diellin, që ndriçon tepër Durrësin. Nën këtë qiell bëjnë plazh shqiptarët, por ka edhe shumë të huaj, duke e bërë qytetin metropolitan. Mes të huajve ka nga Zvicra, Anglia, Gjermania, por edhe nga India, nga Pakistani, vendet e Lindjes së Mesme apo Afrika. Bota është derdhur në Shqipëri, ashtu siç rrallë kush mund ta imagjonte. Në të njëjtën tokë, nën të njëjtin qiell.
Antikiteti
Durrësi është qyteti më i vjetër shqiptar, që ka ekzistuar në kohën e Romës së plotfuqishme, në kohën e Bizantit, të Osmanëve dhe sot, që e ka nën juridiksion Republika e Shqipërisë. Një vend që vazhdimisht është banuar. Sigurisht, do banohet vazhdimisht një vend, që ka diell, që ka det dhe qetësi. Muret e kalasë së vjetër janë ende aty, për të cilën thonë se është e vjetër shumë. E gjallë, mund ta shikosh me sytë e tu si është ndërtuar përpara mbi 2000 viteve. Ne mendojmë shpesh që përpara 2000 viteve kushedi njeriu ka jetuar bashkë me majmunin, por nuk është kështu. Qytetërimi jetonte nën Perandori të fuqishme, teksa Europa thuajse ishte nën diktatin e Perandorisë Romake, nën të cilën ishin edhe trojet tona dhe kishte organizim. Muret më krijojnë idenë sikur të jenë ndërtuar së afërmi, janë vërtetë ‘të gjalla’ e të ‘freskëta’ e më tej është Torra Veneciane, që është ndërtuar sipas gjasave në mesjetë. Por kritikët thonë se shumë gjëra të vjetra janë rrënuar nga ndërtimet e shumta. Por, ajo që dihet është se Durrësi është i lashtë, i lashtë gati sa dielli në këto troje.
Moderniteti
Në disa pika Durrësi më ngjan modern. Bulevardet e saj janë interesant, ka vende ku lejohen makinat dhe 50 përqind janë mjetet e 50 përqind janë kalimtarët dhe ka raste ku kalimtarët mund të kalojnë e ndalohen makinat. Qyteti është i qetë në tërësinë e vet, ndryshe nga Tirana, ku zhurma neo-latine është e zakonshme. Ka qetësi në këtë qytet dhe pjesa që mund ta konsiderosh ‘qytet’ është relativisht e vogël, pasi pjesën e madhe e zë periferia. Por është qytet historik, i bekuar nga natyra dhe klima, i qetë. Dhe, në fund doja të ndalem te pjesa e modernitetit. Vendet me palma duken si në qytetet spanjolle, instalacionet e shumta të bëra në breg të detit e zbkurojnë, Porti i madh i dhuron tjetër pamje. Në rrugën nga Durrësi, teksa merr tëposhtë në Shqipërinë e jugut, pallatet, godinat, hotelet moderne nuk kanë ndryshim nga ata në vendet perëndimore, që aq shumë i lakmojmë, kafet, restorantet, madje shpesh janë dhe me të mira. Disa mini-qytete i kemi ndërtuar me këtë stil, modern, të tilla si Shëngjini apo Velipoja. Vazhdojmë të zhvillohemi mes kontrasteve të çuditshme.
Jeta në qytet të bën të sëmurë, edhe në moshë të re. Probleme me sytë, me fuqitë, me mushkëritë, me zemrën, trupin. Ndihesh i dobët, ndonjëherë edhe i karbonzuar nga tërësia e jetës në qytet, që është e shpejtë, ku parësore për të gjithë janë vetëm interesat dhe harrohet interesi parësor, shëndeti.
Në kushte të tilla, nuk ka më mirë se natyra. Gjelbërimi, majat e larta të maleve, rrugët gjarpëruese, piktoreske, në realitetin tonë diku rregulluar dhe diku jo, shtëpitë e drurit, shtëpiza të vogla banimi prej alumini, ku mali prek retë dhe retë prekin qiellin. Një frymë ndryshe, mushkëritë që gëzohen, trupi që gjallërohet, stresi që largohet.
Ndaj e gjelbërta mbetet kryengjyra, ajo fal qetësi, e çlodh syrin, ngjyrë e pastër, ngushëllimi prej kaosit të përditshëm, ngazëllimi në tjetër univers, atë të natyrës, nënës burimore të të gjitha të mirave. Në mal, ku ndihesh plot freski, krejt i gjallë.
Republika me tre etni e pasqyron luftën, tmerrin e përjetuar, frikën që ekziston ndër sytë e banorëve, përçarjen, dallimin, korrupsionin shtetëror, është vend tipik ballkanik, ku ndërthuren kishat e xhamitë.
Edhe varret i kanë ndarë, ata të krishtera janë me kryq dhe vijnë më ngjyrë më të zezë si vdekja, ndërsa varret myslimane janë me një gur disi të lartë. Dhe vendi sikur është ndarë copë-copë, ashtu siç e kanë ndarë ndoshta fatkeqësisht këtë vend, që duket se mbart brenda trupit të vet plagët e së kaluarës, të cilat përpiqet t’i kalojë përmes kohës dhe lutjeve. Lutjet para Zotit tepër të rëndësishme në këtë Republikë, si shpresa e fundit për mirësinë hyjnore.
Në disa vende ka bukuri përrallore, pamje magjepsëse, e ndërtuar ndër histori, nga pushtimet që nga ai Romak, Bizantik, Osman e në fund luftërat e përgjakshme që shkundën rajonin. Një trup i plagosur që përmes lutjeve ka gjetur shpresë për të mbijetuar, ndërsa ekonomikisht gjërat kanë ecur përpara. Kjo Republikë në disa gjëra, edhe në natyrë ngjan me Shqipërinë, por nga ekonomia dhe çmimet është më mirë. Jeta në të rrjedh si ujët e shumtë, si lumenjtë, të cilat kalonin përmes maleve të vendit.
Boshnjakët
Boshnjakët janë të shpërndarë pak në të gjithë Republikën, por qëndrojnë kryesisht në mes të saj. Kanë pasur fatin e keq, një ndër më dramatikët, së bashku me shqiptarët në Kosovë, të jenë viktima të planeve gjenocidale të regjimeve të egra e gjakatare, atëherë kur bëhej luftë e madhe për territore, në një shtet që vdiq siç ishte ish-Jugosllavia. Njerëz që përpiqen ta harrojnë të kaluarën, për të parë nga e ardhmja. Por, me disa shtëpi dhe objekte që i kanë lënë ashtu siç janë, të shkatërruar nga lufta, për të dëshmuar pasojat e mëdha e të parikuperueshme fizike dhe mentale që ka lënë përplasja e madhe luftarake që prodhoi mijëra viktima në tokën e tyre. Boshnjakët e kanë shtetin e tyre, por cungëria është e dukshme, kanë një republikë, brenda së cilës është një tjetër republikë si RS, e cila i ‘rrethon’ gjeografikisht dhe konflkti e tensioni mund të jetë bashkëudhëtar të tyre. Shpresa gëlon në sytë e tyre, ajo duket më e madhe sesa ajo që mund të ndodhë në të ardhmen, që thuajse të gjithë e shpresojnë të bardhë.
Serbët
Si një grup etnik, që jeton në Bosnjë, serbët, me paranojën disi dhe të pakuptimtë se nëse jetojnë me boshnjakët (do të ishin të rrezikuar?), kanë zgjedhur të jetojnë veçmas. Ata kanë një mini republikë, shpesh herë problematike në këtë rajon, por entitet që është kompakt. Serbët kanë zgjedhur të jetojnë veçmas. Një vetmi që nuk dihet si mund të ketë të ardhmen, ndërsa jeta e tyre duket krejt normale e një vendi ballkanik. Në malet e tyre ka kryqe të stërmëdha në përmasa, si një kundërvënie ndaj myslimanëve boshnjakë.
Kroatët
Në pjesën perëndimore të Bosnjës, jetojnë kroatët. Këta duken më pozitivët, më dinamikët, ata që i japin më tepër ton Republikës me tre etni. Ata duket se kanë tejkaluar fantazmat e së kaluarës, që mbajnë peng serbët dhe boshnjakët dhe janë në një tjetër nivel. Kroatët janë krenarë për etninë e tyre, ata kanë të shenjtë besimin katolik, shkojnë nëpër kodra për të nderuar Krishtin, flamuri i tyre si Formula 1 dëshmon për një popull që ecën me shpejtësi drejt zhvillimit pa kthyer kohën pas, për të parë ata plagë, që populli kroat, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit, përfshirë shqiptarët, panë në të kaluarën. Një popull përparimtar, që do ta ketë pranë vetes gjithmonë zhvillimin.
Shpresë pas stuhisë
Bosnja është republikë paksa e çuditshme, me një tension që duket se ekziston në ajër, me bukuri natyrore magjepsëse, vend spektakolar nga natyra, që ka nevojë dhe për balsalmin njerëzor. Zhvillimi është i pranishëm, kultura mbahet gjallë, besimi gjithashtu, për një të ardhme akoma më të ndritur.