Veri e Jug


Dionis Xhafa

 

Veri e Jug shpesh urrehen,

më së shumti hahen,

si qentë e lagjes,

grishen e vriten krejt çmendurisht, e mendësia

se e kundërta është e keqe është vrastare.

 

Kjo ndodh, kur më së miri,

kur Veri e Jug mundet me qenë bashkë përdore,

e ta thyejnë armikun, grusht për t’i dhënë

padrejtësisë së përbashkët.

 

Belgrade


Dionis Xhafa

 

Kryeqyteti ma i zi,

mban emrin më të bardhë,

aty ku pëllumbi bëhet sorrë,

e sorra fill e shndërrohet në hi.

 

Plumbi nënvishet në mafi,

e figurat më të larta të shndërruara në plumb,

ngërdheshur në sheshe e në hi,

në rreze të ftohtë të diellit, ku është më bardhë, ngjan ma zi.

 

 

 

Ere deti


 

Nuk kisha udhetuar kurre me traget,

ndaj nuk e dija c’do te thoshte te te zere deti, por ishte e tmerrshme dhe e bukur njekohesisht,

ne te gjithe kete univers te gjitha do t’i zhduk, rrafshoj,

e ere deti dua te ndjej, se me kujton djersen e ndershme te emgrantave tane, tragjedin e dheut tim.

Dionis Xhafa

 

Shqiptar


Dionis Xhafa

 

Shtrirë, përtokë, thjesht, e lëshova veten e ula në shesh, “Platia” sipas grekëve,

e shihja si ecin makinat rrugëve të Athinës, si një vajzë sa duket me origjinë shqiptare, shërbente tutje udhës, buzëqeshte rrejshëm për të fituar klientë,

e ndërsa afër m’u afrua një djalë i ri, kamerunas me origjinë, që sa fola me të kishte udhëtuar sa në Greqi, në Holandë e mbarë Europën,

e befas një djalë tjetër që mblidhte kanaçe, me një qese në dorë, se ç’na u afrua.

 

Më pa drejt e në sy kamerunasi dhe më tha: “Shqiptar ishe ti, të dallova përnjehëre dhe ky djali tjetër, po shqiptar është”,

e u habita e ia ktheva, “nga na dallon nga jemi”, e shtoi: “Në krahasim me grekët, keni më shumë njolla në fytyrë, prej lodhjes së jetës”,

se në fakt dhe mua menjëherë më njohu, e iu afrova djalit e i thashë”, “Shqiptar?”, “Po”, tha. E vijoi udhën e tij, mblidhte hekura, kanaçe, çdo gjë që ia sillte paranë, në shesh, në Platia, në orën 16.40 pasdite, kur automobilat ecnin udhëve të kryeqytetit helen.

 

 

Djemtë e kromit


Dionis Xhafa

 

Të zinj vijnë e bëhen, prej punës së lodhshme, tronditen e vriten

çdo herë në drita të errëta të Bulqizës, nënkampiones së Europës,

në kromin, nxjerr prej nëntokës së djallit, në dheun e  fundit të  jetës së njeriut,

nxjerrë prej shpatullash rinie, djerse të kriptë e gjakut të nëndheshëm.

 

Djemtë e kromit, ata maleve udhëtojnë me sytë mbyllur, rrisin brezat,

flamurtarët e punës, që e valëvitin fitoren për çdo herë në ngjyrat kuq e zi, në gjak e vdekje,

agimit ia çjerrin maskën, pamëshirshëm, e vrasin ditën, me kocka trimërie,

mbrëmjes, në ajër të përshtjelluar ndezin duhanin, e natës, frikën jo s’ia njohin, ata, djemtë e kromit.

 

Mbrëmje, Bulqizë, 2013

 

 

 

Tragjedisë


 

( Mbi tragjedinë e Selenicës )

Dionis Xhafa

 

Dhe Eskili të ishte gjallë,

tragjedi më të madhe s’do gjente,

do ta kishte ballë për ballë,

fis të shuar, tetë të vdekur.

 

Se mendje e Neronit,

nuk është veç në lashtësi,

iku fill shekulli i atomit

dhe rron dhe në teknologji.

 

Se njerëzia është e ëmbël, sa një mjaltë,

dhe djallëzore sa një dhelpër,

filizi i mbjellur keqas, vret të ëmë e vret të atë,

s’njeh as gjuhë, dialog, as zë, as letër.

 

Dhe Orakulli ta kish’ shkruar,

më rëndë se kaq nuk mund të bëhej,

mendje e njerëzve – fluturuar,

e qielli sheh shtrembër, heshtas, vëngër.

 

 

Kosova stoike dhe liderët teveqelë


 

Dionis Xhafa

Një dialog mes Serbisë dhe Kosovës, i një niveli krejtësisht teknik, i certifikuar si i tillë prej Bashkimit Europian dhe Brukselit, tenton të nxirret prej Hashim Thaçit, president i Republikës së Kosovës, sikur në paketë përfshihet edhe shansi që Kosova të mund të marrë Luginën e Preshevës. Thaçi tha se nuk ka ndarje territoresh, as shkëmbim, por përfituese, sipas tij del vetëm Kosova, duke marrë pjesën e Luginës. Një deklaratë befasuese, që kërrkush nuk e priste dhe që ka zënë në befasi të gjithë, ndërsa duket se gjatë kohës që thoshte këtë gjë, Thaçi nuk ka përmbajtur veten, por ka thënë edhe disa të vërteta për ish-presidentin e Shqipërisë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, për aferat dhe marrëveshjet e tij në kohën më të zezë të shqiptarëve. Disa të vërteta, si për të hedhur zjarrin tjetërkund, për të përfituar vetë. Ekziston një gjasë e pakët që deklarata e Thaçit për marrjen e Luginës të ketë vërtetësi. Pse? Sepse ai është një lider që gënjeshtrën e ka për zakon dhe nuk e ka për herë të parë.

Kjo, jo gënjeshtra e parë

Presidenti në detyrë i Kosovës Hashim Thaçi edhe më herët ka gënjyer për çështje madhore. Ai kishte thënë se me anë të një ligji të veçantë do ta shndërronte FSK-në në ushtri, mirëpo këtë gjë nuk ia ka dalë ta bëjë realitet. Ndërsa gënjeshtrat elektorale dhe të tjera soj si këto mund të jenë të shumta.

Lugina, një trevë “jetime”

Lugina e Preshevës, ashtu sikundër theksohej në një reportazh të BIRN është një trevë e banuar prej shqiptarëve, që me plot fjalën mund të thuash se është “jetime”. Kjo për shkak se shqiptarët në atë vend nuk kanë të drejta, shkollimi mund të bëhet vetëm në Beograd dhe jo në Shqipëri a Kosovë, sepse Serbia nuk njeh diplomat dhe varfëria bën që të rinjtë sidomos, sapo mbarojnë shkollën e mesme, të marrin arratinë e të largohen nga vendi, duke pasur si destinacion kryesisht Gjermaninë, por edhe Zvicrën e shtete të tjera perëndimore. E parë nga Serbia si një trevë shqiptarësh, me syrin më të keq dhe më racist të mundshëm, komunat e banuara nga shqiptarët kryesisht vetëm zbrazen prej emigrimit më së shumti, por edhe politikave të Beogradit ( siç vihet re me të drejtë nga VV e spektër të tjerë politikë), e në vend se të kërkohet prej Serbisë që të korrigjohen të tilla politika diskriminuese, dilet me gënjeshtrën e madhe, për të shtuar hallet dhe problemet e një kombi të stërmunduar.