Krenar të jesh shqiptar?!


Nga Dionis Xhafa

(Përshtypje, ngjarje, përditshmëri ose udhëtime)

Tiranë, 28 mars 2016.  Koha sapo ka ndërruar. Dimri i madh së bashku me të ftohtin e acarrtë janë larguar për tia lënë vendin një pranvere plot me diell. Më rastisi që ratësisht të kaloj pranë “Piramidës” e aty tek ndërtesa e Kryeministrisë munda te shkrep fare thjeshtë këtë fotografi.

Krejt rastësisht e shkrepa fotografinë dhe me një celular të vjetër të cilin e kisha në xhep. Në fakt diçka arrita të nuhasë disi të veçantë dhe disi interesante në këtë fotografi.

Sigurisht që po ta vëzhgosh në pamje të parë foton në fjalë, secili mundet që ti thotë disa fjalë e se të gjitha mendimet mundet të jenë të sakta . E fiksova një pamje të tillë sepse mu duk tepër interesante. Ky vend përpos tjerash më kujton personalisht edhe një duarlidhje të shkëputur tanimë, por se pak e kujtova këtë nostalgji kur munda ta shkrep fotografinë në fjalë.

Shqiptari i thjeshtë

Në foto duket një njeri i varfër, disi i mjerë, që një Zot e di se çfarë e ka sjellë deri këtu në zemër të kryeqytetit. Njeriu i fiksuar në këtë fotografi- aq sa munda të vëzhgoj nga larg – ishte përpos tjerash shumë i menduar, i zhytur në botën e tij, i veshur keqas, i mbytur në brenga dhe me siguri i munduar nga shumë halle dhe probleme personale.

Në sytë e mi burri në foto u bë përnjëherë personi që simbolizon në një formë apo në një tjetër shqiptarin. Po po, shqiptarin. Por se kohët kanë ndryshuar dhe se edhe shqiptari tanimë kategorizohet.

Ka nga ata që në emër të kapitalizmit e shqyejnë gjithçka që e gjejnë përpara. Ky lloj shqiptari e ha gjithçka që gjen, e shqyen, e përtyp dhe mandej thotë se përpos shqiptar jam edhe kapitalist, kinse modern.

Ky shqiptar i përlyer keqas me damkat e pushtetit – i ngritur mbi fatkeqësi të popullit është i shndërritshëm në pamjen e parë, me rroba krejt të reja e konto bankare të lartë dhe nga ana tjetër i kapur prej veshi prej interesash të liga e të pista të politikës sonë namuzqare.

Ky lloj shqiptari është ai që kinse hiqet se kështu është edhe bota e pse edhe ne si shqiptar mos me qenë kështu.

Ndoshta kisha shumë të them për këtë lloj shqiptari të shpërfytyruar të prodhuar nga kapitalizmi i pafre, por se nuk desha të ndalem aq gjatë këtu. Desha madje të përshkruaj të kundërtën e shqiptarit zingjin e të lidhur pas zinxhirit të pushtetit si qeni pas të zotit e i kapërdisun se është “në oborrin e pushtetit”.

E kundërta e shqiptarit të përshkruar më lart është shqiptari i varfër, i harruar dhe që i shtyn ditët herë me të holla dhe herë pa të holla.

Njeriu që duket në foto ngjan të jetë tamam lloji i njeriut që jeton rëndomtë sot në Shqipëri, në cepet më të humbura të saj, larg interesave madhore të politikës e gjithçkaje të ligtë e të prishtë që ndodh në mëhallën tonë.

Ky lloj shqiptari i vetëm përpiqet të jetojë dhe të mbijetojë, madje i fshehur në atë strofullën e vet. Ky është shqiptari që ka prodhuar tranziocioni ynë mediokër – i Republikës që në 100 vite shtet që nga diktatura shkon në viagrat e demokracisë e nga “vullkanet demokratike” shkon në mini-stalinizma.

Ky është shqiptari që e përjeton vuajtjen, skamjen, të ftohtin e dimrit, të ecurit e gjatë në vendbanime ku pak njerëz kanë mbetur; shqiptari që përjeton krizën e thellë ekonomike, sociale e morale dhe se e di se ç’domethënë me qenë më barkun bosh e që si asht’ i ngulet thika e padrejtësisë në amullinë e përditshmërisë.

Ndërtesa e Kryeministrisë

Më tej, përballë njeriut të menduar, tragjik, të skamur, qëndron ndërtesa që përbën piramidën e pushtetit politik në Shqipëri: Kryeministria.

Ndërtesa qëndron aty stoike, kinse krenare dhe e konsoliduar në bulevardin kryesor të Tiranës.

Qëndron në bulevardin e emërtuar “Dëshmorët e Kombit” por se vështirë shumë se njerëzit që i ka mbajtur dhe mban brenda kjo ndërtesë kanë ndonjë të përbashkët me dëshmorët, aq më tepër ata të kombit. Por mos të thënë se në rrjedhë të historisë në këtë ndërtesë kanë shkelur njerëz që me plot gojën kanë qenë edhe turpi i kombit.

E prapë ajo ndërtesë vijon të qëndrojë si shkëmb krenare e duket në një cast sikur i flet njeriut përballë se “sado i varfër të mbetet populli, unë kam qenë dhe do të mbetem epiqendra e pushtetit politik të Shqipërisë”.

Flamuri kombëtar

Sigurisht që nuk mund ti shpëtonte syrit tim edhe flamuri kombëtar në ndërtesën e kryeministrisë. Patjetër që secili mund ta vëzhgojë sipas mënyrës së tij edhe mënyrën sesi është vendosur aty flamuri.

Flamuri më duket si i prerë, si i rrëzuar mënjanë dhe sikur i vjen turp nga vetja e vet.

E në këtë moment kisha imagjinuar një intervistë ekskluzive me flamurin. Në këtë intervistë flamuri me siguri që do ta nxirrte gjithçka që i përmban shpirti i kombit të cilin e përfaqëson.

Kjo sepse në atë flamur gjendet fati i një kombi me histori të trazuar e së fundmi krejt të marrë dhe tragjike.

Flamurit me siguri i vjen turp nga vetvetja për pabarazinë e madhe sociale që ekziston; për plaçkitjen e madhe nga partitë që i bëhet shtetit dhe kombit; për fatin e qindra e mijëra shqiptarëve të arratisur e të degdisur në udhëtime të panjohura rrugëve e qosheve të Europës për shkak se atdheu ua ktheu shpinën dhe i tradhëtoi.

Flamuri me siguri që ka shumë për të thënë. Por sa duket është përulur mënjanë si për të thënë se më kanë masakruar dhe gojë nuk më kanë lënë për të folur.

Panoramë e një realiteti tragjik

Panorama shkurt më ngjan krejt realiteti tragjik i përditshëm shqiptar.

Godina e pushtetit që edhe me dhunë qëndron krenare dhe e pamposhtur dhe nga ana tjetër popull i ngratë që vritet nga vërshimet e fuqishme të herëpashershme të pushtetit. Një kombinim tragjik që nxin një komb të tërë.

Në mes të këtij realiteti tragjik qëndron flamuri i përulur të cilit figurativisht sikur i vjen për turp për faktin se ndërtesa nuk qëndron krah për krah me popullin, por e lufton pa rreshtur qytetarin.

Flamuri është i gjunjëzuar, i turpëruar, i nxirë, dhe i mënjanuar. E duket se jo krejt rastësisht.

Flamuri ynë, që siç shprehet Noli na bëri krenarë me Skëndërbenë e me Ismail Qemalin, është përulur nga dufë e pushtetit të papërmbajtur.

Sa duket është koha kur flamuri po shtrihet përdhe, po çirret dhe po ndizet me zjarr. Siç thotë Noli në “Hymni i Flamurit”, ky simbol i shqiptarëve edhe në zjarr e ndër pushtim arriti që çdo mizori me shpatë ta grijë.

Me siguri që flamuri do të valëvitet krenar, do ta dëshmojë ballëlartë fushën e kuqe dhe shkabën e zezë kur godina e Kryeministrisë të jetë njësh me fatet e shqiptarëve të thjeshtë.

E vetëm nëse ndonjëherë arrihet kjo ditë, flamuri do të valëvitej i paqtë mbi qiell të lirisë.

 

Kryeministria_njeriu_varfer

 

Radovan Karaxhiç – krim dhe politikë!


Nga Dionis Xhafa

Gjyqi i Nurenbergut në përfundim të Luftës së Dytë Botërore çoi në litar tradhëtarët dhe gjakësit e popujve të tyre – fashistët e Europës, ku disa syresh u varën në mes të qyteteve europiane me kokën poshtë.

Tronditja e dytë e gjykatorëve të Europës pas të famshmit proces të Nurenbergut mund të cilësohet Haga ku u gjykuan një sërë liderësh politikë ballkanas, që vranë, masakruan dhe shtypën popuj vetëm se këta ishin tjetër etni apo tjetër besim fetar.

Qëllon që shumica dërrmuese e liderëve të përlyer në krime gjakësore kundër njerëzve të jenë serbë.

Disa mbështesin tezën se serbët i vranë shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët vetëm pse kishin tjetër etni e besim, e disa se kjo ishte hakmarrja e madhe serbe për të shkuarën e historisë jo aq të largët në breza.

Tek cilido version nga këto të jetë më afër e vërteta, asesi nuk mund të përligjet vrasja e mijëra e milionave shqiptarëve, kroatëve apo boshnjakëve.

Aq më tepër që nga ana e liderëve politikë serbë është tentuar deri shfarosja etnike, kryesisht e shqiptarëve dhe e boshnjakëve.

Kështu, në vazhdë të kësaj historie ballkanike të mirënjohur, lajmi i javës për ata që vërtetë e duan fjalën “liri” ishte se lideri politik i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç u dënua me plot 40 vite burg për akuzën e rëndë të genocidit mbi boshnjakët ç’ka në realitet është burgim i përjetshëm për shkak të moshës së ish-liderit serb.

Dënim i tillë të bën të mendosh se jemi dëshmitarë të “Nurenbergut të Dytë” të Europës që po i dënon politikanët fashistë serbomëdhenj.

Pavarësisht krimit të rëndë që rëndon mbi Karaxhiç, ai është dënuar vetëm për tu izoluar fizikisht përjetësisht.

Edhe pse Karaxhiç ka faje kriminale në mos më të rënda se liderët fashistë e nazistë të Europës, kohët tanimë kanë ndryshuar dhe se ai nuk mundet as të vritet e as të pushkatohet.

Tashmë Tribunali Ndërkombëtar i Hagës e mori vendimin dhe e dënoi atë për genocid, krimi më i rëndë që mund të ekzistojë.

Karaxhiç meriton të degdiset në errësirën e historisë dhe emri i tij gjithnjë do të kujtohet i lidhur pashmangshmërisht me krimet të zeza kundër njerëzimit!

 

Nga kryekriminel në “mirëbërës”

Lideri politik i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç ka një histori të ngjashme me filmat triller ose ato horror.

Pasi e shkatërroi, sakatoi dhe varrosi Sarajevën , i vrau mijëra boshnjakë dhe më pas i spastroi nga trojet e tyre stërgjyshore, ai diti si të fshihej brenda Serbisë për tu mos u diktuar nga autoritetet ndërkombëtare.

Karaxhiç u vesh si prift, ndërroi identitet në Dragan Dabiç dhe se kishte filluar një jetë thuajse normale në Luginën e Drinasit.

Karaxhiç, i kthyer tanimë në Dabiç bënte kinse iu ndihmonte njerëzve e madje kishte nisur edhe të promovohej në një revistë serbe, tashmë me identitetin e ri Dragan Dabiç.

Kjo në një kohë që Karaxhiç ishte i vetëdijshëm se vëzhgohej nga ana e CIA-s dhe agjencive të tjera të kërkimit ndërkombëtar.

Si Dragan Dabiç, ai kishte nisur të frekuentojë edhe kafene në zonën ku ishte fshehur.

Kjo situatë zgjati për shumë vite, derisa Dabiçi po shihte rreth e rrotull vetes fytyra të dyshimta të cilat ia vëzhgonin çdo lëvizje.

Kështu, rrugëtimi politik dhe ai civil i Radovan Karaxhiç mori fund teksa u arrestua në përpjekjen e fundit për ti ikur policisë në një tren.

Për 12 vite nuk ishte bërë i mundshëm arrestimi i Karaxhiçit, për shkak se ky akoma kishte influencë në strukturat e Inteligjencës Serbe, që ishin jo pak të mbarsura me nacionalizëm.

Mirëpo kur presioni ndërkombëtar për kapjen e Karaxhiç u rrit – njerëzit e Inteligjencës Serbe e “tradhëtuan” Karaxhiçin dhe iu bindën një prej liderëve më të moderuar të Serbisë, presidentit Boris Tadiç.

 

“Viktima” Karaxhiç në gjyq

Ish lideri politik i serbëve në Bosnje Radovan Karaxhiç, si të gjithë liderët serbë të çuar në Hagë, për të mos thënë të gjithë – nuk i ka pranuar akuzat.

Ai në fjalët e tij përpara gjykatësve ndërkombëtarë ka mbrojtur pa rreshtur tezën se është i pafajshëm dhe se gjithçka e ka bërë për popullin serb në Bosnje, që sipas tij rrezikohej nga ana e boshnjakëve vendas.

Kjo dëshmon më së pari se kemi të bëjmë me një lider i veshur me një nacionalizëm vrastar dhe për më tepër që as pendohet për krimet e kobshme të cilat i ka kryer.

Radovan Karaxhiç nuk ka rreshtuar të bërin viktimën në Tribunalin e Hagës dhe nga ana tjetër të bërit si patriot në syrin e serbëve.

Ai i dha jo pak zjarr të nacionalizmit të sëmurë serb, teksa tha se ka bërë gjithçka për ti ardhur në ndihmë etnitetit serb të Bosnje Herzegovinës.

Karaxhiç përpiqet të sillet si një hero në mesin e serbëve, edhe pse mbi të rëndon akuza e tmerrshme e genocidit mbi boshnjakët, duke i dëbuar nga trojet e tyre.

Karaxhiç jo vetëm që është i sëmurë vetë nga nacionalizmi serb, por me qëndrimet të cilat i mban sëmur edhe mijëra serbë, të cilët akoma e besojnë tezën e tij se “gjithçka e ka bërë për të mbrojtur serbët”.

 

 

 

 

 

Radovan Karaxhiç dhe Tomislav Nikoliç

Ish lideri serb Radovan Karaxhiç dhe Tomislav Nikoliç, presidenti aktual i Serbisë ngjasojnë tepër me njëri-tjetrin.

Ata ndryshojnë vetëm se Karaxhiç ka vrarë njerëz dhe ka kryer genocide, kurse Nikoliç nuk e ka ndonjë akuzë të tillë apo të ngjashme.

Për fat të keq, Nikoliç nëse nuk është së paku ka qenë në mesin e atyre mendjeve që mendonin se “Serbia duhet të shtrihej gjithandej ku ka serbë”.

Poashtu për fat të keq Nikoliç është përfaqësues i një brezi të vjetër serbësh të mbarsur nga ide të vjetëruara dhe teza nacionaliste të dala boje prej kohësh.

Në këtë kontekst, fill pasi u dha vendimi për dënimin e Karaxhiç me 40 vite burg, i menjëhershëm ishte reagimi nga ana e Tomislav Nikoliç.

Presidenti në detyrë i Serbisë tha se pavarësisht dënimit të Karaxhiç, Beogradi zotohet në mbrojtjen e popullit serb në Bosnje.

Kjo do të thotë se me gjasë Serbia do ta vijojë politikën e ashpër e të egër mbi boshnjakët dhe se edhe kthimi i etnitetit boshnjak në Bosnje do të jetë vështirësisht i arritshëm.

Tjetër është se supermacia budallaqe e idiote serbe mbi Bosnje vazhdon dhe me siguri do të vijojë për shumë kohë të jetë realitet.

Beogradi ka vendosur aty kukullën e vet të quajtur Milorad Dodik, lider ky tipik nacionalist serb.

Pavarësisht se ndër serbë u prodhuan liderë diktatorialë, gjakpirës të popujve, njerëz që kryen genocid dhe me damka të errëta, politika djallëzore e Serbisë mbi Bosnjen vijon të mbetet realitet i pamëshirshëm.

Mashat e zgjatura të përgjakura të Serbisë mbi Bosnjen janë realitet tragjik dhe se vijojnë të mbeten, derisa shtetit serb nuk i vihet fre që të mos ushtrojë më politika centralizuese dhe destabilizuese mbi Bosnje, Kosovë apo kudo tjetër ku padrejtësisht ushtron ndikim.

 

 

“Toka e kriminelëve” dhe ledhatimi nga Europa

Serbia, shtet ky që në historinë e vet është më së tepërmi fashist e aktualisht nacionalist, edhe pse fare mirë dihet se është toka e pjellave të nacionalizmit ekstrem, është më pranë Bashkimit Europian se Shqipëria, lërë më pastaj se Kosova.

Kjo lidhet edhe me atë se Serbia ështe meridiani politik mes Europës dhe Rusisë e ku secili nga këto të dyja i jep dhurata shtetit serb për tia mbushur mendjen.

Por se vetë shteti serb, klasa politike e saj e kanë mbarsur popullin me nacionalizëm aq të lartë sa është larg parimeve të lirisë dhe të bashkëjetesës, parime këto që qëndrojnë në themel të demokracisë europiane.

Historia me shtetin serb shpesh na ka ndarë dhe se Europa përpiqet të na afrojë.

Shqiptarë e serbë mundet të jetojnë bashkë kur të jenë dënuar kriminelët e luftës, kur klasa politike serbe të kërkojë falje për planet e zeza genocidale dhe se ato krime të mos përsëriten më kurrë nga ana e Serbisë.

Qielli i Europës na fton të jemi paqësorë dhe ta respektojmë lirinë si parimin më të shenjtë dhe më lartë njerëzor.

Fatkeqësisht qielli i Serbisë është një tymnajë, herë gri dhe herë e zezë nacionaliste, kaq e pistë dhe larg qiellit blu e të pastër europian.

Shpresa është që qielli i Serbisë ti hiqte retë e zeza e ato ti zëvendësonte me re të qeta.

Mirëpo Serbia edhe kur e bën një diçka të tillë, më së shumti e bën për sy e faqe të Europës pasi qielli i saj është në të vërtetë blozë dhe i mbushur me propagandë anti-shqiptare, anti-boshnjake, anti-kroate duke i urryer kurdoherë fqinjët e vet.

Shteti serb e vijon rrugëtimin e vet politik nacionalist kryesisht anti-shqiptar dhe se shpesh e mbron edhe krimin për “interesat e shenjta” të kombit serb.

Nacionalizmi ekstrem serb i liderëve sidomos veç përzihet si europian në faqe të Europës, se në realitet është mënxyra e një shteti që qëndron mjerisht krenar mbi krime dhe kurrë falje s’po kërkon!…   26 mars 2016

 

Bombë në Bruksel!


Nga Dionis Xhafa

 Bota po ndjen pasiguri të tmerrshme. Nga Damasku, Ankaraja deri në Bruksel kanë plasur “bombat” e terroristëve duke shkatërruar qytetërime dhe vrarë jetë të pafajshme.

Ku më pak e ku më shumë jeta e banorëve mbi tokë po ndjen pasiguri. Jemi në luftë do të thoshte Domenique Moisi. Përplasja e qytetërimeve poashtu ka kohë që ka nisur. Intolerancat po prodhojnë konflikte dhe më tmerr bëhet situata kur në mes hyjnë edhe interesat e pista, duke bërë kështu që kombet të tronditen dhe njerëzimi të ndjejë pasiguri.

Askush nuk mund të thotë tashmë më 2016 se është i lirë dhe se në këtë jetë jeton pa patur asnjë lloj frike. Bombat, terroristët me çantë dhe të tilla skena janë bërë normale në zona të ndryshme të botës.

Përpara disa ditësh u godit Turqia duke vrarë popullin e pafajshëm turk. Sulmi terrorist ishte i rëndë për këtë komb, që historia duam apo nuk duam na ka bërë dikur edhe bashkë dhe se ndajmë edhe vlera kulturore të përbashkëta.

Sot u godit Brukseli, Belgjika dhe mendoj se arsyeja është e thjeshtë: Goditja e kryeqytetit moral të Evropës për ti dhënë shenjë këtij kontinenti se është i rrezikuar.

Në të dyja rastet sulme terroriste. Por se sigurisht media duket se ka qenë sërish e ç’ekuilibruar. Ndërsa sulmi terrorist në Turqi kaloi disi pa u ndjerë, sulmi në Bruksel pati jehonë të jashtëzakonshme. Liderët e Evropës dhe Amerikës menjëherë bënë thirrje për solidaritet dhe se kamerat u fokusuan në kryeqytetin belg.

Dhimbja duhet të jetë njëlloj, për atë se jetë të pafajshme vdiqën në Bruksel dhe jetë të pafajshme vdiqën edhe në Turqi, por se tendenca për ti bërë bujë veç rasteve në Perëndim duket se nuk u fashit as këtë herë.

Sidoqoftë, dhimbja duhet ndarë me kombin turk, sirian, iraken, belg apo francez – me çdo komb i cili goditet fuqishëm dhe frikshëm nga sulme barbare dhe terroriste.

Ajo çka është tronditëse në këtë shekull që po e jetojmë është fakti se po mbushet me sulme terroriste në të katër anët e globit, duke na e bërë jetën tërë ankth dhe me frikë.

Po fundosemi nga disa terroristë, të cilët paturpësisht vijojnë të besojnë se terrorizmi është një rruga e duhur.

Derisa ka njerëz të cilët mendojnë se terrorizmi i zgjidh gjërat, bota do të vazhdojë të ndjej pasiguri dhe të jetojë nën frikë, sepse nuk ka polici në botë e cila ti ndalë të gjitha sulmet  terroriste që ndodhin në katër cepet e globit.

Lufta e shteteve kundër terroristëve duhet të jetë kurdoherë e fuqishme, për të dënuar njerëz që kërkojnë të shkatërrojnë kombe e qytetërime. Terrorizmi nuk është aspak rruga e duhur për të zgjidhur problemet në botë.

Poashtu solidariteti karshi njerëzve që ranë viktima të sulmeve terroriste, por edhe të luftrave si ajo në Lindje të Mesme apo në vatra të tjera është me rëndësi.

E keqja duket të jetë e madhe dhe që ajo të parandalohet kërkon luftë pa kompromis kundrejt saj, mjaft që pasojat të jenë sa më minimale, shprehet Popper.

Terrorizmi është ana e errët e një bote që kërkon paqe dhe mirësi. Terrorizmi kurrsesi nuk mund të përligjet, pasi ai lidhet me krimin, vrasjet dhe tmerret kundër njerëzve të pafajshëm.

Ajo ç’ka duhet të jetë në ideal është paqja universale dhe njerëzit e kulturave të ndryshme, e kombeve të ndryshëm, e besimeve të ndryshme fetare të mund të jetojnë në paqe.

Sigurisht që kjo është ide utopike. Por se paqen ia vlen të jemi në solidaritet dhe kurdoherë të kontribojmë që kjo paqe të mund të arrihet.

Siria – ndërgjegja e vrarë e botës!


Nga Dionis Xhafa
Sirinë po e varrosin. Lufta civile po e damkos, plagos dhe po e përçan një shtet të lashtë ndoshta sa vetë njerëzimi mbi Tokë.
Damasku po thërret ashtu i shtirë e i plagosur. Homsin e kanë copëtuar.
Raqqan e pushtuan militantët famëzinj të ISIS. E kobshme ajo ç’ka po ndodh me Sirinë, shtetin ku ç’nuk po kurdiset brenda tij.
Luftë për pushtet, luftë etnike, kinse fetare dhe lloj lloj ekipesh militantësh të dyshimtë e kanë nënshtruar shtetin sirian.

Vaj e kob’ është sot Siria e Damasku. Qytete të tërë të shkatërruara në themel prej predhave, automatikëve, të cilat nuk dihet se vulën e cilit shtet e mbajnë.

Disa po thonë se këtu po luhen lojëra të errëta të shërbimeve sekrete të huaja kryesisht amerikane dhe izraelite me qëllim për ti nxirë myslimanët. Disa thonë se bota tashmë i ka mbi 7 miliardë njerëz dhe se këta nuk kanë se ku të shkojnë dhe andaj duhet shpikur luftë për ti eleminuar nja disa dhjetëra miliona. Disa po thonë se Rusia po e dëshiron Luftën e Tretë Botërore.

Ajo ç’ka mendoj personalisht nga shumësia e të gjitha këtyre opinioneve është se Amerika në kohën kur president e kishte George Bushin e pushtoi Lindjen e Mesme dhe se nga ky pushtim lindi edhe urrejtja në popujt e shtypur të lindjes kundër Bushit e kundër disa shteteve perëndimore.

Dikush më kishte thënë se nëse do të të hynin ty në shtëpi, të të vrisnin babanë, vëllanë, motrën, fisin e kushërinjtë, a nuk do reagoje? Kështu besohet se ka lindur devijacioni me emrin ISIS, të cilin paturpërisht disa syresh e lidhin edhe me fenë islame, kur në fakt IS nga veprat është armiku më i tërbuar i Islamit.

E bashkë me krijimin dyshimtë të ISIS, u çuan edhe bijtë dhe bijat e Irakut dhe të mbarë Lindjes së Mesme sepse s’munden më ta durojnë dhimbjen dhe poshtërimin si nga udhëheqësit autoritarë, ashtu edhe nga pushtimet e huaja.
Tashmë kemi rebelimin. Rebelim që sipas meje është i keqinterpretuar nga disa, i keqpërdorur nga dikush tjetër dhe i bërë lëmsh në fushë të betejës, ku më tej në lojë hyjnë edhe spiunimet, shërbimet e huaja sekrete, hyn një rreze misteri ende i padijshëm qartë nga askush.

Në bindjen time disi më e pastër është Ushtria Çlirimtare e Sirisë e cila lufton për shtet të unifikuar – kundër regjimit të Bashar Al Asad dhe kundër organizatës terroriste ISIS.
Dëshiroj me zemër që kjo ushtri e lirisë ta çlirojë Sirinë nga prangat e regjimit basharian dhe nga ana tjetër nga pushtimi i famëzinjve të ISIS, që hiç kërrkund nuk kanë lidhje me Islamin.

Pavarësisht nëse Ushtria Çlirimtare e Sirisë ia arrin ose jo qëllimit ta çlirojë shtetin sirian si të tërë, tashmë ka ndodhur një proces i pakthyeshëm dhe krejt i pandreqshëm.
Siria u shemb, u rrënua, u trondit në themel. Mos harrojmë se Siria është ndër shtetet më të lashta të botës.

Kur lulëzonte qytetërimi në këto vise dhe kur kishte biblioteka Damasku, nuk kishte lindur Europë dhe as Amerikë.
Vërtetë për të ardhur keq. U vranë deri më tani mbi çerek milionë sirianë, njerëz këto krejt pa asnjë faj.

Por se përtej këtyre fakteve që sigurisht janë rrënqethëse, desha të ndalem sidomos në një pikë, në atë që është e pariparueshme: Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe historike të Sirisë.

U shembën objektet e kultit ndër më të lashtat mbi tokë: teqe, manastire dhe xhami.
U shembën tempuj, ndërtesa të vjetra, shtëpi karakteristike prej guri kaq të vjetra.
U rrafshuan qytetet duke ia shuar historinë Sirisë krenare të lashtësisë.
U gjunëzua komb i lashtë, histori mijëvjeçare bash në këtë shekull të modernitetit , i cili edhe pse mban emërtimin “modernitet” po shuan histori të kulturave të lashta!
Është trishtim. Është për të vënë kujën sesi u katandis Siria dhe sesi përditë po e rrezikon ndarjen.

U zeruan qytete të cilat mbartin kultura mijëravjeçare. Pluhur e hi u bënë.
Ia shkatërruan në themel historinë, kulturën dhe traditën Sirisë së ngratë.
Por kush i kurdis të tilla gjëra? Si ka mundësi ti biesh Sirisë kaq ashpër, kaq tmerrshëm, ta vrasësh një komb e shtet të lashtë kaq brutalisht?
Si e vranë, e nxinë, e plaguan, e mjeruan Sirinë e shkretë? E po kthehem në besimin tim tek teoritë që shpalosa më herët.

Kam trandjen të besoj tek fuqia e misterit. Mos ndokush po dëshiron me çdo kusht ti nxijë myslimanët dhe Lindjen e Mesme si rajon përmes damkës si “vende dhe popuj?”.
Bota ka kaq shumë kohë që mbarset me idenë e gabuar se perëndimi është drejtimi i duhur dhe se lindja vazhdon veç të damkosen dhe të nxihet.
Vëzhgoj dyshime se diçka në teori të këtillë mund të jetë e vërtetë.

Teoritë e përzierjes së mundshme të shërbimeve sekrete të huaja perëndimore në çështjet e Lindjes së Mesme për interesat personale po dalin në pah sërish.
Sirinë e mbytën në luftë e kjo është tmerr për sirianët dhe trishtim për mbarë botën.
U desh që në skenën e mendimit botëror të dilte Eduard Said për ti dëshmuar botës mbarë se rruzulli nuk bën të shihet vetëm në syrin pro-amerikan apo pro-europian.

U desh Said për ta përmbysur idenë e mbrapshtë se europianët na qenkërkan më superiorë se racat e tjera që jetojnë nëpër kontinente të tjera të botës.
Për fat të keq Lindja e Mesme qysh nga problemet mes Izraelit dhe Palestinës, prej problemeve në Iran, Irak, Libi, Marok e në shtete të tjera është mbytur në gjak dhe se po iu fshihet për fat të keq krejt edhe historia.

Siria për atë se ç’ka ishte dhe nuk është më , për çerek-milionë njerëzit e vrarë në tokën e saj, për tmerrin që po e kalon, për degdisjen e sirianëve në brigjet më të humbura të Europës, meriton të quhet ndërgjegja e vrarë e botës!

21 mars 2016

Krime të përbindshme serbe!


Nga Dionis Xhafa

Mbi 20 mijë femra shqiptare të dhunuara nga serbët gjatë luftës së Kosovës

Serbia mbart sot e përgjithmonë damkën e zezë të shtetit të fundit europian ku lulëzoi fashizmi nën udhëheqjen e partisë të ashtëquajtur Socialiste të Slobodan Millosheviçit.

Krimet më famëkeqe në Ballkan, të ndodhura krejt në rreze të diellit në tokën e Kosovës në kohë të modernitetit, vulosin zezonjën e shtetit vrastar e gjakatar serb.

Po sjell ndërmend krimet e fundit të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, për faktin kokëfortë e të pandreqshëm të krimeve mizerable e ç’njerëzore serbe, kryesisht kundër shqiptarëve!

Krime këto jo vetëm mbi popullatë burrash, të rriturish, njerëzish që e kanë një farë mundësie mbrojtjeje por edhe mbi të pambrojturit.

Këtu nuk e kam fjalën për masakrat me armë gjithëçfarëlloj mbi fëmijët, që poashtu janë lemeria e krimeve në Ballkan në përfundim të mijëvjeçarit të kaluar.

E kam fjalën për një lajm që qarkulloi këta ditë në media dhe se për hir të realitetit është mënxyra dhe pafytyrësia e një regjimi anti-shqiptar, anti-njerëzor, prodhuar nga mendjet fashisoide beogradase.

Plot 20 mijë gra e vasha shqiptare, disa prej tyre edhe ende të parritura siç duhet, të dhunuara nga ushtarët serbë që përfundojnë në llumin e etikës morale e njerëzore kudo e kurdoherë.

Është fakt tronditës. Është tmerr i përjetuar jo në trillime, as në legjenda dhe as i dalë nga ëndrra shqiptarësh që duan modeomos veç ti nxijnë serbët.

Është fakt barbar, tmerronjës, lemeritës, që trondit me siguri çdo mendje të shëndoshë e cila arrin që të dëgjojë lajm të këtillë të kobshëm.

Po mes rreshtash mundesha të lexoj se gratë e Kosovës të dhunuara gjatë luftës nga njerëz që me siguri duhet ta kishin humbur arsyen, e kishin shumë të vështirë ta komunikojnë fatin e zi të jetës së tyre.

Kjo sepse na qenkërkash turp të dëftosh dhunë e përdhunë të serbëve, që për ambiciet e sëmura të vetat arrijnë deri në shkatërrimin moral, social e vleror të femrës, e në rastin konkret asaj shqiptare.

E se për fat të keq krimi në fjalë me përmasa të të përbindshmes, mbetet ende i padenoncuar dhe i padënuar.

Kjo do të thotë se kriminelë, përdhunues, fundërrimë e shoqërisë që përdori dhunë në Kosovë në masë nuk u dënua.

U përligj krimi. U përligj vrasja. U përligj dhuna. U përligj përdhuna, tmerri, tragjedia, lemeria, fatkeqësia e një kombi që deshën ta zhvendosnin nga trojet e veta shekullore dhe etnike.

Krimet monstruoze, krejt të përbindshme më mirë të thuhet nuk u dënuan, sepse këto vepra të turpshme ishin në një ide me mendjet drejtuese serbe të asaj lufte të përgjakshme.

Krime të tilla duhen denoncuar e dënuar, jo se kështu duan shqiptarët – as se serbët modeomos duhet të kalben në burgje – por për triumfin e të vërtetës!

Thuhet më tej se Millosheviçi në krye së bashku me bandën e politikanëve të drejtuara si marioneta nga ana e tij kishin krijuar banda ushtarake pasi të gjithë këta persona ishin me precedente të rënda penale në jetën e tyre.

Njerëz të liruar nga katër anët e burgjeve të Serbisë për tu dyndur në Kosovë – për ti vrarë, djegur, dhunuar, masakruar e shkelur dinjitetin bijeve dhe bijave të Kosovës.

Tregojnë poashtu një histori, të zezë, murtajë se kur dy ushtarë serbë kishin zënë një nuse kosovare në prag të lindjes ia kishin çjerrë barkun e se më tej shtinin si në lojë se kush do ta vriste fëmijën i pari me mjete prerëse.

Njerëz “bisha” prej burgjeve dhe të rrezikshëm të vendosur përballë pafajësisë, fëmijës, foshnjes, nënës, gruas, motrës e votrës të shqiptarit.

Sa duket krejt të zezat dhe krimet e serbëve janë harruar dhe se aktet e rënda e brutale të atyre serbëve fajtorë nuk e kanë një dosje.

Dhimbja e mbi 20 mijë femrave të Kosovës është ulëritëse. Kjo dhimbje merr përmasa të së tmerrshmes kur mendon se bijat u dhunuan në sy të etërve, të vëllezërve e të motrave.

Lori i patharë i shoqërisë shqiptare ende nuk e ka marrë përgjigjen e merituar.

Krimet që nuk e morën kurrë dënimin, që gjykata për to nuk e trokiti asnjëherë çekiçin e drejtësisë, e varrosin lotin, e kallin dhimbjen dhe pafajësia merr goditje prej dorës kriminale.

Sa duket garendja e liderëve shqiptarë në çdo shtet ku ata drejtojnë pas pushtetit, drejt pasurimit dhe hajnisë kanë bërë që krime të tilla të serbëve të mbeten të pandëshkuara dhe populli viktimë kurrë të mos e marrë drejtësinë që e meriton.

Nuk ngjau kështu vetëm me gratë e dhunuara, por edhe me shumë prej luftëtarëve të lirisë. Ndërsa “shefi” u gradua, bijtë të shqipes që e dashuruan lirinë u trajtuan sikur të ishin “terroristë” dhe kishin akuza të ngjashme.

Kosova është sot shtet i pavarur dhe i mëvetësuar nga Serbia, por se hijet e së shkuarës nuk mund të fshihen si shkumësi mbi dërrasën e zezë.

Krimet famëzeza meritojnë dënimin e merituar duke ia prerë lirinë atij që vret, plagos, dhunon.

E se sot po ngjan ajo se për UÇK-në u themelua Gjykata Speciale, kurse për kriminelët serbë nuk ka një gjykatë të tillë. Raportet e herëpashershme dëftojnë të vërtetën shqetësuese se shteti serb nuk i ndjek e nuk i burgos shumicën e atyre që me uniformë kryen krime në Kosovë sepse në logjikën e tyre ky njeri ishte përfaqësues i shtetit.

Po, përfaqësues i një shteti fashist e me nacionalizëm mesjetar krejt të marrë!

E se nëse Kosova është e paaftë ti përgjigjet Serbisë që ky shtet ti dënojë kriminelët e vet të luftës, shteti më i ri në Ballkan shumicën e popullatës e ka njëjtë në etni me Shqipërinë – shtet ky më tepër se njëshekullor.

Ndërsa Serbia mbrohet nga Europa se i ka dyqind e kusur vjet shtet dhe se kinse me kaq eksperiencë shtetërore mundet ti dënojë kriminelët e vet, në fakt në Serbi në krye të vendit janë zbatues të dikurshëm të urdhërave të Slobodan Millosheviçit.

Andaj me nevojë do të ishte që Shqipëria si shteti amë ta dëftonte së bashku me Kosovën sa të jetë e mundur realitetin tragjik të krimeve të luftës.

E vërteta të çliron nga çdo lloj dogme, prej iracionalitetit dhe prej gabimeve të mëvonshme.

Dënimi i kriminelëve serbë për krimet në Kosovë e gjetkë do të ishte një lehtësim disi për dhimbjen e shqiptarëve – por nga ana tjetër edhe pastrimi i kombit serb nga vrasës e përdhunues me damkë.

Mirëpo hamendësim i tillë për fat të keq është utopi. Klasa politike serbe po e dëshmon për çdo ditë se është e marrë prej nacionalizmit të vet.

Klasa politike serbe as që duket të kërkojë pendesë, as falje, as të thotë se e ka gabim por se veç kalëron në marrinë e vet.

Një shtet që nuk e pranon se ka qenë fashist, ku plehrat e lavdisë nacionaliste serbomadhe kanë zaptuar karriget më të larta të vendit, është i marrë, është i pakthyeshëm në rrugën e drejtë.

E se krejt për fund të hysh në bisedime me një shtet të tillë që lavdi e ka fashizmin, që krenari e ka vrasjen e dhunën, është marri e liderëve politikë të Kosovës që ende besojnë në sinqeritetin e një shteti që kurdoherë ka prodhuar politikë të përzier me djallëzi!…

 

20 mars 2016     

 

Bij të Drinit!


Nga Dionis Xhafa

15 mars 2016, (Kujtime, përshtypje, ngjarje)

Drini është dhurata jonë prej Zotit, por edhe drama nga ana tjetër e një vendi rebel të ngjashëm me vetë njësinë e afërt gjeografike e gjeopolitike të veten.

Drini është simboli ynë i përbashkët, forca jonë, dhimbja dhe ura jonë. Ky është lumi ynë që rrjedh pa ndaluar as edhe një cast njëjtë sikundër edhe jeta jonë e bijve të Drinit.

Po Drini është fati ynë i padijshëm që kërrkush prej nesh nuk e di se ku mund ta përplasë.

Ky është lumi që veç rrjedh e sikur nuk çan kryet për atë sesi rrjedhin fatet e jetëve të njerëzve të vetë vendit ku lumi gjarpëron.

Lumi veç rrjedh, e lag këtë tokë – ua lag trupat bijve të vet por se prapë veç ecën pa dashtë me dijtë për pengesa: as për trupa, as për kaçuba, as për drunj, pemë, gurë e zhavorrë.

Drini jonë është fati i pandashëm me jetët tona. E se më tej Drini që rrjedh nga anët tona – që i lag tokat e Dibrës tek derdhet në Adriatik – quhet si për dreq: i Zi.

Po ç’domethënë i zi? Si mundet që lumi të jetë i zi? Unë si dhe ju jemi larë aty.

Po jemi larë dhe jemi shpërlarë në lumin e Ballkanit, që kryq e tërthor i bie një gadishulli të kryqëzuar keqas mes Lindjes dhe Perëndimit.

Por mos u çudisni nga fakti se ju e keni parë lumin e pastër dhe se nga ana tjetër ky lum na qenkërkash “i zi”.

Mos bëni sikur nuk e keni parë edhe të zi jo veç të kaltër dhe të bardhë e jo gjithnjë të qetë.

Drini hera-herës në stinët e egra sidomos ngrihet lart si vullkan dhe stërkalat i lëshon deri në Urën e Topojanit.

Po ashtu e vërtetë është se me siguri që e keni parë se në lum – kur ai tërbohet – krijohen vorbulla të rrezikshme që përpiqen të të gëlltisin, të të hanë e të të rrjepin.

Nuk është gënjeshtër po ta themi se Drini ka këputur edhe jetë, madje të njoma krejt që shuhen në vorbulla të tërbuara si kuçedra.

E pra Drini është krenaria jonë e dhuruar prej Zotit po aq sa edhe fataliteti ynë i përditshëm, i çdokohshëm, i pandalshëm.

Drini është fati ynë i turbulluar si tel i pazgjidhshëm; Drini është zemra jonë e rrëmbyer, fytyrat tona herë të rrëmbyera dhe herë fatkeqe, krejt jeta jonë me të mirat më shpresëdhënese dhe të këqijat më vdekjeprurëse.

Po ç’ka është Drini, rrjedhja e këtij lumi me nam të madh në anët tona e në Gadishullin Ballkanik? Ç’ne ky Drini qenkërkash fati ynë, zemra jonë, pulsi ynë, gjymtyrët tona?

Pse kaltërsi e Drinit qenkërkash fati ynë i ndezur, e vorbullat e lumit famëmadh qenkërkan gërmadha e varri ynë?

Pse Drini qëndron hijerëndë mbi fatet tona njerëzore e se pavarësisht se çfarë ndodh sot, nesër e pasnesër, ky lum i gjatë veç ecën – pa u lodhur dhe pa u ndjerë.

Pse Drini është i lidhur pashmangshmërisht me emocionin tonë njerëzor me gëzimin, lumturinë, harenë, fatmirësinë, bardhësinë – e nga ana tjetër me tmerrin, lemerinë, plogështinë, harresën, mallin, plagosjen, vrasjen.

Drini është si jeta jonë e andaj jemi të lidhur pashmangërisht me këtë lum.

Drini qysh nga Ohri ku e nis udhëtimin e derisa bashkohet me Bunën në Shkodër, ecën pandërprerë, duke marrë përpara gjithçka që e gjen.

Pavarësisht se lumi has në pengesa, në vështirësi, në drunj e në hunj ai ecën duke e lënë pas ç’ka i ndodh, edhe pse merr goditje të konsiderueshme.

Po ku ngjasojmë ne, jeta jonë me Drinin? Sigurisht që ngjason, tepër madje.

Sikundër rrjedh Drini ashtu rrjedh edhe jeta jonë me fate të kryqëzuara e të panjohura, në shtigje të rrezikshme e një jete që nuk gjen rehati deri në pushimin e zemrës.

E kësisoj ne, jeta jonë është si Drini ynë, herë e ngazëllyer në stërkala e herë me fishkëllima e vorbulla thithëse.

Ne bijtë e Drinit bëjmë nga një hap për çdo ditë. Ne shembim botë, luftojmë dragonj flakadanë, këpusim mishtë, ngadhënjejmë ëndrra, për liri e mirëqënie, goditemi, çohemi sërish, rrëzohemi dhe rivazhdojmë.

Ne bijtë dhe bijat e Drinit ndryshojmë nga lumi vetëm në atë se ky lum mbart pavdekësinë e ne të gjithë jemi vdekatarë.

Por edhe se lumi vdes, shuhet kur derdhet në Bunë e se përfundon në det së bashku me ujërat e lumenjve të tjerë.

Nëse nuk jemi lum, atëherë secili prej nesh është pikë uji e këtij lumi e se secili derisa të shuhet përballet me sfida, rebeshe, krisje, tensione, kriza, depresione, e gjithëçfarë sëmundjesh a murtajash.

E pra, Drini është si vendi ynë dhe ne si piklat e tij. Drini sikundër Dibra në mos janë këtu qysh prej formimit të tokës.

Ne jemi udhëtarë të përkohshëm të një udhëtimi çmendurak, aventuresk, që s’dihet sesi e ka fundin e vet.

Po qe se piklat metaforikisht ne bijtë e bijat e këtij Drini e nisin udhën kristal dhe se edhe pengesat rrugës të lënë po kristal Drini do krenohej.

Pra, nëse në udhëtimin e jetës tënde, po qe se do të jesh i pastër kristal, tiu kesh shërbyer njerëzve ndershmërisht e me drejtësi, vendi do të ishte krenare me ty dhe e kundërta: nxirja ta bën fundin e hidhur.

Në fund të rrugëtimit secilit prej nesh një prehje e përhershme na pret.

Nderimi, respekti, e mirënjohja sigurt do të jetë në raport me atë sesa pastër e kreve udhëtimin e jetës, e se kristali do ta ketë qiellin e kaltëruar, kurse zezonja më tepër do të ishte barrë për tokën e vendin.

Përpiqu të bëhesh Kristal i jetës tënde. Respekti, nderimi, e mirënjohja në jetë ta rrisin famën e mirësisë, kurse mendjemadhësia e veprat e këqija ta damkosin fundin tënd.

Rrugëtimi për secilin nuk është i lehtë, por mbushur me peripeci, ankthe, pengesa, vështirësi, lodhje, strese, probleme.

Në mund të durosh të gjitha ndjesitë e hidhura; të sillesh drejt edhe kur ndaj teje sillen padrejtësisht e në nivel të të padrejtës të mos biesh, lavdia do të të përkasë.

Në mundsh që qetë e racional të qëndrosh e në parime krejt pa u përkulur, kurrë pa i prekur lirinë tjetrit pa vrarë, pa prerë, pa dhunuar, pa cënuar, por në heshtje të qëndrosh e i përulur të sillesh, respektin e njerëzve do ta kesh.

Në mundsh që zemrat e tradhëtuara ti qetësosh, të varfërin ta ndihmosh, të pangrënin ta ushqesh, njeriun me lëkurë të bardhë a të zezë njëlloj ta respektosh; në mundsh të harrosh kur të tjerët ferrin ta bëjnë, të largohesh kur e ndjen të keqen e krejt pa folur të qëndrosh, emri yt më lart e për mirë do të përmendet.

Sepse fundja nëse në këtë jetë në tokë të përkohshme iu bën mirë njerëzve,  dije se ata të mirën do të ta kujtojnë e do të të nderojnë.

E kundërta është se emri yt nam të madh zemërkeqi do të ketë.

Bëj mirë për veten, emrin tënd, komunitetin, të prekësh zemrat e njerëzve që duan dashuri, sepse kështu – siç shprehet Kipling në poezinëe tij të famshme – edhe bir (a bij) i denjë (i Drinit) do të jesh! (Gazetë përmujore )

Tifozi i Partizanit


Nga Dionis Xhafa

Sapo kishte nisur të errej. Si një person që më pëlqejnë shëtitjet, kisha vendosur të eci në këmbë për nga Liqeni Artificial. Ndërkohë kisha prerë biletën për të parë ndeshjen mes Partizanit dhe Skëndërbeut. Ndeshja niste në 19.00 e duhej akoma edhe një orë e pak që “Qemal Stafa” të mbushej me britma tifozësh.

Kjo ishte një ndeshje mjaft e rëndësishme, pasi Partizani i vendit të dytë ishte katër pikë larg Skëndërbeut të vendit të parë dhe nëse fitonte, lufta për titull do të ishte e hapur. Pikërisht arsyeja e ndeshjes më shtyu që ta blej biletën, pasi shumë rrallë ndodh që ta shoh një ndeshje futbolli.

Personalisht e njoh sportin vetëm nga skuadrat, pasi pak di se cili lojtar blihet dhe cili këmbehet nga njëri ekip tek tjetri.

Me Partizanin kam qenë qysh i vogël dhe thonë se çdo gjë mund ta ndërrosh në jetë, përpos ekipit të zemrës.

Kanë qenë të shumta arsyet se përse e kam adhuruar Partizanin dhe jo ekip tjetër nga ato shqiptare, por se kryesorja besoj se është prejardhja familjare. Familja ime i ka besuar sistemit të kaluar pasi e mendonte se ishte i drejtë dhe se kinse punonte për shtresat e varfëra.

Sigurisht që unë nuk e mendoj kështu. Nga sa kam mësuar edhe nga historia pasi nuk e kam jetuar atë periudhë, ai sistem ishte diktatorial dhe nuk mund të përligjet asesi. Unë nuk mund të adhuroja kurrsesi Enver Hoxhën apo politikanë të tjerë të sistemit diktatorial, por se kishin zënë vend në zemrën time personat që e kishin luftuar pushtuesin e Shqipërisë më 1945.

Sigurisht që më pëlqente Qemal Stafa dhe se emrin e tij e mban edhe stadiumi ku luhet ndeshja. Mbresa të veçanta nga këta heronj të kombit më kishte lënë Vojo Kushi. Kjo sepse emri i tij i vërtetë kishte qenë Vojo Kushiç dhe se ishte serb nga Shkodra që kishte luftuar për çlirimin e Shqipërisë.

Më kishte intriguar kjo histori, që një serb të mirrte pushkën dhe ta luftonte pushtuesin e Shqipërisë deri në sublimitet, teksa dihet historia e Kushit që vritet në majë të tankut.

Tek Vojo Kushi kisha parë një hero universal, pasi fill pasi vritet nga nazistët, ai shpallet hero si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Jugosllavia e dikurshme. Këto me pak fjalë ishin arsyet pse më kanë shtyrë të jem tifoz me Partizanin. Por se sigurisht më vonë iu shmanga heroizimit tej mase vetëm të partizanëve dhe nga ana tjetër damkosjen e ballistëve dhe se patjetër vlerësoj edhe figura nga ballistët, që luftuan për çlirimin e Shqipërisë me armë apo me penë.

Me pak fjalë ishte lufta e popullit shqiptar për liri gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo që më tërhiqte shumë, pavarësisht ideologjive. Patjetër që politika apo historia nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt të jesh tifoz me këtë apo atë  ekip, por se në rastin konkret historia e vendit tim ka ndikuar që ta dua Partizanin më tepër se Tirana, Dinamo, Skëndërbeu apo qoftë ndonjë ekip tjetër.

Sidoqoftë, ngadalë zbres që nga Liqeni Artificial dhe i afrohem stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Rrugës kishte akoma shumë njerëz dhe sidomos fëmijë që luanin sepse ishte Dita e Verës dhe se bashkia kishte liruar jo pak bulevardet për argëtim.

Eci nga sheshi “Nënë Tereza” dhe dal fiks në hyrjen ballore të stadiumit. Nuk kisha hyrë në stadium ka vite dhe se pyes një djalë të ri aty se ku ndodhej hyrja. Më pyet se për cilin ekip e kisha blerë biletën dhe i them se për Partizanin. Aty ma pret se hyrja për tifozët e Partizanit ndodhet në anën tjetër, ku ishte tribuna D2.

E kuptova se ishte tifoz i Skëndërbeut. Pavarësisht se unë isha një tifoz kundërshtar, personi tjetër që me siguri ishte korçar pasi bënte të hynte në stadium në anën e vet, mu përgjigj me tepër kulturë. Gjithnjë në jetë më ka rastisur që korçarët të jenë të urtë dhe njerëz shembullor në sjellje dhe se personi në fjalë ishte thjesht njëri nga ato.

Ndërsa gjithmonë kur kam biseduar me një “të huaj” kam ndjerë frikë, këtë herë më dukej se korçari ndjente më tepër disi ndjesi frike. Kjo me siguri e lidhur me faktin se tek tifozët e Skëndërbeut një tifoz i Partizanit shihej si rebel, “guerrils” dhe të njohur për radikalizmin e thekuar. Por se unë veç i tillë që nuk isha dhe se edhe korçari mundi ta nihasite diçka të tillë.

Pasi më dëftoi hyrjen tifozi i Skëndërbut, shkoj nga ana tjetër e stadiumit. Njerëzit kishin filluar të mblidheshin turma-turma dhe ishte bërë rradhë, ndërsa rrugës kishte plot që shisnin fara më së shumti. I bleva një palë fara dhe eca me vrap të gjej një vend aty që të mos rrija në këmbë në stadium.

Rradha bënte të veten. Shtyheshim me njëri-tjetrin, pasi kishte shumë persona për shkak se në tribunën D2 ishte shumica dërrmuese e tifozëve. Thuajse të gjithë ishin djem dhe se edhe pse nuk i njihja, lejohej ndonjë shaka e vogël. Në atë moment, një vajzë brune e lezetshme po zbriste nga shkallët ndërsa ne të gjithë ngjiteshim. Një djalë afër meje që e vëzhgoi sikundër unë ia priti: – Mos u mërzit lale. Ka ik’ me ble’ fara se vjen prapë ajo. Aty më shpërtheu një e qeshur disi e çiltër.

Ishin mbledhur një varg çunash të rinj dhe rrallë hasje edhe nga moshat e mesme apo diç më të të mëdha. Në turmë dëgjoheshin gjithandej fjalët “Shtyhuni! Shtyhuni!”.

Në krye të shkallëve të tribunës D2 qëndronin nja dy policë të cilët kontrollonin secilin prej nesh dhe se më tej ia grisnin biletën. E kontrollonin sipërfaqësisht çdokënd dhe se pyesnin se “a ke çakmak”. Nuk e dija akoma se çakmaku ishte “armë e rrezikshme” brenda. Kontrollova veten për siguri se kushedi më gjendesh ndonjë çakmak, por se e dija gati sigurt se nuk kisha pasi as cigaren nuk e pi.

Bëmë si bëmë, u shtymë si u shtymë dhe ja hymë në stadium. Aty filluan brohoritjet, të cilat të mbushnin me gaz teksa në sfond dëgjoje edhe këngë miks – herë për Partizanin dhe herë këngë të huaja pa asnjë lidhje me ndeshjen.

Mu bë qejfi dhe se po ndihesha mirë në stadium. Edhe pse në fillim kujtoja se do të ulesha në atë rradhë që ishte në biletë, më tej kuptova se aty ishte një rrëmujë e madhe që nuk mirrej vesh dhe se mjaftonte të gjeje një vend dhe të brohorisje.

Më tej dalin lojtarët e Skëndërbeut në fushë. Këtu nisa të ngrysem disi. Nga tifozët nisën të sharat nga familja e fisi dhe ç’ti kishte pragu i derës lojtarit kundërshtar.

Më e zorshme akoma ishte se aty ndodheshin edhe disa vajza, që mu duken guximtare për atë se kishin “thyer” një mit për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës.

Por se më tej kuptova se të ishe vajzë në mesin e atyre tifozëve “të çmendur” nuk ia vlente shumë. Të sharat nga më banalet ishin mëse normale. Madje edhe një këngë e kishin bërë fund e krye vetëm me sharje nga më të ndryshmet.

Kështu filimisht kishte fishkëllima dhe kur ndokush ngrinte flamujt e kuq, i bëhej thirrje ta ulte, pasi zbulohesh skenografia. Po ashtu u bë thirrje që të mos lëshoheshin në fushë mjete piroteknike dhe të tjera.

Pasi kaloi një kohë paksa e zhurmshme dhe se ishte tmerr për nga ajo se nuk gjendesh vend për të gjithë, futbollistët u dukën në fushë. Kjo ishte ndeshje e madhe dhe tepër me rëndësi dhe ndaj tifozëria duhet të ishte e ndezur maksimalisht.

Në cast plasën fishekzjarret, u ngritën flamujt dhe nisi korri. Rrëmuja u bë më e madhe dhe se për nga vetë vendi (stadiumi) sa më e madhe që ishte rrëmuja aq më bukur ngjasonte.

Ndeshja filloi dhe se zemrat e të gjithëve po pulsonin e se kërkohej gol nga ana e Partizanit. Meqenëse ishte fillimi dhe të gjithë kishin fuqi, atmosfera ishte tejet e ndezur e plot shkëlqim. U bënë kaq kohë që po dëgjoheshin britma dhe fishkëllima e bashkë me to edhe këngë e të shara dhe se pas më pak se 30 minutash lojë Partizani shënoi.

Kjo ishte një pikë kulmore që u prit mjaft me atmosferë në atë vend ku kishte veç zjarr të tifozëve të kuq. U rindezën fishekzjarrët dhe u hodhën letrat në fushë më keq se kur nisi ndeshja. Madje ato letrat e bardha që hidheshin në fushë e mbuluan krejt pjesën anësore të stadiumit.

Vetëm tanimë e kuptova se përse policia kontrollonte tifozët dhe se kuptova edhe se në mesin e këtyre “guerrilësve” kishte edhe nga ata që kishin thyer rregullat për ekipin e zemrës. Kjo sepse kishte edhe çakmak, hidhedhin edhe sende të forta në fushë – madje me rrezik se mos kapte ndonjë polic apo punonjës të fushës.

Kur tashmë gjithçka ishte disi më e qetë dhe ngadalë po afronte fundi i pjesës së parë ese edhe tifozët e prisnin këtë, pas meje vëzhgoj një tifoz të Partizanit. Më bëri përshtypje shumë ai tifoz.

Ai ishte një djalë i ri, i veshur kaq thjeshtë dhe që e donte me shpirt Partizanin. Ky tifoz ishte sa i thjeshtë, po kaq i sjellshëm dhe i sinqertë. Ai nuk ishte tifoz luksi, por tifoz zemre dhe emocionet që mirrte ai nga Partizani ishin të papërshkruara.

Ky tifoz e shihte me mallëngjim tërë kohës ekipin që e mbështeste dhe se po tërë kohës shpresonte tek fitorja. Ai bënte shenja sa herë që Partizani i afrohej portës kundërshtare ose tundte këmbët në shenjë ankthi.

Më tej, kur nisi edhe pjesa e dytë e pyeta edhe për emrat e lojtarëve dhe se më kthente përgjigje si për ata të Partizanit, ashtu edhe ata të Skëndërbeut. I thashë edhe se lojtarët e Korçës qënkërkan më trupmëdhenj dhe ma ktheu si me dhimbje “Po e vërtetë. Më trupmëdhenj janë. S’ke ça bën”. Më tha edhe se Partizani kishte Stevan Raçiç, që e kishte edhe futbollistin e tij të preferuar.

Më shpjegoi hollësisht disa informacione rreth Partizanit dhe më tha edhe se ai lojtari trupvogël që më kishte impresionuar mua kishte ardhur tani në janar nga Argjentina.

E më tej gjatë pjesës së dytë nisën sharjet mes të dyja kampeve, por më së shumti nga ky yni, ku shaheshin me motër e grua korçarët.

Por se edhe tifozët e Skëndërbeut nuk është se ishin më mangët. Sa duket edhe nga padurimi, edhe ata shanë nja dy herë me fjalët më të rënda.

Ndërkaq që nga ana jonë, pra e Partizanit sharjet dhe ofendimet nga më të rëndat ishin normalitet që për dikë që vinte nga jashtë do të ishte vërtetë alarmante.

Ndërkaq ky tifoz nuk shante dhe se përkrahte veç ekipin e tij, pra Partizanin me të cilin ishte i lidhur shpirtërisht. Gëzohesh si fëmija kur Partizani shënonte apo kishte rast shënimi. Më dukesh sikur ai njeri krejt shpirt fëmije kishte.

Dhe se më tej më dukesh se pikërisht ky tifoz i përgjigjej më së miri edhe emrit që mbante Partizani. Disi i mjerë, ndoshta i harruar dhe se me jetë kushedi cepeve të lagjeve të Tiranës dukesh se jetonte ky person. Ngjante tamam ashtu siç edhe kishte lindur emri “Partizan”, nga skutat më të errëta të kryeqytetit.

Më bëri përshtypje ai tifoz. Pasi Skëndërbeu shënoi në fund, të gjithë sigurisht që u mërzitën, por se ai tifoz e ndjente në shpirt si dhimbje atë gol të shënuar nga ana e korçarëve.

Ndërsa kishte edhe nga ata radikalë që më tej madje i dëgjoja të thonin “të bëhemi të gjithë bashkë ti rrahim korçarët sepse s’mund të vijnë ata në Tiranë të na rrahin”, ky tifoz e mbyllte dhimbjen në vetvete dhe se ashtu i qetë pajtohej dhimbshëm me realitetin e barazimit. Si gur në zemër i mbeti peng ai gol i pashënuar nga Rashiç, i cili kishte shans ti jepte fitore Partizanit, por e humbi penalltinë.

Në fund ngadalë u larguam turma-turma siç erdhëm dhe se ai tifoz mori udhën e tij. Njoha një tifoz që në sytë e mi më së miri pajtohej me emrin e klubit të cilin e mbështeste, pasi në të ishte bashkë varfëria, zemër e puls sinqeriteti.

tifozi