Kosova sot në ditë zie


PRISHTINË – Sot Kosova është në ditë zie, pasi presidentja Vjosa Osmani e shpalli të tillë, për shkak të vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

Situata sot paraqitet më e qetë në veri, ku u vra polici shqiptar dhe tre serbët e armatosur. Ndërsa, disa agresorë të tjerë serbë u plagosën e u arrestuan.

Situata në veri e qetë, serbi po merr trajtim në spital

Policia e Kosovës një ditë më parë u sulmua nga një grup i armatosur, teksa një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Pas aktit të rëndë terrorist, 30 serbë të armatosur u fshehën në Manastirin e Banjskës. Policia ftoi personat e armatosur që të dorëzohen, por ata vijuan rezistencën.

Efektivët njoftuan se janë vrarë tre agresorë, si dhe ka arritur të arrestojë dy serbë të tjerë. Gjithashtu, në pranga u vunë edhe dy persona, që dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin kriminal.

Një nga serbët e plagosur është dërguar në QKUK dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Të dielën, Policia e Kosovës arriti ta marrë nën kontroll Manastirin e Banjskës, ku sekuestroi edhe armatime. Politikanët e Kosovës dënuan ashpër sulmin dhe kërkuan që kriminelët të dalin përpara drejtësisë.

Lajçak flet për sulmin në Kosovë, nuk përmend fjalën ‘terrorizëm’

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak ka shkruar në lidhje me rastin e djeshëm që tronditi opinionin publik, ku një polic i Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos.

Lajçak nuk ka përmendur në asnjë rresht fjalën “terrorizëm”, ndërsa bën thirrje vetëm për “parandalimin e dhunës në veri”. Ai tha se akti burracak është jashtëzakonisht shqetësues.

“Sapo u ktheva nga NY këtë mëngjes dhe mora vesh për një sulm ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe në kundërshtim me parimet e paqes e të bashkëpunimit. Zemra ime është me viktimat, familjet, miqtë e kolegët e tyre.

Ky sulm i tmerrshëm thekson dhe më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, e nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së në Nju York”, shkruan Lajçak.

Ai shtoi më tej se ka biseduar këtë çështje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po diskutohet se cila mund të jetë forma më e mirë e një dialogu që do të sillte zgjidhje.

“Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit. Takova gjithashtu gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, për të diskutuar mbi dinamikat rajonale. Borrell organizoi gjithashtu një drekë tradicionale të Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar mesazhet tona për këtë javë në skenën globale. Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në dialog, mbajta diskutime strategjike me partnerët tanë amerikanë”, shkruan më tej Lajçak.

Lajçak vlerëson se ishte e mrekullueshme të ishe në Nju York, por se tanimë do të duhet të kthehet në Bruksel. Ai shtoi se në ditët në vazhdim do përpiqet të gjejë një rrugë sa më të mirë ndërmjetësimi.

Logo e Policisë së Kosovës shfaqet në Times Square

Sulmi terrorist që ndodhi të dielën, ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy efektivë të tjerë, ka bërë që edhe reagimet të jenë të shumta.

Në sheshin qendror të Nju Jorkut, në Times Square është shfaqur logo e Policisë së Kosovës. “Faleminderit heronjve të Policisë së Kosovës”, shkruhet në billboard.

Ndërsa në këtë billboard ishte edhe logo e UÇK-së dhe e FSK-së. Po ashtu, është shkruar edhe “Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”. Këto ishin fjalët e efektivit të vrarë të Policisë së Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. /Dionis Xhafa/

This entry was posted in Shkrime.