Urim për Vitin e Ri


 

 

Dionis Xhafa

Po Viti i Ri 2018 erdhi, festë është por unë festë nuk kam, më dëshpërojnë njerëzit që para nuk kanë dhe nuk kanë se çfarë të festojnë,

sot është dita e fundit e një viti të lodhshëm, një ftohtësi e madhe nëpër rrugë të Tiranës, ka polici dhe pak ngrohtësi familjare, paraja mungon thuajse kudo,

unë shoh zi, kombi në zi, ëndrra që nuk shfaqen më as si të errëta dhe as nën dritë të keqe e dashakeqe të fatkeqësisë, komb i djegur, me njerëz të ligë ku dhe e mira bëhet peng i së keqes,

gjithsesi, kam në dorë një gotë raki, edhe verë, edhe mish për të ngrënë, por s’hahen dot kur mendon njerëzinë dhe padrejtësinë, që këtu është plot, mos o Zot.

 

 

 

Qyteti i Veriut


 

Dionis Xhafa

 

Qyteti i Veriut ngrin më keq se ç’ngrijnë Himalajat në dimër, borë e bardhë dhe e dendur,

kurse shkrin si akullnajat në Polin e Veriut me një rrëmbim të ethshëm që nuk njeh limite,

e kështu qyteti shkrin dhe ngrin, ngrin dhe shkrin, me rrugët e lagështa nga dëbora e madhe,

mbushur me legjenda të lashtësisë, mesjetë e gjallë, para-histori, heronjtë qesharakë, të Qytetit të Veriut.

 

 

 

 

Mbi Artur Rembonë


Dionis Xhafa

 

Artur Remboja ishte një rebel i lindur, poeti i mallkuar që në mallkim ndriçoi, në qiellin blu që pak re ka,

si fiskajë në bukuri engjëllore, i ri i bukur dhe i rrallë, kaq shumë i pashëm dhe të ecte, udhëtonte dëshironte, nëpër rrugica dhe nëpër vende plot, kudo dhe kurdo,

“Ofelia” kryevepër e tij, njeriut që donte lirinë mbi të gjitha, një madhështi që rrokullisej në andrralla të mëdha dhe të shumta, si rruga e Qumështit, si ujdia e hënës së prapme, kudo ndër yjësi,

e sa lumturi, një hijeshi madhështore, galaktikë dhe univers mbi këtë tokë, mua më pëlqen, kur hapet dielli si shi maji, edhe ndritet si re e bardhë,

lëshohet ujëvara që lart nga mali, digjet, shuhet, ndritet, shtyhet, ylli i mëngjesit pranveror bie m’u në vend edhe shuhet e bëhet hi. Unë poezinë e dua, edhe parregullësinë, si ty Artur Rembo.

 

 

 

Një sy gjumë në grurë, në vapë


 

 

 

 

 

dionis xhafa1

Dionis Xhafa

 

Unë dua një sy gjumë në grurë, në verë dhe të mos më pickojë gjarpri,

madje do të guxoja edhe me kafshim gjarpri, po dhe po, mjafton të fle gjumë në atë vapë të mrekullueshme,

të dëgjoj këngë insektesh edhe gjinkallash, që jetojnë pak ditë të tyre, edhe vdesin, hyjnë dhe dalin papritur nga kjo botë,

unë e dua, një kosë ta kem përkrah, njeri të mos më prekë, një shishe ujë si jastëk, edhe të fle, të zhuritem derisa trupi të më bëhet ujë në djersë, në atë zheg, në atë vapë.

 

 

 

Vrasje


 

 

Vrasje

Dionis Xhafa

 

Një vrasje, është vrasje shumë e rëndë, kush e kryen është një kriminel i ndyrë dhe i pashpirt,

Shumë vrasje, mijëra vrasje, miliona vrasje, prodhojnë një njeri me shumë pushtet.

 

 

 

Forma të lirisë


 

 

 

 

Dionis Xhafa

 

Liria, në vendin e mbushur me humus të prishur dhe fosfor të shkatërrueshëm, doktorata në kraharor të derrit të majmë, është e zezë si vdekja e natës,

në forma të lirisë që kapërdihen në heshtje të mbrëmjes, e në forma të qiellta që thyejnë kristale, zhyten në dete të peshkaqenëve të mëdhenj, që dinë derrin ta bëjnë Sokrat dhe Sokratin derr ta bëjnë,

kurse liria është e zhytur përherë në trajta të egra të formës njerëzore, në ëndrra të zverdhta dhe shikim të mangët, si syri qorr që ecën rrëshqanjës, veç vallëzon në trajektore pa skaj,

ecën, flet, hesht dhe pëlcet në rrugën e madhe të pishtarit të djegur, se kush lirinë e kërkon, nëpër udhë dhe nëpër rrugë, ka trubullira të situatës së pistë, që çojnë në heshtje dhe mënxyrë.

 

Lirinë ta kërkosh me sytë e enjtur që lidhen me penj, si toreadori përballë demit edhe demi që sheh toreadorin, në mes të turmës që lëshohet, edhe flet në pllakosje të heshtjes,

e s’bën ndryshe të fitosh zgjedhjen, edhe malin edhe erën, edhe motin kur ndjen shije të pambarimtë si djegie e gjallë e kockës së prushtë në shtëpinë e përcëlluar nga ligësi,

e në kushte të korbave që vetëm ziejnë, marrin dekorata edhe ndriten, nëpër hone, nëpër forma, nëpër ngjyra gjithë çka lloj, nevojitet veç një dritë që nga këtu deri në qiell,

e një njeri mundet duhet, jo i zakonshëm, por perëndi, të jetë një i këtillë, që forma të ndryshka të lirisë, t’i çojë lart deri në qiell, si ndriçim që verbon sytë, një kurorë e Euriklesë.