Kur Gruevski del lakuriq


Dionis Xhafa

Ish-kryeministri Nikola Gruevski, aktualisht nuk është në krye të Qeverisë së Maqedonisë. Por, hija e tij është e rëndë në shtetin maqedonas. Edhe pse për momentin nuk është kryeministër, Gruevski ka pushtetin e vërtetë. Kreu aktual i qeverinë në Shkup, Emil Dimitriev është kukull, sa për të kaluar trubullirat e krijuara. Gruevski është lideri i vërtetë. Ai e ka forcën, pushtetin dhe ka krijuar sistemin në mbarë Maqedoninë. “Shkupi 2014” është projekti famoz i projektuar nga Gruevski; dhënia e përparësisë e zonave të banuara nga maqedonasit, është projekt i Gruevskit.

Jo vetëm kaq, por burri shtatshkurtër me tipare të diktatorit, ka shtënë në dorë mediet, duke i përdorur ato si makineri propagande gruevskiane. Së fundmi, u shfaq një video, ku truproja i Gruevskit, godet një qytetar në zonat e përmbytura, thjesht pse ky kishte pakënaqësi ndaj pushtetit të Gruevskit dhe shau ish-kryeministrin. Mediet kamikaze maqedonase, të kontrolluara nga pushteti gruevskian, nuk e transmetuan ngjarjen, për rrjedhojë dhunën e pushtetit.Ata e fshinë, e harruan dhe i “thanë” qytetarëve se kjo ngjarje kriminale e kanibale nuk ka ndodhur. Mediet bullgare, të shtetit “armik” të Gruevskit, e transmetuan ngjarjen çnjerëzore. E çfarë duhet më shumë për të thënë se Gruevski me këtë veprim dhe të tjera si ky, i ngjan si dy pika uji diktatorëve dhe shpirtkatilëve të tillë si Millosheviçi, Tuxhmani e Mlladiçi.

Mendja gruevskiane nuk është vetëm. Atë mendje e mbështesin inxhinierët e statujave, arkitektët e projekteve të ethshme etnike, ekonomistët që thonë se Maqedonia është parajsë, e deri gazetarët, si letër higjenike. Të gjithë këta punonjës të shtetit, kanë zgjedhur rehatinë përpara të vërtetës. Nikola Gruevski i izoluar vazhdon të shpallë armike të gjitha shtetet fqinje dhe të rrudhet në hollin e vet.Ai nuk ndalet me fuqinë e pushtetit. Gruevski iu përket atyre liderëve që shohin te ndërkombëtarët “të ligun”, “të keqin”, pa guxuar kurrë të bëjnë autokritikë. Kjo sepse Gruevski është i interesuar të rrisë pushtetin e vet. Gruevski vijon të mbetet “koka e sistemit” politik në Maqedoni. Ai është “koka e sistemit” mjeran të “kombit të lashtë e të ndriçuar maqedonas”.

Diktaturë me kufij të hapur


Dionis Xhafa

Diktaturat e ndërtuara në shtetet e botës kanë diçka të përbashkët: mbylljen e kufijve. Shqipëria nga vitet 1945-1990 i mbylli kufijtë dhe kështu vepruan disa shtete të Evropës Lindore. Kjo gjë ndodh sot në Korenë e Veriut. Kufijtë mbyllen për shkakun e thjeshtë që në atë vend të mos hyjnë ndërkombëtarët, e kështu liderët vendorë nuk dalin në gjykatë, edhe pse kanë kryer krime të rënda. Diktaturë është edhe Turqia sot. Mirëpo, kufijtë i ka të hapur. Përse ndodh kjo? Si ka mundësi? Erdogani po ashtu do vijojë të bëhet gjithnjë e më shumë diktator, pasi përndryshe do të përgjigjet përpara drejtësisë, për krime, arrestime të popullatës dhe korrupsion. Por, Erdogani qëndron në pushtet dhe po e rrit gjithnjë e më shumë pushtetin e popullaritetin në shtetin turk. Kjo, duke pasur një popull në masë budalla.

Erdoganin e mban në pushtet hipokrizia dhe gjithashtu islami, fe të cilën e përdor për të rritur pushtetin personal. Të tilla gjëra dihen tanimë. Dihet gjithashtu edhe se Erdogan është thuajse diktator e se dallimi nga Enver Hoxha është se lideri turk ka parime gjoja të djathta. Por, le të ndalemi te fakti se në Turqi sot ka diktaturë me kufij të hapur. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që SHBA-ja dhe BE-ja nuk e nxjerrin Erdoganin në gjyq ndërkombëtar për veprat e liga, siç ka ndodhur me Slobodan Millosheviçin? Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e dërgojnë Erdoganin në gjyq ndërkombëtar, do të thotë se këto organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë janë bashkëfajtorë për diktaturën erdoganiste. Andaj, nëse SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë të bardha e të pastra në faqe të botës, do të duhet ta çojnë Erdoganin në sallë të gjyqit, për të dhënë llogari për krimet e tij pushtetare.