Droni shqiptar si makth i serbëve


Nga Dionis Xhafa
“Droni shqiptar” që fluturoi mbi kokat e futbollistëve dhe tifozëve të pranishëm në stadiumin “Partizani” në Beograd, ishte përpos tjerash një mesazh simbolik i mrekullueshëm.
Droni ishte mesazhi se nuk ka sesi tifozët e pranishëm në stadium, që të gjithë serbë të jenë më të civilizuar se të gjithë shqiptarët. Droni ishte mesazhi, sidomos për institucionet e shtetit serb, se është absurde ideja se nga ai stadium duheshin “përjashtuar” shqiptarët, pasi që “vetëm kështu mund të shmangej dhuna”.
Droni po ashtu ishte mesazhi se nuk ka sesi të jetë më i civilizuar Bogdanovi me shokët e tij, më tepër se shumë shqiptarë. Siç edhe rrodhën ngjarjet, u dëftua se racizmi dhe dhuna mund të ishin të pranishme edhe me vetëm serbë në stadium. U dëftua po ashtu se homogjeniteti etnik i pranishëm në stadium (në rastin konkret serb) aspak nuk do të thotë ta shmangësh dhunën. Madje, përkundrazi ideja sipas së cilës “me shqiptarët në stadium ka dhunë” është diskriminim i pastër etnik i autoriteteve të Serbisë.
Një dron, fjalë kjo aq pak e dëgjuar deri pak para ndeshjes, u bë simbol “heroik” ndër shqiptarët dhe u konsiderua “provokim” nga ana e serbëve. U përdor aq shumë fjala “provokim” në Serbi apo “provokacja” në origjinal, saqë të thuash se u shndërrua në një tallje gjithëpopullore shqiptare.
Fjala “provokim” nga serbët nuk u përdor vetëm nga qytetarë të thjeshtë të Serbisë, por edhe nga mediat serbe dhe më keq akoma deri edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit serb. Kjo është dëshmi e faktit se droni serb në qiellin e Beogradit u shfaq si makth edhe ndër mediume dhe zyra të Serbisë, kur në fakt ishte veçse një dron, që as e cënonte askënd.
E, në vazhdë të të gjithë asaj që ndodhi në Beograd shto këtu edhe faktin se Shqipëria fitoi tre pikë në tavolinë përkundrejt Serbisë duke e lënë atë jashtë Europianit, makthi ndaj dronit shqiptar u bë vetëm një përrallë që tregohet ndër serbë.
Së fundmi u raportua se një serb ishte kapur në Qafë-Thanë teksa fuste brenda Shqipërisë dy dronën dhe dyshimet e para lidhen me atë se serbët mund të jenë përgatitur të na bëjnë ndonjë “surprizë” në Shkodër, mund ta hedhin ndonjë dron, sikundër vepruam ne në Beograd.
Ky është vetëm dyshim për ngjarjen në fjalë. E vërteta për tërë kompleksitetin e ngjarjes është se gjuha, sipas së cilës droni qenka problemi, e përdorur gjërësisht nga politikanë serbë, është vetëm retorikë boshe nacionaliste. E vërteta është se problemi është racizmi, dhuna dhe sjelljet agresive. Ishin të gjitha këto ata që sollën edhe humbjen e Serbisë në tavolinë kundër Shqipërisë dhe si rrjedhojë fundosi shpresat e serbëve për të qenë në Europian. Droni nuk është problemi. Droni është vetëm retorikë boshe nacionaliste serbe e ngritur deri në nivel institucional në Serbi.
Andaj, me rëndësi është që mos përdoren thirrjet raciste dhe as dhuna. Kultura dhe mikpritja, qoftë edhe ndaj serbëve, në “kryeqendrën e Veriut” na bën më patriot, më krenarë se jemi shqiptarë. Andaj, që mos jemi njëjtë si serbët në Beograd, nuk duhet përdorur asesi dhuna, as racizmi, as diskriminimi etnik.
Gjithashtu, as mos e fishkëllejmë himnin serb, të mos gjuajmë me sende të forta në fushë apo të mos provokohemi ngaasgjë që ndodh në fushën e blertë.
Ky do të ishte patriotizmi më i pastër dhe dhurata më e bukur e gjithësecilit prej nesh përkundrejt Kombëtares sonë.

Kosova si Bosnja?!


nga Dionis Xhafa

Kosova mund të “bosnjëzohet”. Republika më e re në Ballkan mund të “ndahet më dysh”. Këtë fat mund tia “japë” Asocacioni i Komunave Serbe. E thonë media vendase, por edhe të huaja. Këto të parat ndoshta nuk janë aq të besueshme, por të dytat (mediat e huaja), duke qenë se e shohin realitetin “nga lart” janë më racionale dhe për rrjedhojë janë më të besueshme. “Bosnjëzimi” i Kosovës theksohet nga Lëvizja Vetëvendosje, akademiku i njohur Rexhep Qosja, si dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Daniel Server. Bosnja sot, e dalë nga luftë e rëndë në vitet e 90-ta është ndër republikat më të dobëta në Ballkan, e përcarë, me problem etnike dhe me vetë funksionimin e shtetit si njësi, që duhet të funksionojë në mënyrë unike në të gjithë territorin. Ndarja e Bosnjës, ku një pjesë e mirë e saj i është dhënë edhe serbëve, fajtorë për luftën, vetëm sa e ka rrënuar, destabilizuar dhe e ka gjunjëzuar shtetin boshnjak. Bosnja ngjan tepër me Kosovën. Të dyja republikat kanë kaluar luftëra të përgjakshme. Në të dyja rastet fajtorë serbët. Këta të fundit (serbët) sikurse dhëmbëza janë futur në trupin e Bosnjës së brishtë dhe sot kërkojnë të hyjnë edhe brenda trupit të shtetit të Kosovës. “Bosnjëzimi” i Kosovës do të ishte fakt i rëndë, ndaj realitetit të pakompromistë të pavarësimit të shtetit më 2008. “Bosnjëzimi” i Kosovës është oreks i Serbisë për të gllabëruar sa të mundet. “Bosnjëzimi” i Kosovës është destabilitet për këtë shtet, në mos lëkundje e shkundje, sikundër është i tillë edhe për rajonin. “Bosnjëzimi” i Kosovës do të thotë triumf i politikës dinake serbe. Ndarja më dysh e një republike të mëvetësuar tanimë, vetëm sa e dobëson atë, e përcan dhe ia c’oienton të ardhmen. “Bosnjëzimi” i Kosovës do të ishte fatal!

Të ringjallësh Hitlerin


Nga Dionis Xhafa

Thonë që nga historia duhet mësuar, me qëllim që e shkuara e dhimbshme, e tmerrshme a tragjike të mos përsëritet.
Sa duket, parim i tillë “thyhet në mes” nga djemtë e Agimit të Artë, parti politike kjo me tendenca të qarta për të qenë organizatë terroriste. Në mos është e tillë. “Agimi i Artë” është parti politike greke, ku llumi i ideologjive më të mbrapshta të ngritura si sisteme, sa duket është mbledhur i tëri në disa njerëz, që kanë bërë bashkë neo-nazizmin, fashizmin, racizmin e ksenofobinë.

Dhunë, gjak, krime
Dhunë, hekur, gjak, krime si plagosje e deri në vrasje. Huliganizma, dhunë ndaj pakicave etnike e prapë dhunë e vrer ndaj emigrantëve.
Më tej, vrasje e therrje në futboll, kërcënime LIVE e grushta në parlament. Ky është “Agimi i Artë”, partia që siç e ka të shënuar edhe në emër, është agu i parimeve që kishin perënduar së bashku me mposhtjen e nazizmit dhe të fashizmit në Evropë.
Është nazizmi modern, që lind si diell i zi, e që kudo rrezaton veç mëri, skëterrë, barbari, marrëzi e llahtari. “Djemtë” e Agimit të Artë, veshur me rroba të zeza janë aty, në Greqi, në vendin e konsideruar se ka lindur demokracia, ku supozohet se filozofët e lashtësisë rroknin mendime si e si të mund të përsosnin sistemin demokratik.
Këta “djem të zinj” ndodhen në mes të Ballkanit, në zemër të Evropës, si gjak i keq që pulson në trupin e kontinentit të vjetër. Djemtë e “Agimit të Artë”, janë ata që nuk kanë turp, që më 2015-tën, të veshin bluza të zeza me simbole naziste me kryqe të thyer, që ngrihen mbi “flamuj krenarë” mbi shtiza të gjata.

Nazizmi është gjallë
Hitleri nuk ka vdekur. As Duçja, as Metaksa. “Vepra” e tyre është bursa drejtuese e “Agimit të Artë”. Ata janë frymëzimi i partisë neonaziste, shpirti dhe zemra. Një nga militantët e partisë, Elias Kaseliaris shkruante në revistën e organit partiak se Hitleri ishte “reformator i madh” si dhe “gjeni i rrallë” ushtarak. E frikshme ta mendosh se personi në fjalë nuk është trembur ta shkruajë diçka të tillë.
E më tej, çmenduria e partisë në fjalë nuk njeh limit. Njëlloj si teza nazizte e “racës superiore ariane”, edhe “Agimi i Artë” njëjtë shkruan në program se “kultura e lashtë greke do të jetë dominuese në Evropë dhe se ajo do të vendosë për fatin e kombeve”.
Neonazizmi si ideologji nuk ka prekur vetëm Greqinë, por edhe shtete të mëdha evropiane, teksa partitë e ekstremit të djathtë sidomos, po fitojnë terren çdo ditë e më tepër. Të ngresh në qiell diktatorët, vrasësit, ata që për ideologji të presin e të bëjnë copë e çikë, bash këtë punë e bën “Agimi i Artë”. Ideologjitë më të zeza që ka njohur historia, krimet më të kobshme të kryera nga dora e fashistëve, nazistëve dhe diktatorëve komunistë, janë rehabilituar në një parti, e cila “përkushtohet të ndjek me kujdes” këto lloj idesh gjakatare.

Fantazma e “Greqisë së Madhe”…
Sa duket, ka shumë të vërteta në teorinë, se një komb që e konsideron veten “të shenjtë”, “superior” apo të tilla superlativa, e që i shohin kombet e tjera si “inferiorë”, si të “denja për tu mposhtur”, kanë gjasa të zhvillojnë ide raciste, ksenofobe e deri kriminale.
Kështu ka ndodhur me serbët, që duke u vetëquajtur si “komb i shenjtë” apo duke himnizuar sikur “Serbia është shtet i drejtësisë”, i ngritën aq shumë këto mite, sa shkaktuan trazira, përgjakje, vranë e prenë kombasit e tjerë.
Kështu, njëjtë është e rrënjosur edhe te “Agimi i Artë”, ideja se “kombi grek është i shenjtë dhe ai duhet të vendosë për fatet e çdo kombi”. Partia neo-naziste greke po ashtu e ka të rrënjosur idenë e “Greqisë së Madhe”, gjë që është praktikisht oreks “për tiu ngrënë fqinjve territor”. Fantazmë e “Greqisë së Madhe” dhe fakti se shteti grek duhet të jetë i pastër etnikisht bën që militantët neonazistë grekë të sillen agresivë ndaj të huajve, emigrantëve, të bërtasin aq fort sa të shurdhojnë veshët. Tamam si ajo ena bosh, që hiç gjë s’ka brenda, por kur rrëzohet, trazon një lagje të tërë.

Neonazistët, si shpatë mbi qafën e emigrantëve
Aktualisht, në kohën që Greqia po përballet akoma me pasojat e një krizë të thellë ekonomike, tërë helmi e vreri racist i “djemve të Agimit të Artë” bie mbi emigrantët.
Këta të fundit, të ndjerë ashtu si në dhe të huaj, rendur pas fitimit të gjëplaçkë në shtetin helen, iu duhet që mbi shpinë të mbajnë poshtërimin, vrerin dhe të zezat e militantëve të partisë në fjalë.
Një i afërm që jeton dhe punon në Greqi, më tregonte se racizmi i “Agimit të Artë” rëndon sikurse një shpatë mbi qafën e emigrantëve, sidomos mbi shqiptarët.
Sikur të mos mjaftonte fakti se kriza e ka bërë të vështirë jetesën për emigrantët, këta të fundit do të duhet të përballen me racizmin, përjashtimin dhe moralin e mbrapshtë se “nëse nuk je grek nuk mund ti kesh privilegjet tona” e për rrjedhojë të pranosh fyerjet dhe tendencën për nënshtrim.
Tendencë e tillë të kujton shprehjen se “njeriu për njeriun është ujk”.
Nëse je njeri i mirë apo i keq nuk të përcakton fakti se je shqiptar, grek, afgan, biznesmen apo i papunë. Të jesh kundër njeriut thjesht për faktin se tjetri i përket një tjetër etnie, race apo besimi, është e tmerrshme. Gjuhë e veprime të tilla minojnë paqen dhe fyejnë dinjitete njerëzore.
Gjuhë e veprime të tilla janë si shpatë e Demokleut, që qëndron mbi qafë të emigrantëve dhe sa më tepër ka njerëz që besojnë të tilla ide, aq më tepër afrohet shpata drejt qafave të tyre.
Siç thotë Eco, ajo që ka lindur në Lindjen e Mesme e që quhet ISIS është nazizëm i ri, organizatë e cila ka dhe shoqet e saj në Evropë e gjetiu.
Duket sa qesharake në teori, por kaq tragjike në praktikë në atë se “paskan lindur njerëz që besojnë se ata duhet të vendosin për fatet e kombeve”.
Thuhet se “mjerë ai vend që ka nevojë për heronj”, e ndërsa në rastin konkret është të lemerisesh, të llahtarisesh, që njerëz kryekëput të zinj, që duket sikur kanë ringjallur Hitlerin nga varri, hiqen si “heronj” dhe “të plotfuqishëm”.
Realiteti që servir “Agimi i Artë” është tragjedi e kohëve moderne, ku personazhet në skenën politike duartrokiten nga spektatorë që kanë të zhvilluar racizmin, urrejtjen e dhunën. Aktet e partisë në fjalë bien sidomos mbi emigrantët shqiptarë.
E, se nuk dihet sa do të zgjasë roli i politikanëve të “Agimit të Artë” e se kur maskë e tyre do të çirret…

Shkupi, “Rripi i Gazës” në Ballkan


Nga Dionis Xhafa

Do të nisesha nga Tirana në Shkup. Qielli i kryeqytetit shqiptar sapo kishte nisur të nxihej, për tia lënë vendin një errësire. Këta ditë moti kishte qenë i paparashikueshëm, herë me shiun litar dhe herë me një diell tepër të fortë. Shiu i kohëve të fundit, përzier me vapën e tmerrshme, kishin krijuar kësisoj një natë verore me avull, sa të dukej se të shponte poret e lëkurës. Fundja, të tilla ishin shumica e netëve verore në Tiranë. Pikërisht në një natë të tillë më qëlloi që të nisem për në Shkup.

NISJA
Ora shënonte 18.30 minuta. Ndodhesha pranë qendrës së Tiranës. Pikërisht në atë vend ku nisen autobusë për në Shkup, Tetovë, Prishtinë e gjetkë, në qytete të rajonit dhe të botës, ku banojnë kryesisht shqiptarë. Aty pranë stacionit të autobusit po pija kafen e fundit, përpara se të nisesha drejt kryeqytetit të Maqedonisë. Këtë vend, ku po pija kafen e njihja shumë mirë, për shkak se aty afër, pranë “Cirkut të Tiranës”, kisha përfunduar gjimnazin. Thuajse çdo herë, pasi mbaroja shkollën, në këtë vend shihja plot njerëz, përgjithësisht shqiptarë të ardhur nga Perëndimi dhe që iknin drejt shtëpive të tyre. I kisha dëgjuar teksa flisnin me dialekt verior dhe se e dija shumë mirë se ishin shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo vise të tjera të banuara nga shqiptarët. Qysh në atë kohë e kisha patur një kureshtje të brendshme ti njihja këta njerëz nga afër, ndoshta të dija diçka më tepër për fatin e tyre. E, sot, kisha vendosur që këtë kureshtje ta shuaj sadopak.
UDHËTIMI
Shoferi nis zakonin e përhershëm që e kishte në të gjitha udhëtimet, atë që thërriste emrat e pasagjerëve. Pas këtij rituali, rrotat e automjetit fillojnë të lëvizin. Nga dritarja shoh edhe njëherë Tiranën, teksa lëmë pas monumentet dhe statujat e pakta të saj. E lëmë pas statujën e Hasan Prishtinës, të Skëndërbeut, më tej “Opera-n”, “Sahati-n” dhe ndërtesat e bashkisë. Njerëzit, të cilët sapo kishin nisur të mbushnin lokalet e Tiranës, sa vinin e më bëheshin si silueta. Atëherë, e shqis shikimin nga jashtë dritares dhe kështu nis udhëtimi. Udhëtarët fillojnë të flasin shqip me një theks të gegërishtes, të përafërt me atë theks që e kisha folur në fëmijëri, për shkak se isha rritur në një zonë kufitare të Shqipërisë Veriore. Por jo të gjithë pasagjerët flisnin shqip. Në atë autobus ishte krijuar një “koktejl” i vërtetë i kulturave dhe i origjinave të njerëzve që po udhëtonin. Unë isha nga Shqipëria, kishte shqiptarë nga Maqedonia, një çift spanjoll, një tjetër çift me djalin shqiptar dhe vajzën italiane, si dhe vajza për karshi meje që fliste shqip, bullgarisht dhe anglisht. Në një ambjent të tillë kaq të vogël, komunikimi me njëri-tjetrin ishte i pashmangshëm. Një djalë përpara meje, me siguri për të hyrë në muhabet për të shtyrë rrugën, më thotë: “Nga je ti? Nga po shkon?”. Ia ktheva se po shkoja në Shkup. E ndërsa i shkoi ndërmend se mund të isha emigrant që kthehesha në vendin tim, i thashë që thjesht po e vizitoja Shkupin, për ti parë statujat e saj, muzeun, lagjet e banuara nga shqiptarët, lagjet e banuara nga maqedonasit…Aty edhe ai “shpërtheu”: “Po e di, i ka ngrit’ Nikolla do statuja sllavishta m’u në qendër. S’po i do hiç shqiptarët”, më thotë. Sa duket ajo ç’ka i thashë i shërbeu si një aperetiv, pasi pas kësaj filloi të flasë edhe për politikën, duke më thënë se si Ahmeti si Thaçi ishin në shërbim të sllavëve. E, aty i them se i ndjek zhvillimet politike dhe e pyes drejtpërdrejt: “Zgjedhjet e fundit, për kënd votove, për Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin?” Më përgjigjet se kishte votuar për Alinë, por se “kurrë më s’do ta votonte atë”. Pas kësaj, i shtova se kam vënë re “fenomenin e çuditshëm” se thuajse të gjithë shqiptarët e Maqedonisë e shajnë Ali Ahmetin dhe nga ana tjetër e votojnë. Këtu mu “përgjigj” me buzëqeshje, sikur të thoshte se “as vetë s’ia dinte përgjigjen “fenomenit” në fjalë. Bashkëudhëtari im, më tregon më tej edhe historinë personale, duke më thënë se ishte emigrant në Gjermani, se mbante familjen dhe se kishte një baba dhe një nënë në shtëpi. Nëna dhe babai tanimë i ishin plakur dhe i kishin sugjeruar të gjente një nuse, me qëllim që kjo e fundit të kujdesej për prindërit e tij. Pasi e dëgjoj me vëmendje historinë, i them: “Po mirë e kanë prindërit. Pse mos të marrësh nuse”. Madje, i shtova se “i njëjti problem” vlente edhe për mua, por se dallimi ishte se nuk e kisha presionin e prindërve. Djali emigrant, me trup të lidhur, qeshi lehtë dhe më tha se donte të merrte një nuse gjermane, dhe me shaka shtoi se me siguri që kur të kthehej në shtëpi, nëna ia kishte gjetur nusen.
Pas bisedës së këndshme me këtë djalë, autobusi afrohet pranë doganës së “Qafë-Thanës”. Aty u vonuam disi. Pasi na mblodhën pasaportat, disa nga ne, më tepër të rinjtë, i thërrisnin për pyetje në prani të policisë kufitare. Siç duket, emigrimi masiv i shqiptarëve drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera perëndimore kishte bërë që në kufi të mirreshin masa të rrepta. Mua më thirrën dy herë në pyetje, si pala shqiptare, ashtu edhe ajo maqedonase. Asnjë polici nuk i besohej se do të rrija vetëm për pak kohë në Shkup, thjesht për ta parë atë. Iu përgjigja edhe pyetjeve paksa të çuditshme, si nga isha, ku punoja etj. Paksa çudi më bëri fakti se edhe policët maqedonas flisnin shqip, të përafërt me atë shqipe që e flasin shqiptarët e Maqedonisë.
Pas kontrolleve, kalojmë kufirin. Vajza për karshi dinte shqipen dhe bullgarishten, jetonte në Sofje dhe e njihte shumë mirë zonën. Ajo më ktheu përgjigje për shumë pyetje kurioze që i kisha rreth qyteteve që i kalonim. Kaluam me rradhë Strugën, Ohrin, Gostivarin. Ajo që binte në sy ishte fakti se në të gjitha qytetet kishte një farë planifikimi urban dhe shtëpi 2-3 katëshe apo blloqe pallatesh, që estetikisht të kënaqnin syrin. Por, se rruga të ngjante, sikur të jetë një kanal i madh, sikur i kishin çarë malet dhe kodrat më dysh. Për më tepër nuk kishte as drita në pjesën më të madhe të rrugës. Një situatë e tillë, pra rrugë pa drita, e shihje si në pjesën e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Maqedonisë. Mu duk sikur ky fenomen ishte shenjë se po kalonim përmes rrugëve të dy shteteve të dobëta, të pakonsoliduara sa duhet. Gjithsesi, autobusi ecte dhe ne pasagjerët ishim të dërrmuar. Kishim lënë pas kilometra të tërë dhe disa qytete. Më në fund, po i afroheshim Shkupit. Nga dritarja ime vë re kryeqytetin e Maqedonisë. Duke qenë se ishte natë, Shkupi ngjante nga larg tepër i madh dhe i ndriçuar, aq sa në horizont ata drita të dukeshin si xixa, si yje. E kisha patur idenë se Shkupi ishte qytet tepër i madh krahasuar me qytetet e tjera të Maqedonisë dhe kjo më rezultoi thuajse e vërtetë. Kjo do të thotë se Maqedonia është realisht shtet i dobët, pasi që shtetet që e kanë kryeqytetin e stërmadh në përmasa, qendër politike, ekonomike dhe kulturore, në të shumtën janë të dobët. E kësisoj, e dija se ata drita që dukeshin nga larg si xixa, si yje, ishin thjesht fasadë, shkëlqim pa brendi, pamje më tepër e rrejshme. Ndërkaq, nga sipër qytetit, dukesh edhe kryqi i ndriçuar mbi malin Vodno, për të cilin kisha dëgjuar. Edhe autostradat e gjëra, të ndriçuara në disa pjesë të tyre, të asfaltuara mirë, po i shihja me goxha dyshim. Së pari, sepse më dukej se në ato autostrada ishte shpenzuar para publike pa fund, duke rënë pesha mbi qytetarët e thjeshtë dhe të varfër dhe e dyta, sepse më dukeshin realisht si vepra për tiu mbushur mendjen të huajve se “Shkupi është kryeqytet evropian”. E, kjo dukesh fare mirë, pasi fill pasi e kaluam autostradën, autobusi ndoqi një rrugë “qorre” për nga disa varreza, poshtë rrugës kryesore dhe vetë automjeti nisi të “rropatej” nga rruga e shtruar me beton të varfër. Këtu mendova se “Ja, kjo është Maqedonia e vërtetë”. Pas kësaj, autobusi hyri brenda në qytet dhe më la në lagjen e banuar nga shqiptarët, në Çair.

NË SHKUP
Autobusi më le tek lagjia e banuar kryesisht nga shqiptarët, në Çair. Ora ishte diku 3:30 pas mesnate. Qetësi. Rrallë ndonjë njeri shihje në qytet dhe pak makina që lëviznin. Sapo bëj pak metra në këmbë, shoh dy persona që bisedonin me njëri-tjetrin. I pyes se çfarë etnie kishin dhe më thonë se ishin shqiptarë. Iu them të më tregojnë qendrën dhe me gisht më tregojnë se duhet të ecja rrugës drejt. Vura re në sytë e tyre pak emocion në momentin që iu thashë se sa erdha nga Tirana. Sa duket, çdo shqiptar që vinte nga Shqipëria iu krijonte një emocion të tillë. Pasi përshëndetemi, eci drejt për në qendër të qytetit. Isha aq kurioz ta shihja qytetin, edhe pse ende nuk kishte zbardhur. Vë re në ecje e sipër se lagjet e banuara nga shqiptarët, por edhe nga pak turq e romë, ishin në gjendje të mjeruar e të lëna në mëshirë të fatit. Ndërkaq, në qendër e andej ishte ndryshe. Aq i ytshëm me kuriozitet isha, saqë edhe pse ora ishte fiks 04:00, doja ta shihja qytetin edhe në anën tjetër, ku banonin kryesisht maqedonasit. Vërej një ndryshim drastik. Në anën e banuar kryesisht nga maqedonasit trotuarët ishin më të rregulluar, lokalet me kushte më të mira, tamam siç do të më thoshte më vonë një shkupjan i vjetër, ishte sikur shtet tjetër. Vetëm pak pashë nga pala maqedonase në të aguar, pasi një lloj frike e vogël, më shumë nisur nga atmosfera, disi e pezullt, sikur ndihej në ajër se nuk kishe siguri nëse ndonjë maqedonasi apo më keq akoma, ndonjë grup prej tyre, i shkrepesh e mund të të sulmonte. Megjithëse nuk më ndodhi asgjë, ishte e pranishme një si atmosferë jo aq e ngrohtë. Kështu, iki nga lagjia e maqedonasve pa e vëzhguar të tërën dhe shkoj tek dyqani “Marigona”, aty ku më kishte lënë autobusi i Tiranës. Aty bisedoj me një burrë, shkupjan i vjetër, që quhej Hazbi Hajdini. I thashë se kalova nga ana maqedonase pasi isha kurioz ta shihja e më tha të kisha kujdes sepse për të, maqedonasit nuk ishin paqësor. Si rast, më përmendi rastin se parmbrëmë tifozët e ekipit maqedonas të Vardarit kishin sulmuar tifozët shqiptarë të FC Shkupit. Tek ekipi i fundit, Hazbiu kishte edhe djalin futbollist. “Ata të rrahin dhe fajtori del ti”, më tha. Më tej folëm për politikën dhe më tha se më mirë kishte qenë në kohën e Titos sesa tani, duke e argumentuar këtë me atë se atëherë më kishte barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ndërkohë që sot dallimet janë shtuar. Duke “e prekur” në çështje politike të fundit, me qëllim për të marrë mendimin e një njeriu, që megjithëse i thjeshtë në jetën e tij, i kishte idetë të paimponuara nga askush. Më tha se “Kumanova” ishte rast i mistershëm, se Gruevski, Zaevi, Ahmeti e Thaçi nuk e duan as BE-në dhe as NATO-n, për shkak se duan të vjedhin. Më tha se heronjtë e Maqedonisë ishin ngritur më tepër se ç’duhet, se shqiptarët nuk dhunonin maqedonas dhe se e anasjellta ndodhte. Me këtë burrë bisedova derisa agoi.
BASHKËJETESË E (PA)MUNDUR?
Me aq sa munda të shoh në tërë Shkupin, besoj se në këtë qytet të Ballkanit mund të ketë paqe mes etnive, mes asaj maqedonase, shqiptare, vllahe, rome, turke e serbe. Por, se faktori kryesor që e pengon bashkëjetesën është politika që i fryn jo pak zjarrit të nacionalizmit. Këtë mund ta shpjegoj përmes dy momenteve që kalova në Shkup. Tek “Çarshia”, në një nga ata dyqane të drunjta që shërbenin ushqime dhe pije, të punësuar ishin një maqedonas, një shqiptar dhe pronari po ashtu një tjetër maqedonas. Ndërkohë, aty, përveç meje, u ul edhe një familje rome. Kamarieri ishte maqedonas dhe më sherbeu si mua, ashtu edhe familjes rome. Pa i hyrë pjesës se ç’interesa apo ç’hesape luheshin mes shqiptarit dhe maqedonasit që punonin në lokal, në dukje ato ngjanin se shkonin mirë dhe kuptoheshin fare mirë. Tjetër rast që konstatova, ishte se në mesin e shqiptareve në Çair, ndohesh edhe një maqedonas, por se i këputur ekonomikisht dhe më ngjante se paqja dhe toleranca, aq sa ekzistonte, më tepër dëshmohej tek qytetarët e varfër. Pasi pashë disi tolerancë mes qytetarëve dhe kjo e vakët, nga “Çarshia” lëviz për në qendër. Prisja të më dilnin përpara statujat gjigande pasi kisha dëgjuar për to. Dhe, vërtetë që ashtu ndodhi. Por, se statuja e parë që më zunë sytë ishte një statujë aq gjigande sa gati mu “errrësuan” sytë nga ç’po shihja. Statuja ishte aq e madhe, sa në krye kishte një burrë të stërmadh dhe më poshtë nja tre burra të tjerë më të vegjël. Pas kësaj, mu shfaqën rresht disa statuja, e ngjante se kishe ardhur në “qytetin e statujave”. Më tutje, një vinç po “hante” rërën e Vardarit. Aty dëgjoheshin teksa bënin zhurmë lopatat, kazmat e gjithëçfarëlloj mjetesh pune, që përpiqeshin të çonin deri në fund projektin “famoz”, “Shkupi 2014”. E kisha imagjinuar marrëzinë, por po të gjendeshe aty vërtetë thoje se ç’ka kishte bërë Gruevski ishte marrëzi e kaluar marrëzisë: Statujë pas statuje, që përfundonte me një njeri të madh hipur mbi kalë, Aleksandrin e Madh. Në fakt, ashtu si Aleksandri ngjante krejtësisht dhe me siguri që pushteti ka dashur të dëftojë pikërisht këtë. Por, tinëzia dhe dinakëria e Gruevskit shkon aq larg, saqë atë statujë nuk e identifikonte të ishte Aleksandri, por një “burrë që lufton”, pra si një “luftëtar i panjohur që bën luftë heroike”. Në çast, mendova se e tërë bashkëjetesa e pakët etnike dhe fetare që ekzistonte, dashuria, harmonia dhembshuria, njerëzorja, rrënohej me vinçat që ndërtonin statuja të pafunda. Ata statuja e groposnin përbindshëm çdo lloj paqeje, tolerance dhe kishin vetëm iniciale të dhunës. Mendova përnjëherë Gruevskin, xhuxhin nacionalist e primitiv të Maqedonisë, atë që e shkatërronte thesarin e mundshëm të Maqedonisë, tolerancën etnike. Mendova Ali Ahmetin, që siç më tha një burrë i varfër tek “Çarshia” është një pazarxhi me të drejtat e shqiptareëve, që ishte komandant i luftës dhe u nxi në paqe. E kisha imagjinuar Gruevskin si mini- diktator, si njeriun që në shekullin e lirive dhe të globalizmit, kishte rrënjosur në Shkup një mendësi nacionaliste sa tragjike, aq qesharake. E, mendoja se deklaratat e tij për paqe mes etnish janë veçse për shfaqje, si fasadë që nuk ka asnjë të vërtetë, më ngjante krejt “i çmendur”, “i marri i shekullit të ri”. Gruevski është ai që thotë se dëshiron ti ngjajë Alexis Tsiprasit e që në realitet, me atë nacionalizëm mono-etnik maqedonas, i afrohej vetëm një lideri ballkanik si Millosheviçi. Gruevski, ja fytyra e mënxyrës në Shkup. E, së bashku me të me soj e sorollop shqiptar që i bashkangjiten politikës së marrë e krejt arrogante e shpërfillëse ndaj shqiptarëve.
Aty, në tokë drejt qiellit ngriheshin statuja gjigande, ndërkaq që ngjante sikur atje lart, në qiell, ndodheshin dy fantazma politike, që e kishin krijuar projektin “Shkupi 2014”. Ishte fantazma Gruevski dhe Ali Ahmeti. I pari, që me buzëqeshje krejt të shtirur vepronte etnikisht dhe gjithnjë “i tmerruar” nga “frika e shqiptarëve”. I tmerruar për faktin se Maqedonia mund të bëhet në të ardhmen një Republikë me shumicë shqiptare dhe gjithnjë në panikun, për të menduar diçka, si e si ti zhysë shqiptarët, që ata kurrë mos ngrenë kryet. Ndërkaq, që i dyti, i kapur prej të parit dhe që bën realitet një plan kryekëput anti-shqiptar dhe se i qëndron krejtësisht vijës politike gruevskiane, për ti “fshirë” shqiptarët, për të mos i numëruar ato, që gjithnjë të jenë pakicë e të nënshtruar.
Shkupi i vitit 2015 me “projektin famoz” që e ka gatuar politika ishte një tmerr i vërtetë, shenjë e asaj se dhe kryeqyteti ishte futur nën kthetrat e një politike, që e kishte mbytur frymën paqësore.

DIALOG PËR “PËRMENDORET E TURPIT”
Pasi pashë realisht me një trishtim të thellë ata statuja gjigande, krejt mitike, pa fije lidhje me realitetin, ulem diku në një lokal pranë këtyre statujave.
Vërej që aty Vardarin, punëtorët që bërtisnin nga njëra skelë në tjetrën e më erdhi keq se ç’politikë ishte kjo, që detyronte punëtorët që mbi urë të mermerosnin Platonin, Ciceronin, Zeusin, Afërditën, Aresin, Dionisin, Apolonin a kushedi sa figura të tilla mitike, që ishin mbledhur në ato pak metra katrorë të qendrës së Shkupit. E tërë ura mbushur me statuja të vogla, ku i gjithë “Olimpi”, legjendat e Trojës dhe të Athinës, gladiatorët më në zë të lashtësisë, sa hap e mbyll sytë, me daltë e me lopatë, ishin bërë “maqedonas”.
Në atë bulevard buzë Vardarit shoh një person që ngjante si i varfër nga ç’kishte veshur, por që ta jepte idenë nga afër se më tepër se i varfër, vishej ashtu për të treguar thjeshtësi. Ngjante tamam sikur të ishte ndonjë “Sokrat i gjallë” në kohët moderne, me një kanatjere ngjyrë të gjelbërt, fytyrë të rrahur nga dielli dhe djersë të tharë. E pashë tek dera e “Muzeut të Maqedonisë” e mendova se e kishte një ide për projektin “Shkupi 2014”. Duke ia patur disi “frikën”, për shkak se mund të ishte ndonjë maqedonas nacionalist që mund të ishte dakord me projektin, i flas anglisht: “Jeni dakord me këta statuja, me këtë që sheh këtu në qendër të Shkupit?” Përgjigja ishte siç e doja: “Jo”. Por, se më tej gjatë komunikimit më thotë se nuk është maqedonas, por boshnjak, lindur në Shkup, banues në Sarajevë. Me një fjali besoj e tha një të vërtetë të madhe për atë që shihej në qendër të Shkupit: Përpjekje për të politizuar e manipuluar historinë.

KATASTROFA E SHQIPTARËVE NË SHKUP
Pasi mu “ngopën sytë” së pari statuja gjigande, ulem në një bar në Çarshi, lagje kjo e banuar kryesisht nga shqiptarët, por që vinin në të rrallë edhe klientë maqedonas, vllahë, turq e romë. Aty lajmëroj një koleg, gazetar i ri në Shkup, Zekirja Mexhiti për tu takuar. Derisa prisja Zekirjan, në atë vend përpara syve të mi, kalonin shqiptarë. Tek këta shqiptarë shihje një mjerim, një e ecur gati në gjendje shoku, me siguri e lidhur me atë se kushedi se ç’probleme të shumta i mundonin derisa ecnin. Të shkatërruar në shumicë ekonomikisht dhe shpirtërisht. Shumica të veshur keq, të dobët, e jo rrallë fort shihje ndonjë të sëmurë që kërkonte lëmoshë. Më dukesh se përpara syve të mi shfaqeshin shqiptarë të një shekulli të kaluar, që jemi mësuar ti shohim nëpër arkiva, vetëm se këtë herë mungonte ngjyra bardhë e zi. Tek-tuk shihje shqiptarë, që të kujdesej për veten. Shumica ishin trokë dhe një pjesë edhe katastrofë. Pas këtij meditimi, vjen Zekirja. Nisemi drejt qendrës. Hipim mbi disa tenda të larta që po ndërtonin diçka dhe prej aty mundeshe të shihje Shkupin e banuar me shqiptarë dhe pjesën e banuar nga maqedonas. Tek pjesa e banuar kryesisht nga shqiptarët, por edhe nga turq apo romë, mundeshe të shihje vetëm statujën e Skëndërbeut në një shesh fare të vogël. Ndërkaq, në anën tjetër, të banuar kryesisht nga maqedonas, dukej sikur ndokush kishte hedhur farë për të mbjellë statuja. Lartësoheshin statujat njëra pas tjetrës, në mënyrë kaq të glorifikuar, aq sa për dikë që e shikonte për herë të parë projektin “Shkupi 2014” ngjante krejt qesharake. Unë dhe Zekirja ramë në një mendje, se Gruevski përmes këtij projekti donte tiu “thoshte” të huajve se “shqiptarët nuk kanë histori, kurse maqedonasit po”. Më tej, lëvizim për të pirë kafe tek pjesa e banuar me maqedonas. Që kur uleshe në lokal, dallohej qartë se ata që ishin ulur ishin maqedonas, për shkak se ishin më të mbajtur, e Zekirja e lidhte këtë me atë se shumica e familjeve maqedonase ishin mirë ekonomikisht dhe se punonin kryesisht në administratë. Kurse, për shqiptarët realiteti ishte se pakkush punonte në administratë dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar, jetuar apo për tu pasuruar ishte ndonjë punë private ose emigrimi. Duke folur për të tilla tema, në tavolinën anash nesh, ishin dy djem të rinj, të cilët, derisa dëgjuan që flisnim shqip, sikur u irrituan dhe u larguan jo pa inat me veten. Zekirja e shpjegonte këtë me nacionalizmin tek një pjesë e madhe e të rinjve maqedonas, me padurimin e tyre ndaj shqiptarëve dhe ndjenjën për ta parë “të mposhtur shqiptarin”. Megjithatë, padurimin ndaj shqiptarëve apo nacionalizmin e gjeje vetëm tek disa maqedonas, pasi kamarieri, po ashtu i etnisë maqedonase, e mbushi dy herë gotën me ujë, duke shtuar madje edhe “Urdhëroni, i nderuar”. E diskutuam edhe faktin se ekziston ndër maqedonas edhe “frika prej rritjes në numër të shqiptarëve”, pasi nataliteti i lartë i shqiptarëve iu jep gjasa të jenë shumicë në të ardhmen. E, nisur pikërisht nga lindshmëria e lartë ndër shqiptarë, me shumë mundësi që e ardhmja e gjen Republikën e Maqedonisë me më shumë shqiptarë se maqedonas, por se me siguri që edhe në të ardhmen do të jetë një “Gruevsk” tjetër, që me manipulime apo duke mos e numëruar popullatën, nuk do ta lejojë një gjë të tillë. E kësisoj, politika maqedonase (sllave) me të tilla marifete “ia del paq ti shpëtojë maqedonasit nga kjo kataklizmë”. Gjithsesi, këto janë llogari ndoshta të përafërta për të ardhmen. E tashmja është tragjike. Ajo flet në zërin e dhimbjes. Burri që njoha sapo hyra në Shkup, Hazbiu, sa herë i flisja për gjendjen e shqiptarëve në qytet, por edhe në Maqedoni, e përmendte kaq shumë fjalën “katastrofë”. Dhe, vërtetë që ajo ç’ka mundeshe të shihje në Shkup, për shqiptarët, ishte gjendje katastrofike.

NË VEND TË MBYLLJES
E kisha bredhur Shkupin gjatë gjithë ditës. Pashë pjesën e banuar kryesisht nga shqiptarë dhe pjesën e banuar kryesisht nga maqedonas. Ndryshonin si nata me ditën. Tek e para gjeje njerëz që shisnin në rrugë celularë, rroba dhe rrugët ishin të shkatërruara e shtëpi e lokale të ndërtuara thuajse pa plan. Tek e dyta rrugët ishin të rregulluara, trotuaret po ashtu. Mbizotëronte një qetësi dhe shihje njerëz me kollare, me siguri zyrtarë dhe që kishin parkuar makinat diku pranë zyrave komode. E, se tek pjesa e Shkupit e banuar nga maqedonasit, gjeje prapë statuja të pafundme, madje edhe një si “Hark Triumfi”. Aq qesharake dukej kjo puna e statujave, sa mendoje se ndryshimi i vetëm me Korenë e Veriut ishte fakti se në Shkup, Gruevski nuk e kishte ngritur një statujë edhe për veten e vet. Sipas mendjes alla-gruevskiane, në Shkup paskësh qenë toka e heronjve më të mëdhenj të historisë. Shkupi me siguri që do të ishte mrekulli, në rast se paqja dhe toleranca, por edhe bashkëjetesa do të ishte realitet, si në popullsi, ashtu edhe nga politika. Por, se kjo e fundit, për shqiptarët, sidomos ishte shndërruar në një demon. Me paratë e qytetarëve ngrihen statuja disa milionëshe dhe se kjo bie më tepër mbi kurrizin e qytetarëve të varfër. Thuhet se një person përmend më tepër atë gjë që i mungon. Si duket, i njëjti parim vlen edhe për disa shtete. Ata theksojnë atë gjë që iu mungon. Maqedonisë i mungon identiteti e në mungesë të kësaj, përpiqet ta përvetësojë me statuja. Ky Shkup nuk ishte ai që do të doja ta vizitoja. Lashë pas një Shkup me dallime të mprehta etnike, me diferencime të skajshme mes qytetarësh, edhe mbi baza etnike. Ky ishte realiteti i hidhur në këtë qytet. E, Shkupi më dukesh qytet kaq artificial, pasi është thuajse e pamundur që një komb, si maqedonas, me as më tepër se dy milionë popullatë, të ketë kaq shumë figura të njohura dhe deri me dimensione “kaq të mëdha”. Shkupi thjesht mashtronte bukur.

10 arsye pse Gruevski është një “diktator”


nga Dionis Xhafa

Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, po e “fiton” çdo ditë e më shumë “statusin” e diktatorit të vendit të tij.
Janë të shumtë ata që e cilësojnë Gruevskin si të tillë, që nga qytetarët deri tek mediat që janë vërtetë të lira, mediat ndërkombëtare, por edhe vetë veprimet e kreut të qeverisë së Shkupit e demonstrojnë karakterin diktatorial të qeverisjes së tij.

Ja 10 arsye se përse Gruevski mund të konsiderohet një “diktator”

Politika pro-ruse e Gruevskit

Politikat e Shkupit zyrtar kanë më shumë ngjashmëri me politikat që ndiqen në lindje, sesa me politikat perëndimore. Politika që po bën Gruevski më shumë i ngjan politikave të dirigjuara nga Moska, sesa atyre të dirigjuara nga Brukseli.
Kjo është e dukshme, sidomos në atë se pushteti i Gruevski mohon të drejtat themelore të njeriut, veç tjerash.
Edhe prania e flamujve serbë dhe rusë në kundër-protestën e VMRO-së në Shkup dëshmon atë se Gruevski në politika është shumë larg atyre të perëndimit.

2.Retorika e ashpër e Gruevskit

Në fjalimin e tij në Shkup, në kundër-protestën e VMRO-DPMNE-së, Gruevski përdori një fjalor, prej një “diktatori” të vërtetë.
Ai tha se VMRO-ja është 3-4 herë më e fuqishme se opozita dhe akuzoi Zaevin se po ndihmohet nga shërbimet inteligjente të huaja, se po thurr intriga politika dhe se po manipulon, tamam fjalor prej “diktatori”.
Veç tjerash, ndër fjalë shihet edhe ajo se Gruevski e vë theksin tek fuqia individuale që zotëron si person, duke e parë veten si të “gjithëpushtetshëm”.

3. Vrasja e një djaloshi vetëm se ai protestonte kundër qeverisë

Vrasja e një djaloshi, Martin Neshkovski, vetëm 12-vjeç, vetëm pse ai pati guximin të protestojë, është shenjë se pushteti i Gruevskit vret dhe se kjo qeveri qëndron dhe me gjak në karrige.

4. Jankulovska pranë Gruevskit

Prania e ish-ministres së Brendshme Gordana Jankulovska në kundër-protestën e VMRO-së, madje pranë Gruevskit, dëshmon atë se kjo qeveri nga zori mund edhe të heqë njerëzit nga pushteti, por sidoqoftë i mban afër ata.
Të mbash afër Jankulovskën do të thotë që mbash afër personin që përfaqëson racizmin antishqiptar dhe fjalorin e nazizmit modern.
Kjo dëshmon se Jankulovska nuk ka dhënë dorëheqje për racizmin antishqiptar dhe se VMRO-ja nuk e ka dënuar këtë racizëm.

Mediat shtetërore dhe pro-qeveritare nuk e transmetuan protestën e opozitës

Protesta e opozitës maqedonase, tepër e rrallë për realitetin ballkanas, aty ku nacionalizmi është ende “ushqim” për politikën, por përkundër u shfaq internacionalizmi qytetar kundër një qeverie korruptive, u transmetua vetëm në kanalin YouTube.
Mediat shtetërore dhe ata pro-qeveritare nuk e transmetuan protestën opozitare.
Ky është element i dukshëm diktatorial, ku mediat janë krejtësisht të kapura nga pushteti i Gruevskit.

6. Projekti i turpshëm “Shkupi 2014”

Atë që qeveria e Gruevskit e konsideron si krenarinë e Maqedonisë, mediat evropiane sidomos, por edhe ndërkombëtare e kanë cilësuar si turpin dhe tmerrin e Maqedonisë.
Të ngresh statuja dhe të ngresh edhe mite, në një kohë që jetojmë në një realitet ku përpiqemi të jemi larg miteve, por sa më pranë qytetarëve, është shumë më tepër se turp.

7. Maqedonia – as në NATO – as në BE

Maqedonia si shtet është i bllokuar për sa i përket integrimit euro-atlantik.
Shteti i Maqedonisë ka ngecur në vend, që kur mori statusin e vendit kandidat për në BE më 2005-sën.
Në një situatë të tillë, kemi izolim të qytetarëve në masë brenda shtetit, edhe ky një dëftues i një regjimi gati diktatorial.

8. Qeveri diskriminuese ndaj shqiptarëve

Në Maqedoni kemi një realitet, ku Shkupi është i ndarë si me thikë në dy zona, në atë të banuar nga shqiptarët dhe në atë të banuar nga maqedonasit.
Aq më tepër, veç kësaj, ndarjes etnike, është realitet, që zonat e banuara nga shqiptarët, janë ata më të prapambeturat dhe ku ka më pak investime, ç’ka flet për një qeveri diskriminuese ndaj shqiptarëve.

9. Gruevski, kampion i nacionalizmit

Sot në Ballkan, është e vështirë të gjesh një lider tjetër me nuanca kaq të theksuara të nacionalizmit sa tek Nikola Gruevski.
Ai udhëheq një parti si VMRO-ja, një-etnike dhe që e ka mjaft të përforcuar nacionalizmin, duke imponuar një realitet të frikshëm politik.
Duke qenë kaq i denduar nacionalizmi, sidomos në qeveri, vështirë se mund të ketë demokraci të pastër në Maqedoni.
Pikërisht nacionalizmi, i cili thuhet se është streha e fundit e horrave, sjell edhe problemet etnike dhe diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve.
Nacionalizmi i Gruevskit shkatërron atë që duhet të ishte shembull në Maqedoni, paqen dhe tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare.

10. Kërkesa e Komisionit Europian për dorëheqje të Gruevskit
Së fundmi, kërkesa e Komisionit Europian që Gruevski të japë dorëheqjen është edhe një kërkesë, e cila flet për atë se KE-ja e ka kuptuar se kryeministri maqedonas në qeverisje nuk ndjek parime evropiane.
Nga ana tjetër, refuzimi i Shkupit zyrtar për dorëheqje të mundshme, flet për atë se Gruevski e ka përforcuar pozitën në qeverisje, aq sa e ka shndërruar këtë qeverisje deri në atë që po quhet “diktaturë gruevskiane”.