Errësirë në tunelin e përditshmërisë


Dionis Xhafa

Shqipëria është një realitet i vështirë, aq shumë sa shumica e shqiptarëve zgjedhin të largohen nga vendi për të mos vazhduar të vuajnë përditshmërinë e egër të vendit tonë. Po, vendi ynë shpesh ngjan se është një tunel, ku fillon dhe ecën dhe se edhe teksa vijon rrugëtimin tënd, sheh vetëm zi e se edhe në fund ngjan se sheh natën e nuk ka ditë. Në këtë mënyrë, ka vdekur edhe rrënja e fundit e asaj çka mban gjallë shpirtin njerëzor për një të nesërme më të mirë: shpresa. Po në një vend që nuk ka shpresë, ku vdes njeriu duke qenë gjallë, ku rënia është zakonshmëri e ngritja një proces që vështirë se e gjen, jetohet me probleme shumë….

Dionis Xhafa

 

 

Për me dashtë…


 

Dionis Xhafa

Për me dashtë, duheshka të pyeteshka shteti. Po po se mos zemra jote merr kot e ia thërret zemrës së valë prej dashurisë së marrë. Për me dashtë, duheshka me pas’ zemrën me bërryla, që t’i kontrollosh se mos shpërthejnë ndjenjat njerëzore, ata që e duan njeriun, e ndjejnë, e ftojnë, e dashurojnë. Po dashuria në kohët e sotme ka marrë fund, vdekur për së gjalli, gllabëruar prej parasë, kapitalizmit të fëlliqësisë, e jetojmë fiks në kohën kur paraja vendos për gjithçka e s’do me ditë për turbullirat që ndodhin në shpirt, për një zemër të ngratë që rreh zi zog që është gati në vdekjen e vet, se dhe shpezët, sado të dobëta që janë, shpirt kanë.

Dashurisë, që elozhe i kanë thurrur deri në qiellin e paanë, kanë vendosur t’i vënë frenë se s’duhet të duash kur do, se zemër nuk duhet të pyesësh, se sot tjetri e tjetra vendos mure që nuk duheshkan tejkaluar. Malli vetëm vlon e vlon, si një ujë i nxehtë në tenxhere e kur nuk e pret, shpërthen ai ujë e bën me njollë e alarmon familje të tërë, në mos edhe fis. Jo jo duheshka dashur, por duheshka me vulos imoralitet të kohës së monedhës që qëndron përmbi gjithçka, ashtu gjelbër, pinjollë e kulturës së pushtetit të trazuar e të mënxyrë. Po unë dua e zemrën time do ta çjerr, në duhet gjak e mall do të shpërthej, do ta dëftoj haptaz, le të çmendet në dojë njerëzia, se unë dua, se emocioni për mua qëndron mbi paranë, që edhe qeni fundja nuk e ha.

Oh unë lypës në rrugë të Tiranës qofsha, lypës në rrugë të Londrës, të Parisit, Londrës, se unë dua dhe këtë gjë nuk di pse e ndalojnë. E mall mu shoftë, në gjendër që oshëtin prej zemrës së plaguar, unë frikën do ta vras. Edhe në vdeksha, le të thonë se deshi shumë dhe pak mori, se e donte njerëzinë, njerinë, mallin, atdhenë, botën, planetin, universin, e se pikë e tij shkoi matanë. Marrëzi, çmenduri, ja kështu se racionalitet në tokë të kallur prej përbindësh nuk mundet me pas. Oh zemra ime, mos më lër vetëm. Unë, ti yjet, le të vdesim bashkë, me kamë të përgjakur prej dashurisë.

Dionis Xhafa

 

Ivo Andriç, dritë – hijet e nobelistit jugosllav


 

Dionis Xhafa

Ivo Andriç është një emër i letërsisë ballkanike, që ka jetuar në kohën që ekzistonte ai shtet, që shumë e konsiderojnë sikur është një krijesë dhe që emrin e ka Jugosllavi dhe që po ashtu lidhet ngushtësisht me emrin e një diktatori dhe se ky është Josip Broz Tito. E në fakt Andriç ngjan tepër me atë kategori të shkrimtarëve të tillë si Ismail Kadare në Shqipëri, që kanë pasur raporte të mira me pushtetin, deri aty sa serbi me talent do të bëhej edhe diplomat i shtetit të vet. Andriçin në fakt mundesh ta akuzosh për shumëçka e çdo send, por se ai kurrë nuk pranoi që të bëhej palë me fashizmin dhe as me nazizmin. Shkrimtari, që vonë në jetën e tij, më 1961 do të fitonte edhe Çmimin Nobel për Letërsinë, do të burgosej politikisht nën regjimet e egra fashi-naziste e do të refuzonte të shkruante qoftë një resht të vetëm në gazetat beogradase apo të rretheve të Serbisë në periudhën e pushtimit.

Ivo Andriç si shkrimtar

Qëllon edhe në truallin tonë ballkanas, në tokën e lashtë të Europës, që ka mbetur kështu si epitet i kontitentit, të ketë talente realisht të mëdhenj të letrave. Nikos Kazanzaqis në Greqi më së pari, por edhe Andriç, Danilo Kish e Ismail Kadare përbëjnë qershinë mbi tortë të krijimtarëisë letrare të shteteve thuajse më të varfra materialisht, por paradokalisht me shumë mundësi më të pasurat në Europë, kontinenti i florinjtë, i vogël por se i pasur shumë. Andriç si shkrimtar mendoj se qëndron vërtetë lart në plejadën e artistëve bashkëkohorë. Ai është ndër të rrallët, në mos i vetmi që kur e kam lexuar, të ngjan vetja sikur je në një kopësht me lule e thith aromë të mjaltit. Habi e madhe që përmes shkronjave, hunda jote të ndjejë të tillë aromë, që të ndez shpirtin e të largon mendje e ndjesi prej realitetit maskaradë të përditshmërisë. Andriç duket sikur bën magji me shkronja. Ai si penë, shkrimtar është i ndritur , vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.

Qasja e Andriç ndaj Shqipërisë e të tjerët

Duket paradoksale sesi një njeri e refuzon fashizmin për vendin e vet, kurse nga ana tjetër po i njëjti person ka qasje fashisoide e raciste ndaj një shteti tjetër. Ky paradoks ndodh edhe te Andriç. Përpos se shkrimtar, ai ishte edhe diplomat dhe ka një trakt për Shqipërinë, ku turpërisht legjitimon pushtimin serb mbi Durrës dhe mbi vendin tonë. Kjo qasja e tij mund të vijë ose se vërtetë Andriçi i urren shqiptarët ose vetë sistemi ku ai arriti të ishte diplomat, zyrtar shteti ia ka imponuar që të mbrojë qëndrimet fashiste të Serbisë kundrejt Shqipërisë dhe popullatës shqiptare. Në fakt, Andriçi nuk është i vetmi serb që ka shfaqje raciste ndaj shqiptarëve. Të tillë qasjeje të egër ndaj shqiptarëve e ka pasur edhe Aleksandër Rankoviç, zyrtar serb. Po ashtu, njëjtë racist ka qenë edhe Dobrica Cosiç, presidenti i fundit i Jugosllavisë dhe shkrimtar, që mbahet në Serbi si baba i kombit. Cosiç madje konsiderohet si mendja djallëzore që ka prodhuar luftërat e fundit në Ballkan, që ka yshtuar në veprimtari kriminale e gjakatare liderët famëzinj serbë si Sheshel, Millosheviç, Mlladiç etj. Cosiç mbahet paksa mirë në qëndrim vetëm në atë për Kosovën, teksa u shpreh se kjo tokë ka humbur për serbët dhe se atë e kanë fituar shqiptarët, e këtë e tha në prag të vdekjes. Po ashtu, Çosiç ka thënë edhe se në luftën me shqiptarët, serbët kanë humbur. Duke qenë se ka një sërë politikanësh, diplomatësh, shkrimtarësh serbë që kanë qenë me qëndrime raciste kundër shqiptarëve, mundet të thuash se më tepër se vetë personat, ka qenë vetë shteti serb, mekanizmat e tij, Serbia si ka funksionuar historikisht, që ka prodhuar mendje të tilla e që nuk lë të dalësh prej ngurtësisë së fashisoizmit me kufij të mbyllur. Duket pra se qëndrimet e Andriç janë në përputhje me mekanizmat politikë serbë, që kanë legjitimuar deri pushtimin e Shqipërisë gjer në Durrës.

Dy fjalë për “Ura mbi Drin

E thashë edhe më herët se personalisht kur e kam lexuar Andriçin, më dukej sikur isha duke thithur aromë lulesh shumëngjyrëshe në një kopësht të madh apo në parajsë, ku pas shiut bie ylber me shtatë ngjyra. E tillë ndjesi është edhe kur lexon veprën që mbahet si më e mira e Andriç e kjo është: “Ura mbi Drin”. Me këtë vepër monumentale të tij, Andriçi arriti tëfitojë Nobelin. Por çfarë ka të veçantë ky libër? Në fakt, libri në fjalë përmban historinë e një ure për 500 vjet të sundimit Osman si u ndërtua, ndëshkimet që ndodhnin, jepej dhuna e rëndë që ndodhte gjatë ndërtimit të kësaj ure, jeta e rëndë e popullit në vendlindjen e autorit në Travnik, pushtimi i Austro – Hungarisë e deri vendosja e sistemit komunist titist në mbarë Jugosllavinë. Gjithçka përshkruhet ngadalë, shtruar, si ujë lumi, që rrjedh jo vrullshëm. Andriç përmbledh dhe bën bashkë historinë e Bosnjës më tepër dhe të Serbisë, dëshmon pushtime, tregon Ballkanin, një gadishull, që si ura ka një këmbë në lindje e një në perëndim. E gjitha jepet e përshkruar në një mënyrë fantastike. “Ura  mbi Drin” është vepër që më së pari mund të lexohet nga ballkanasit, por edhe europianët. Vepra nuk është as thellësisht nacionaliste, por edhe dëfton bukur e qartë traditat, marrëzitë e bukura e të trishta të Ballkanit, të legjendave e tragjedive të kësaj toke. Kjo është arsyeja se përse “Ura mbi Drin” është vepra që ngjan si yjet e hëna mbi tokën ballkanase në një natë të qetë, pa krime ku rrugica ngjan e ndriçuar si me fosfor e galaktika duket sikur buzëqesh.

Dionis Xhafa

Yjet


 

Dionis Xhafa

E qetë është nata, vetëm yjet lart në qiell ndriçojnë

E në agim nuk ka asnjë shpresë, thjesht ditë e re vjen

Por errësirë është, njëjtë dhimbë e plagë e pashërueshme vlon,

Nëpër trenat ku avullon jetë e përmotshme, e myktë.

 

Qielli do të qajë, do të rënkojë në detin e paanë që oshëtin

Orestët do të vrasin baballarët e fundin e vet do ta kenë të sigurt,

Agemnenonët do të tradhtohen, djemtë në fusha do të kërkojnë hakmarrje

E lart në horizont të verdhë përzier më të kuq do të ngashërojnë yjtë.

 

Një ditë ndër ata yjë njëri do ndriçojë ndryshe, fort, do flakërojë

Shkrepëtimë si i sjellë nga Zeus do të rrëfejë dramën e madhe të arenës tragjike,

Do të flas haptaz, me gaz, hare, dëshirë e pasion, lëçitur me zjarr e mall,

E do shuhet në universin e pafund, rënë në ujë, në tokë a oqean.

 

Çuditshëm, mahnitshëm, krejt turbulluar si në tragjedi të Eskilit,

Si pasqyrë e madhe do të shfaqet e vërtetë, qartë, pa furi e dallgë,

E harresë ka, e mëshirë jo, gjuajtje e pafund për të përfunduar mizori – mirazh

Pastërtisht mbi dorë të larë do të ndihet forcë, kur bashkë ecin botë e vdekur me të gjallë.

 

Vdekja përballë vdekjes


 

Dionis Xhafa – Fiction

Po një ditë e pashë vdekjen time, përballë vetes. E ndoshta edhe vdekje tjetër kish në anën tjetër se këtë nuk e di e dy të shuar po shihnin njëri – tjetrin në sy. Tanimë ndaras. Jashtë mureve të fakultetit magjiplotë dikur, që u shndërrua në makthin e përndjekjes jetësore të një vdekjeje në të gjallë.

 

Vetëvendosje, uragani i idealizmit


 

 

Dionis Xhafa

Idealizmi në Shqipëri nuk ka fituar por se ka gjasa të triumfojë në Kosovë dhe kjo pritet të shihet në vijim se çfarë do të ndodhë në shtetin e dytë ballkanik të banuar kryesisht prej shqiptarëve. Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe çuditërisht, ashtu sikundër nuk i kishte shkuar mendja ndokujt, “Vetëvendosje” doli parti e parë dhe sigurisht që nuk mund të dilte edhe koalicion i parë, për shkak se ishte e vetme si parti në një kaolicion, në një kohë që parti tradicionale si PDK, LDK e të tjera ishin bërë në blloqe me shumë subjekte politike.

Daniel Server shkruante një shkrim autorial dhe se në të theksonte se një gjë u vu re te votuesit në Kosovë dhe se kjo ishte se ata votuan për diçka ndryshe, ata nuk e duan më klasën e vjetër politike dhe se ia kanë dhënë votën atyre që duken më idealist dhe se më afër ideve të së mirës së përgjitshme shkon VV, e cila ka kaq shumë kohë që e bën “luftën” për të ardhur në pushtet në mënyrë të ndershme. Në udhën e vet ka fituar goxha terren dhe se fillimisht “Vetëvendosje” arriti që të marrë komunën e Prishtinës, e cila është më e rëndësishmja në vend. Përpara se të arrihet aty se si mundet që të ndodhë tashmë e se kush e me kë mund të bëjë koalicione për të formuar qeverinë e re të Prishtinës, diçka duhet thënë me të madhe dhe që është realisht për tu përshëndetur: emancipimi i shoqërisë shqiptare të Kosovës për të votuar drejt, për të mos qenë palë e tentakulave të pushtetit që të vret, manipulon, që vjedh e grabit e me krime përzier, por se sheh drejt së mirës e asaj që duket se është më e ndershme, pasi drejtësi totale thuajse nuk ekzsiton në asnjë lloj sistemi politik të rtuzullit.

Çfarë ndodh tanimë? Ngjan se rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje ka befasuar të gjithë. Vetë njerëzit më me pozita nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicoin me Partinë Demokratike të Kosovës, koalicion ku ndodhet edhe partia e Ramush Haradinajt AAK si dhe NISMA e Fatmir Limajt. Edhe sikur PAN të tentojë që të formojë qeverinë, nuk do të kishte numrat, pasi edhe LDK e aleatët nuk do të afrohen ndoshta, për shkak se ishte PDK e aleatët ata që punuan lojën dhe se nxorrën jashtë sistemit Isa Mustafën kryeministër dhe luftuan ashpër kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu, duket se ka një afrim mes “Vetëvendosje”-s dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e se me këtë të fundit është edhe AKR e Behgjet Pacollit.

Në fakt, LDK, AKR e “Vetëvendosje” megjithëse janë subjekte politike të cilat kanë edhe mëkatet e veta ndoshta, vështirë se maten me mëkatet që mban Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar deri dje nga Hashim Thaçi, president aktual i Koosvës. Isa Mustafa kur u largua nga posti i kryeministrit madje tha se LDK ishte duke e luftuar krimin dhe korrupsionin dhe se kjo gjë ngjan se nuk pëlqehej nga ana e PDK-së, e cila e çoi vendin në zgjedhje, me idenë paksa dinake se e kishte të sigurt se fitonte me atë lloj koalicioni të madh që kishte krijuar. Por tashmë gjithçka është bërë si një fjalëkryq e se nuk dihet si përfundojnë koalicionet. Një skenar i mundshëm është si ai në Maqedoni, ku forcat opozitare bëhen bashkë dhe rrëzojnë PDK, AAK e NISMA, tjetër është që të shitet njëra palë nga opozita e tjetër është që të ketë koalicion të madh.  Llogaritë janë të hapura dhe se ku i dihet në skenën politike ka vend edhe për dinakëri odiseane, mirëpo është e sigurt diçka: shqiptarët e Kosovës votuan për lirinë e tyre, drejt e saktë.

 

 

Fëmijëria. Shkolla e mesme. Rinia


 

Dionis Xhafa

Nuk ka ndonjë dyshim se nëse fëmijëria nuk është periudha më e bukur për jetën e një njeriu, kjo periudhë më së paku është ajo që ka pafajësinë më të madhe. Kjo periudhë jetësore që është fëmijëria me siguri që nuk është ajo më me trazira, më e bujshmja, por se është periudha kur nis e mëson se çfarë është jeta. Ti si qenie njerëzore e ke jetën, nëse do të bënim një krahasim, sikundër një lumë që në fillimet e veta nis qetë, njeh vetëm qetësi, një vazhdë thuajse të njëtrajtshme. Kështu rrjedh fëmijëria për shumicën e njerëzve. Edhe nëse fëmija qëllon se rritet në familje të varfër, nis të kuptojë se nëse të tashmen e ka të qetë, trubullirat e vorbullat do të vazhdojnë më pas, në të ardhmen e afërt. Fëmija ngjan kështu si qenie e pafajshme, më së paku reflektim i sjelljes, edukatës së prindërve, që në bazë të jetës të fatit të vet, rrethanave, ajo çka sheh, vepron edhe në të ardhmen. Po tashmë jam duke e kaluar të përgjithshëm dhe po dal te e përveçmja. Fëmijëria për mua personalisht ka qenë moshë e veçantë, por me siguri që më ngjan njëjtë si fëmijëria e çdo njeriu që rritet në tokë.

Kjo fëmijëri kishte ngjyra të kulturave të popujve të ndryshëm, të rruzullit tokësor. Ajo kishte ngjyra braziliane, për shkak se luanim futboll me Mirin, Mondin, me Fredin, Azemin, Klodin, Gentin, Xhikun, Arjanin. Bukuroshin që sot e kësaj dite nuk është më. Ndjesë nëse harroj ndokënd se lista është shumë e gjatë, por se luanim tetë orë futboll në ditë, në gurë e gëmushë, në borë e në shi, në fushë të shkollës e në fusha të Allejbegisë, E thyenim edhe rregullin se në orën 2 të drekës kur është vapë e dielli të përcëllon prindërit na thoshin që të flemë gjumë, kurse ne çoheshim dhe me hapin prej majmuni shkonimn e linim zemër e mend në fushë të sportit.

Fëmijëria kishte edhe ngjyrën gri. Kur në verë ika në shkollë për tu larë në liqenin e Pesjakës, erdhi mamaja dhe të tjerë persona për shkak se kishin frikë se zhytesha, mbytesha, në llucë të madhe të ujit të izoluar prej kodrash, por ja që as vdekjen nuk e kisha frikë. Kjo periudhë jete merrte ndonjëherë edhe ngjyrë gri të errët, kur në një grup shokësh mendjekrisur jo pak, ikëm në një shkëmb e lëndinë të Korabit, tregonim barceleta rrugës, hipur mbi Deshat e çmendurisht rrëshqisnim në borën e pashkrirë në pranverë, që ishte prezente në atë vend me lartësi mbi 2000 metra. Ujëvara e largët ku ishte e vështirë të shkoje e pamë, edhe pse në lëkurë në sytë tanë ishte vdekja. Me siguri që jam me fat që në atë udhëtim ishte Korabi, një djalë tepër shpirt mirë, i respektueshëm, me trup të lidhur dhe që më ndihmoi, për shkak se përndryshe mund të kisha përfunduar tragjikisht në një hon a në ndonjë humnerë të ndonjë fshati me pak shtëpi, por këta me qerpiq e me taban të fortë tradicional. Po fëmijëria e ka pasur ngjyrën ndonjëherë edhe të zezë me drama e tragjedi që shihje ngado rreth e rrotull. Një burrë mbaj mend si e mori policia, forcat speciale, brisku, se ky rrihte njerëz të lagjes, edhe të pambrojtur ndonjëherë, jepte spektakël, teksa me shkop vrau bollën e shtëpisë që thonë se është ajo kafshë shtëpiake që të mbron. Po ashtu, jam frikësuar kur vija nga Pocesti, i isha ngjitur pas një makine e se që aty dolën tri të rritur, mua mu duk befasisht si mënyrë disi mafioze, por se ndoshta talleshin e unë kërceva kangjella dhe fusha për të mbërritur në Maqellarë me zemrën e ngrirë. Po në fëmijëri jam vrarë e sakatuar me këmbë e duar, rrëzuar nëpër fusha me gurralecë, sikundër edhe dëmtuar në ije në futboll apo këpusja mishin e mesit mënjanë.

Për fëmijërinë kam shumë për të treguar dhe se nuk do të mjaftonin faqe të tëra me gërma. Por se e tërë fëmijëria ime u zhvillua ndërkohë që bëja shkollën e ulët në atë 8-vjeçare në Maqellarë. Pikërisht shkolla në qendër të komunës kishte një kat lart, të tretë, të ndarë fizikisht prej një porte nga ne në katin e dytë e të parë, edhe për shkak se atje “lart” ishte tjetër moshë që zhvillonte mësim. Kur isha klasë e gjashtë, por edhe e shtatë, nisa të kuptoj edhe moshën e katit të tretë, të adoleshencës. Një histori që u zhvillua me bujë atje la mbresa kudo, më la edhe mua në fakt, edhe pse pak kuptoja në atë kohë nga këto gjëra. Një vajzë e bukur, e sjellshme, dhe e mirë në mësime ishte dashuruar me një djalë që me thënë të vërtetën kishte një bukuri të veçantë, të stilit italian. Djali ishte kaq i bukur sa vërtetë ngjante sikur një yll hollivudian kishte “zbritur” në një provincë të humbur. Mirëpo zërat e opinionit publik vendor e shanin disi djalin për sjelljet, se nuk mendonte mirë çka vepronte etj. Ama djali edhe veprimet e pahijshme disa i bënte për dashurinë që shumë persona përreth vajzës ia kishin mohuar. Vajzën e torturuan jo pak, e mbyllën në dhomë, i thanë që të mos e merrte atë djalë për bashkëshort të ardhshëm, por se ajo e donte, zemra e saj rregëtinte për të. Djali nga ana tjetër arriti deri në kufijtë e çmendurisë për dashurinë, dhe vajzën e mori në fund, por me një lloj historie jo të zakontë, jo siç ndodh zakonisht, por me një tragjizëm u përjetua ngjarja. Sidoqoftë fundi ishte si në përralla.

Kjo ishte pak a shumë ajo që shihja, përceptoja, nga shkolla e mesme në vegjëli. Nuk ishte vetëm kaq. Por shpesh kur në oborr të shkollës mblidheshim bashkë, ne të vegjlit e shkollës 8-vjeçare dhe ata të shkollës së mesme në Maqellarë, me shpoti iu thosha se unë nuk jam i vogël. Kjo ishte ajo gjë të cilën e mbaj mend, se shkollën e mesme e përfundova në Tiranë, e se kam përjetuar edhe vetë momente, thuajse të njëjta me ata që kisha parë te të tjerët kur isha i vogël. Mu shfaq shkolla e mesme, kjo pjesë e jetës si një pasqyrë e jetës, e cila pashmangshmërisht bën që të gjithë të kalojmë fazat e saj, me patjetër secili sipas mënyrës së vet por se emocionet, të dridhurat, gëzimet, tragjeditë, përjetohen thuajse njëjtë prej të tërëve.

Për të dalë tashmë te rinia jo veç imja, por e atij vendi të bukur, të shtrirë në buzë të Drinit. Sipas syrit tim, që sigurisht edhe gabon, të rinjtë në atë zonë ndaheshin në disa kategori. Kishte nga ata të rinj që mësonin relativisht mirë, dhe se kokën për të ardhmen e mbanin ose për nga Tirana ose Durrësi. Te ky rreth shkollarësh le ta themi kështu, kishte nga ata të rinj që synonin degë mësuesie, për të bërë karrierë në mësimdhënie në fshatra të Maqellarës dhe më gjerë. Ndërkaq, pjesë tjetër ishte edhe ajo moshë rinie, që duke qenë se ishte e vetëdijshme se nuk ishte për shkollë e karrierë dhe ky është aspekti ndoshta më i mirë që ka ajo zonë, se askush nuk lavdërohet nëse s’e ka diplomën ose dhe në e ka, pak e vije re, kjo klasë pra të rinjsh iknin jashtë dhe punonin fuqishëm, si kafshë pune, duke mbajtur familjet me bukë, në Greqi në Itali ose më gjerë. Nga këta me patjetër që ka edhe pjesë që hyjnë në rrugë të krimit, mirëpo shumica e kishin mendjen për të ndërtuar familje dhe kishte nga ata që përnjëmend me djersë të thata ngrinin ndërtesa 2-3 kate në fshatin m’u në mes të komunës, me ndonjë flamur kombëtar ose partiak, hijshëm disi. Pjesa më e errët e rinisë ishin ata, që mendja vetëm për keq iu punonte, për të vjedhur e për t’u marrë me fenomene të errëta të tilla si prostitucioni, dhe droga. Por atë rini në trajta të përgjithshme e shoh turbullt. Kur isha aty te klasa e gjashtë, kam parë në një urë në Pesjakë sesi të rinjtë e këtij fshati ziheshin me grushte e hunj me të rinj nga të tjerë fshatra,

Ky sherr masiv që bëhej mbi urë të Pesjakës, kur dielli ishte në perëndim, qielli i skuqur, retë e purpurta, ishte sa tragjik, po kaq edhe pa logjikë të qartë, një demonstrim force i një moshe delikate, kur njeriu rrëshqet shumë kollaj prej udhës të drejtë të jetës. Në fakt unë mendoj se ky sherr, kjo përplasje rinore, më shumë dukesh se ishte për të shfryrë inatet e moshës që ishin të shumta dhe nuk kishin se ku të çoheshin në një vend ku s’kishte punë. Sherret ndaleshin pasi të rinjtë iknin në emigrim, çlironin energjitë në punë të rëndë. Por sherrin në fjalë nuk e shoh vetëm të asaj moshe. Ajo rini e kishte përpasjen fizike, përballje kjo e drejtpërdrejtë, Por me siguri se po këta të rinj, nëse i merr të burrëruar, inatin e kanë me njëri – tjetrin ndoshta të njëjtë, fatkeqësisht, por me forma të ndryshme, jo më fizike, por mendore më shumë. Kaq shumë urrejtje në një vend kaq të bukur, kaq të vogël, fatkeqësisht. E unë do të doja që ata vila 2-3 katëshe të mos e kishin flamurin partiak, traditë që disi është zbehur, por as kombëtar të ngjyer me urrejtje, por të kenë flamur të kuq si dashuria e të bardhë si bardhësi e paqe, mirësia. Por edhe flamujt të mos jenë vetëm karikatura të rrejshme, por dashuri të valonte kudo në zonë. Mirëpo, edhe kushtet ekonomike e pamundësojnë lumturinë, e që kjo e fundit të hyjë në jetën e njerëzve, do të duhej një dritë fat e bardhë, thuajse verbuese.

Dionis Xhafa

 

 

 

Rrejshëm


 

Dionis Xhafa

 

Po të jetosh rrejshëm është stil

E dem nëse je do të thonë se brirët nuk të shkojnë,

Të thonë që t’i heqësh dhe të copëtojnë barkun

Se rrejshëm me fytyrën e turpit të jetosh është modë.

 

Je krejt budalla, mendjekrisur, nëse në fushën e madhe të lojës

Ecën drejt palëkundur, si Akili në fushat e Trojës,

Në mos të kaptë shigjetë e Paridit a djallit vetë, dobësinë do të ta gjejnë,

Që kallshëm të të shndërrojnë në kufomë.

 

E rrejshëm krejt, maska, fytyra pa fytyrë,

Ndryshon njeriu në sekondë sa e kthen kokën nga lindja në perëndim,

Po a jetohet kështu o mik, o vëlla. Mundesh me u ngjit lart, por një ditë litari do të ngatërrohet e tjetërkund veç në fyt nuk ka ku të shkojë.

 

Po sonte do të besoj


dionis_xhafa22

Dionis Xhafa

E kisha mohuar Zotin. Kisha thënë se ai nuk ekziston.

Madje, thosha çmendurisht ndonjëherë se edhe sikur ta shaj, me vete keq fare,

Askush do të më përgjigjet, se natyrë vetëm ka e perënditë janë nëpër libra e përralla,

Por nisa ta kem besimin, kur e pashë njeriun, ç’kafshë ishte, sa i ulët.

 

E besova me zemrën e vrarë prej ndjenjash njerëzore, prej damarit të shpuar nga dhimbje e punës së rëndë,

Teksa në perëndimin e egër të një qyteze perëndimore, pashë betejë të madhe, sikur në luftë, trupa të zinj, faleshin në punë kafshërore,

Po ne Hitlerin e kemi zhdukur thonë, edhe të tjerët që ishin si ai, diktatura e zullume nuk gjenden më në botën e të gjallëve,

Por njëjtë koha, veçse vrasjen tashmë e bëjnë ngadalë, jo në furra të bukës.

 

Shtrihen trupat në tokën e perëndisë së tyre, pa bukë, pa ujë asgjë nuk duan,

Në vreshtat e ditës të djersës, që kur thahet nis e bëhet si lot i madh e refuzojnë gjithçka e kokën ulin në arrat e punuara,

E me vete them, edhe nëse perëndia nuk ekziston me të vërtetë, dhe në është vegim a çmenduri trush njerëzish,

Po është ndjenjë e lartë, është formë e shkëlqyer, për me qene njeri i udhës.