Mes rrokaqiejsh dyrrotakësh!…


Do të kërkonte fare pak imagjinatë, fare pak, për të ilustruar Evropën. Në zemër të Tiranës ngrihen dy kulla blu. Imagjinoni për një çast një vend ku ngrihen vetëm kulla të tilla, të cilat nuk qëndrojnë në bazament betoni, por lëkunden sipër një platfrome dyrrotakëshe. Të tilla në miniaturë janë edhe shtetet supermate të kontinentit tonë. Duke qenë se kriza në BE ka vite që është prezente tashmë, shtetet më të fuqishme ekonomikisht po përpiqen të ndihmojnë shtetet më të prekura nga kriza. Me paralelizmin e hequr, ngjan sikur jemi në gjendjen e një lëkundjeje sizmike, që shemb nga themelet. Pët të kaluar në vendin tonë, që sikurse tërmeti që prek më së shumti katet e larta, ashtu edhe ky tërmet nuk e ka lëkundur e tundur Shqipërinë aq sa shtetet më të zhvilluara të Europës, por e ka dërrmuar rëndshëm nisur edhe nga brishtësia e shtetit tonë. Abstragojmë për një çast dhe e cilësojmë Shqipërinë si një shtëpi përdhese në mes të një sheshi mbushur me rrokaqiej. Po të nxisim imagjinatën deri në pikën ku ndërtesa ngjan si shteti dhe qytetarët si një trup i gjallë…vëmë re se ne jemi më trupvegjël e me më pak plagë. Shtëpia jonë është më e vogël, por jemi mësuar të na mjaftojë shëndeti. Jemi mësuar mes rrënimit, ndaj edhe kriza e vështirësia nuk bëhet aq drastike sa në vende të tjera të kontinentit. Rrokaqiejt dyrrotakësh po lëvizin, e ne shohim dridhjet e gjigandëve sipër kokave tona. Të rrimë nën hijet e tyre pa u dridhur aq, por përdhesë apo të ndërtojmë kate e të lëkundemi me tërbimin e Eurozonës?! Guximi ndër njerëz e vënia në jetë e tij në politikat e një shteti është e jashtëzakonshmja dhe heroikja. Duhet të interiorizojmë brenda vetes heroin me 27 dritëza në një sfond blu. Ne jemi “supermenët” e shpëtimit nga përdhesja që plagos.

Dionis Xhafa, Rev.”Drini”…

http://www.revistadrini.com/2013/11/mes-rrokaqiejsh-dyrrotakesh/

 Image

Në qiellin e Tiranës


Dionis Xhafa

Kievi, Rejkjaviku dhe Ankaraja, shpjegon Christop Haselbach, janë kryeqytete evropiane jashtë BE nën mangentin e politikës së saj. Kontradikta më e madhe për BE qëndron në Ukrainë, ku shteti është nën influencën e politikës ruse, ndërsa popullsia dëshiron Bashkimin Europian. Shumë shpejt, dora e hekurt e zgjatur e politikës ruse mund të bjerë dhe triumfi i BE në këtë shtet është gjithnjë e më pranë. Të pasurit e një niveli demokratik dhe ekonomik të lartë, duket se e kanë bërë popullin islandez të besojë pak në Europën e Bashkuar. Krejt ndryshe ngjan me Ankaranë, ku perceptimi se BE nuk e do popullin turk është i qartë brenda shtetit dhe jashtë kufijve të saj. Tirana nuk e ka luksin e Rejkjavikut. Tirana në krahasim me Kievin është më e çliruar, pasi segmentet e qeverisë dhe popullit shkojnë në një tangent të përbashkët, Bashkimin Europian. Tirana nuk ngjan as me Ankaranë, e cila më tepër ka ndikim në një zonë tjetër, atë të zonës së Lindjes së Mesme sesa në Evropë. Qielli i Tiranës sot është një një yjësi prej 27 vendesh dhe synimi për të qenë ylli i rradhës ka devotshmërinë e popullit dhe të qeverisë. Flamuri i BE ngjan sikurse qielli ynë sipër kresë që e vështrojmë me endje që nga Toka. Europa e Bashkuar na kërkon “të marrim një anije kozmike” për të arritur në universin e saj. Në rastin konkret po flasim për reforma që diktohen nga Brukseli. Është e ditur nga gjithëkush që Shqipëria një ditë do të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe shpresoj e besoj sa më shpejt të jetë ajo ditë. Ajo që duhet të jetë edhe më prioritare është besnikëria e pashoq ndaj kësaj hapësire politike. Gjithnjë Shqipëria, si një shtet i vogël me pak ndikim në një kontinent me shtete titane politike, e ka drejtuar politikën drejt fuqisë. Duke qenë se në periudha të ndryshme historike kahu i fuqisë politike ndryshon, dhe politika e jashtme e Shqipërisë ka ndryshuar në bazë të supermacisë së kohës. Kjo ka bërë që gjithnjë të llogaritemi si një aleat i vogël. Kjo s’duhet të ndodhë më. Besoj se nëse jemi të vendosur në këtë politikë evropiane dhe besojmë thellësisht në parimet e saj, edhe kur kjo politikë të pësojë tronditje, duhet të jemi pjesë e sakrificës. Vetëm kështu do të rriteshim brenda një hapësire të konsideruar si “familja natyrale” jona. Universi mbi qiellin e Tiranës nuk do të jetë perfekt, ama do jemi “pjesë e familjes”, e jo një krijesë që sodit në “anën e të fortit”.        

24.11.2013  Rev.Drini:  http://www.revistadrini.com/2013/11/ne-qiellin-e-tiranes/

Dielli [ The Sun ] , Gazeta e Shqiptareve te SHBA:  http://gazetadielli.com/ne-qiellin-e-tiranes/

Image

Çlirimi nga të huajt dhe “pushtimi i vetvetes”


Dionis Xhafa , 18 nentor 2013

Viti 1945 shënoi çlirimin nga pushtuesit e huaj të Shqipërisë. Në këtë kohë ideologjitë mbizotëruese bënë që shqiptarët të ndahen në dy fronte, partizanë dhe ballistë, ideologji që në një figurinë tjetër po të në të njëjtin parim vijojnë të mbizotërojnë ende edhe sot në viin 2013. Përtej tyre ku debati është ende i pafund, vlen të diskutohet pushtimi si proces. Lufta e zhvilluar në mes njësiteve ushtarake shqiptare dhe njësiteve të pakta gjermane bëri që Shqipëria të çlirohej. Duke qenë se ballistët ishin më të paktë në numër, merita kryesore iu shkoi partizanëve, të cilët me këtë rast edhe morën në dorë qeverisjen. Me një përkrahje të madhe nga populli, ata formuan qeverinë e kryesuar nga Enver Hoxha. Askush nuk do ta mendonte se personat që e çliruan Shqipërinë do të mbanin peng për 45 vite rresht zhvillimin me pjesën tjetër të botës të vendit. Me simpatinë e popullit, që lindi nga fakti se partizanët ç’bënë pushtuesin e huaj, qeveria e sapoformuar vendosi diktatin. Urrejtja e shqiptarëve për çdo të huaj që shkelte në Shqipëri favorizoi qeverinë komuniste. Në këtë stad nisi propaganda ndaj vendit, duke u mohuar çdo gjë e huaj. Një politikë e tillë propaganduese gjithëpopullore bëri që Shqipëria të ndiqte një politikë izolacioniste dhe askush të mos e dënonte atë. Kjo për shkak se edhe ata që mendonin ndryshe, ishin dëbuar që pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Në të tilla kushte diktatura u bë e pashmangshme. Nga një pushtim i të huajve sistemi u shndërrua në një “pushtim” që qeveria i bënte  qytetarëve të vet. Sistemi u bë krejtësisht I pandreqshëm dhe aleancat servile u bënë mëse normale. Pushtimi ndaj vetes u bë i tmerrshëm. Aq më tepër që ky sistem vijonte dhe gjithçka u kthye në një mbrapshti të pandreqshme. Në kësi rrethanash, sistemi degradoi në një sistem komunist ndër më të egrit, mos ndoshta më i egri në Evropë. Ky është rasti më ekzemplar kur krimet më të kobshme bëhen “në emër të popullit”.  

Revista Drini: http://www.revistadrini.com/2013/11/clirimi-nga-te-huajt-dhe-pushtimi-i-vetes/

Image

Washington Post: Përgjigja e qeverisë Rama dhe reagimi ndërkombëtar


Dionis Xhafa , 17 nentor 2013

Prestigjozia Washington Post shkruan se vendimi i Tiranës zyrtare për të mos pranuar armët kimike, ka qenë një goditje që i është bërë një procesi që do të kontribuonte në shkatërrimin e një regjimi vrastar si ai i Baschar Al Assad në Siri. Kjo gazetë ka nënvizuar se alternativa e Shqipërisë ka rënë poshtë dhe se ky nuk është një lajm i mirë. Në të njëjtën vijë logjike ka qenë edhe prestigjozia tjetër Time, që e quan Shqipërinë një alternativë të djegur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Shqipëria është një alternativë e djegur e Shteteve të Bashkuara. Vendimi i kryeministrit Rama shembi dhe theu zemrat e amerikanëve në misionin e tyre për të mbrojtur paqen për regjimet vrastare që ekzistojnë në botë siç është Assad. Vendi i vogël aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës refuzoi të jetë pjesë e këtij operacioni. Refuzimi nga ana e vendit të vogël ballkanik lë vend për gjetjen e një vendi tjetër për të shkatërruar arsenalin 1.300 tonësh”, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press. Një nga zyrtarët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike i ka thënë Associated Press, se pavarësisht se alternativa Shqipëri ra poshtë, do të bisedohet për një vend tjetër. Mesa duket shpresat e amerikanëve që armët kimike të demontohen menjëherë dhe në Shqipëri kanë rënë poshtë. Zyrtari i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Malik Ellahi, është shprehur se ka vende të tjera që po shqyrtohen për të marrë përsipër demontimin e armëve. Sipas Ellahit, ka një bashkëbisedim të vazhdueshëm mes SHBA dhe këtyre vendeve. Për vendimin e Ramës ka shkruar edhe një nga  gazetat më të mëdha politike ruse, Voicy of Russia, e cila ka thënë se vendimi i Shqipërisë ishte unanim dhe në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar.

Plani ndërkombëtar për armët kimike të Sirisë

Këshilli ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike miratoi planin për të shkatërruar armët kimike të Sirisë. Sipas planit të parashikuar, arsenali kimik sirian do të nxirret jashtë shtetit të Sirisë. Kjo do të behet deri në 31 dhjetor të këtij viti. Në këtë këshill u vendos që afati përfundimtar për shkatërrimin e armëve kimike të regjimit të Assad të jetë data 30 qershor 2014. Mbledhja e bërë nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike u shty për disa orë, në pritje të përgjigjes së Shqipërisë. “Duhet të ketë transparencë në këtë proces. Duhet informuar vazhdimisht Këshilli Ekzekutiv në rast të ndryshimit të afatit të shkatërrimit të armëve kimike siriane”, ka thënë drejtori i organizatës, Ahmet Umzucu, fill pas miratimit të planit për shkatërrimin e armëve kimike të shtetit sirian. Përgjatë mbledhjes u shpreh mbështetja e plotë ndaj misionit të organizatës për të shkatërruar njëherë e mirë armët kimike të përdorura nga regjimi i presidentit sirian, Baschar Al Assad. Ndërkohë, në procesin e transportit të armëve kimike nga Siria ka premtuar për ndihmë me ekspertë Norvegjia. Gjithashtu, për transportin e armëve kimike ndihmesë ka ofruar edhe Rusia.

Mediat shqiptare: Fitore e madhe e shoqërisë civile

Mediat shqiptare e kanë quajtur një fitore të madhe të shoqërisë civile vendimin e qeverisë për t’i thënë “Jo” armëve kimike. Menjëherë pas bërjes publike të vendimit nga kryeministri Rama, mediat kanë shpërthyer. Ata kanë vënë theksin tek fitorja e qytetarisë shqiptare. Shumica e mediave shqiptare e kanë konsideruar të rëndësishëm reagimin qytetar.  “Festë dhe fitore”, “Shqipëria thotë jo” etj., kanë qenë disa nga titujt e të përditshmeve tona. Madje, kanë patur nga ata mediume që e kanë konsideruar vendimin dhe reagimin qytetar si historik.

Besnik Mustafaj: Shqipëria nuk është vasale e SHBA

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, mendon se Shqipëria është një shtet dinjitoz dhe jo vasale e SHBA-ve. Sipas Mustafajt, vendimi i marrë nga qeveria Rama nuk duhet të ndikojë aspak në marrëdhëniet në mes SHBA dhe Shqipërisë. “Shqipëria është një shtet sovran. Një shtet anëtar i NATO-s, anëtar i OKB-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë. Besoj se SHBA e konsideron Shqipërinë si një shtet partner dhe jo një shtet vasal. Pra, për sa kohë që respektohen vendimet e një shteti, kjo tregon se në mes tyre ka një partneritet. Ne kemi të bëjmë me një marrëveshje në parim. Unë nuk besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përgjigjes negative ndaj armëve kimike do të jenë inatçorë. Besoj se nuk cenohen këta marrëdhënie”, ka thënë Mustafaj. Ai ka mbështetur mendimin e Ramës, se parimisht Shqipëria duhej ti ishte përgjigjur pozitivisht Shteteve të Bashkuara për sa kohë që mes shteteve ka marrëdhënie partneriteti. Besnik Mustafaj ka përmendur edhe reagimin qytetar, duke vënë theksin tek reagimi i rinisë, si një tregues i qytetarisë shqiptare.

Erion Veliaj: Të bëhemi të gjithë bashkë për të pastruar Shqipërinë

Erion Veliaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është shprehur se shqiptarët janë gdhirë më të qetë pas përgjigjes së kryeministrit, por jo më të pastër. Ai ka bërë thirrje që më datë 22 nëntor t’i bashkohen nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Sipas Veliajt, janë 31 hot-spote apo pika të nxehta kimike në Shqipëri që vrasin të gjithë ngadalë. “Dua të ftoj çdo qytetar shqiptar që ti bashkohet iniciativës sonë. Vendi ynë ka gjithsej 31 pika të nxehta me mbetje kimike. Për të pastruar Shqipërinë nga këta pika do të duheshin shuma marramendëse. Nëse mblidhemi të gjithë bashkë 100.000 shqiptarë mund ta pastrojmë atë në një ditë”, ka qenë thirrja që ka bërë Veliaj.  Ministri Veliaj tha se kjo iniciativë do të nisë me datë 22 të këtij muaji në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, për të vijuar më pas me të gjithë Shqipërinë. Erion Veliaj u shpreh më tej se shqiptarët mund t’ia dalin nëse bëhen bashkë për kauzën e pastrimit të Shqipërisë. Ai përmbylli duke thënë se Shqipëria ka 22 mijë ton mbeturina në 12 qarqe të vendit dhe ata duhen pastruar sa më parë të jetë e mundur.

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/washington-post-qeveria-rama-goditje-nd%C3%ABrkomb%C3%ABtar%C3%ABve-theu-zemrat-e-shba-p%C3%ABr-arm%C3%ABt-kimike#sthash.g55hsVEk.dpuf

Image

As protestat qytetare nuk i shpetojne politikes


Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të importojnë nga Siria armët kimike që u përdorën në luftën e tmerrshme civile në këtë vend. Ishte ky lajmi që u bë i ditur nga mediat e huaja dhe menjëherë u shpërnda edhe në mediat shqiptare. Si rrjedhojë, çështja u bë e madhe dhe shqetësuese, pasi bëhet fjalë për armë të shkatërrimit në masë, me një rrezikshmëri të lartë. Sot shoqëria civile po ngre zërin kundër projektit të Shteteve të Bashkuara, me një protestë që në qendër ka ndërgjegjësimin qytetar dhe sensibilizimin e shqiptarëve. Përpos gazetarëve, krerë të instuticioneve të ndryshme ambjentaliste, të shoqatave të Mbreojtjes të së Drejtave të Njeriut, gazetarë dhe opinionistë të njohur në vend protestuan në të drejtën e shqiptarëve dhe atdheut, por veç “xhavahirëve” të këtillë të shoqërisë sonë, nuk munguan edhe elementë që kërkonin ta përdornin ngjarjen politikisht. Ndër ta një nga ata që përpiqen të bëjnë mbrojtësin e shoqërisë civile, por në fakt është kryekëput politik dhe i përdor kauzat për qëllime të pastra të politikës. Ky ishte dhe politizimi i parë që iu bë protestës, ku personi kryesues i protestës, organizatori më tepër se kauzë qytetare dëshironte ta përdorte atë për të “luftuar” kryeministrinë si institucion. Megjithë përpjekjet, ishte mjaft mbresëlënëse të shihje qytetarët që e braktisën këtë person. Protesta vijoi në mënyrë qytetare për në Ambasadën Amerikane, protesta e parë që bëhet në këtë ambasadë në 20 vite e kusur nga shqiptarët, populli më amerikandashës në të gjithë botën, ku 95 përqind e shqipatarëve mbështesin politikat e SHBA-ve ( GallupInternational) . Analisti Blendi Kajsiu e shpjegoi më së miri këtë problem lidhur me SHBA-në si shtet, duke u shprehur se “SHBA-të mbeten një aleat i fuqishëm dhe një mik për shqiptarët, porse thjesht populli shqiptar po shprehet kundër një propozimi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht në këtë marshim fare paqësor, nuk munguan edhe nga ata elementë që mezi kishin pritur të “lindë” një protestë përpara zyrave të ambasadës amerikane, pasi pavarësisht sa amerikanë jemi ne, ka dhe njerëz të cilët mendojnë aq ndryshe sa “nuk e shohin me sy të mirë Amerikën”. Ashtu si u shenjua kryeministria nga ata që janë opozitarë e që hiqen si të shoqërisë civile, po njëjtë një grup aspak amerikanëdashës u përpoqën që protestën para kësaj ambasade amerikane ta shfrytëzojnë për retorikën e tyre kundër-amerikane. Ja dy raste sesi edhe një tubim ku shqiptarët u bënë bashkë u përpoq të politizohet, një shenjë aspak e mirë kjo. E vetmja gjë që duhet të gëzohemi është se shqiptarët u bënë bashkë për çështje publike dhe shqetësuese për ta, përtej parrullave politike, u bënë bashkë, pa i thyer një peshë e rëndë e dyploshit partiak, që në çdo rast tjetër e ka thyer shoqërinë civile dhe e ka mbajtur peng. Shqiptarët po reagojnë. Shqiptarët, të rreptë shqiptarët, politikanëve nuk po iu kthejnë kurrizin por po përballen me guxim dhe vendosmëri për një kauzë alarmante. Shqiptarët po zgjohen nga zgjedha e keqe e politikës. E turpshme ishte edhe hyrja në mes të qytetarëve protestues i liderëve politikë të opozitës.

Rev. “Drini” , Dionis Xhafa  http://www.revistadrini.com/2013/11/dionis-xhafa-asgje-nuk-i-shpeton-politikes/

Image

Maratona e armëve kimike…


Dionis Xhafa , 13.11.2013

Mundësia e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri ka alarmuar Greqinë, Maqedoninë dhe Italinë. Disa ditë më parë, mediat italiane raportuan për rrezikun që i kanoset Pulias, qytetit që është vetëm 70 km larg nga bregu shqiptar. Ndërkaq, Greqia dhe Maqedonia i kanë bërë apel dje qeverisë shqiptare që të refuzojnë demontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Mediat helene kanë bërë një pasqyrim të të gjitha protestave të bëra në Shqipëri, duke bërë edhe apel që qeveria e Shqipërisë të mos i pranojë armët kimike të regjimit të Baschar Al Asaddit. E përditshmja greke, “Kathemirini” ka shkruar se Shqipëria nuk duhet t’i pranojë armët kimike të Sirisë, pasi ata përbëjnë një rrezik real për vendin dhe për të gjithë rajonin. Gazeta në fjalë, thotë më tej në shkrim se si alternativë për një vend ku mund të shkatërroheshin armët kimike mund të ishin shkretëtirat e pabanuara siriane ose vetë SHBA dhe Rusia ta ndanin territorin për të shkatërruar këta armë dhe të mos i sjellin në Ballkan. Më tej thuhet se Uashingtoni i ka kërkuar Shqipërisë ta pranojë kërkesën, ndërkohë që vende të tjera që kanë eksperienca në këtë fushë, si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Norvegjia etj nuk kanë pranuar që armët të shkatërrohen në territorin e vendit të tyre. “Është e vërtete që Shqipëria ka shkatërruar 6 vite më parë armë kimike të periudhës së komunizmit, por ky vend është një nga shtetet më të dobëta kandidate për të bërë shkatërrimin e armëve dhe një import i mundshëm i armëve kimike në territorin shqiptar do të vinte në rrezik edhe të gjithë Ballkanin.”, vijon më tej, Kathemerini në shkrimin dedikuar çështjes së armëve kimike siriane, që mund të importohen në Shqipëri. Të njëjtat thirrje janë bërë edhe nga ana e Maqedonisë, ku media të këtij vendi i bëjnë thirrje vendit tonë të mos pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një kërkesë që vë në rrezik të gjithë rajonin. Të gjitha vendet fqinje kanë shprehur qëndrimin e qartë kundër kërkesave të tilla, që do të vinin në rrezik jo vetëm shqiptarët, por edhe paqen dhe jetën e të gjithë ballkanasve.
– See more at: http://www.sot.com.al/politike/alarmohet-greqia-italia-dhe-maqedonia-k%C3%ABrkes%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-q%C3%AB-t%C3%AB-kund%C3%ABrshtoj%C3%AB-arm%C3%ABt-kimike#sthash.zm6UZSkQ.dpuf

Zëvendësambasadori amerikan, Jardine: Keni kapacitete për asgjësim, procesi është i sigurt

Zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri, Henry Jardine, ka konfirmuar planin për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Zyrtari amerikan është shprehur se demontimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri është i sigurt, duke konfirmuar kësisoj negociatat për të përfshirë Shqipërinë në këtë proces. Jardine shtoi se procesi i shkatërrimit të armëve kimike jo vetëm që është i sigurt, por edhe se do të kryhet nën një mbikëqyrje rigoroze ndërkombëtare. “Procesi i demontimit të armëve kimike në Shqipëri është një proces që do të zhvillohet normalisht dhe ndërkombëtarët do të kujdesen që gjithçka të shkojë vërtet në drejtimin e duhur. Këtu nuk ka asgjë për të protestuar. Shqipëria është vlerësuar si një vend ku mund të bëhet një shkatërrim i tillë, për shkak se ka dhënë prova se mund ta bëjë këtë demontim. Pozita gjeografike e ndihmon të jetë vendi i duhur për të shkatërruar këta armë”, ka thënë zv/ambasadori amerikan në vendin tonë, Jardine. Zëvendësambasadori ka këmbëngulur në idenë se shqiptarët nuk kanë pse të shfaqin një pasiguri të madhe. Ai shprehet se çdo gjë, nëse merret vendim, do të bëhet brenda standardeve ndërkombëtare. Henry Jardine ka përforcuar dhe më tepër qëndrimin e zyrtarëve amerikanë për këtë çështje. Fjala e tij është në përputhje edhe me fjalën e ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. “E përsëris se ky proces do të jetë në nivelin më të lartë të mbikëqyrjes dhe të sigurisë ndërkombëtare”, ka qenë fjala e zëvendësambasadorit amerikan në vendin tonë. Këta deklarata numri dy i diplomacisë amerikane në Shqipëri i ka bërë nga pika kufitare e Kakavijës, ku ka qenë për një vlerësim të Policisë Kufitare. Nga ana tjetër, kjo çështje po trajtohet edhe nga ndërkombëtarët. Diplomatë dhe politikanë të botës, po mendojnë se në cilin vend do të bëhet shkatërrimi i armëve siriane. Rusia mban qëndrimin se procesi për të gjetur një vend dhe për të demontuar armët kimike po bën gjithnjë përpara.

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shprehur se procesi për shkatërrimin e armëve kimike po vijon normalisht. Këtë deklaratë, Lavrov e ka dhënë në një takim që ka patur në kryeqytetin egjypitan, Kajro. Me këtë deklaratë, Ministri i Jashtëm rus i bashkohet idesë së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar mundësinë e tregtimit të armëve siriane. BBC raporton se po flitet për një marrëveshje ku janë të përfshira 2 miliardë dollarë. Duke folur nga Kajro, për “Voice of Russia”, kryediplomati rus tha se procesi për të shkatërruar armët kimike po ecën përpara dhe se nuk ka hapa pas.

Këshilli Ekzekutiv

Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) po merr në konsideratë planin për të larguar armët kimike nga Damasku. Një vendim i tillë do të merret ditën e sotme. Ende nuk është bërë e ditur se procesi i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë do të bëhet apo jo në Shqipëri, por po aludohet se Shqipëria mund të jetë një shtet i mundshëm ku mund të shkatërrohen këta armë kimike të luftës civile të Sirisë. Lavrov nuk ka përmendur saktësisht se cili shtet mund të marrë përsipër shkatërrimin e armëve kimike. Ai ka nënvizuar se procesi për t’i shkatërruar armët është në një udhë të mbarë dhe se gjithçka po ecën në një normalitet, siç është parashikuar nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Ban Ki-Moon: Shkatërrimi i armëve kimike të bëhet në Siri

Lidhur me armët siriane ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Këtë lajm e ka dhënë agjencia e lajmeve japoneze “Kyodo”. “Po marr në konsideratë që t’i kërkoj Këshillit të Sigurimit,  që të kërkojë në mënyrë të menjëhershme transferimin e armëve kimike të shtetit sirian. Mendoj se shkatërrimi duhet bërë jo shumë larg, por brenda territorit të Sirisë, si një vend ku mund të shkatërrohen ata armë të rrezikshme”, tha Ban Ki-moon në fjalën e tij, citojnë mediat botërore. Bann shprehu zemërimin e brendshëm edhe për një çështje të ndjeshme njerëzore që ka të bëjë me situatën në Siri. Vlerësohet se nga lufta civile në këtë shtet kanë humbur jetën deri tani mbi 100.000 persona. Sipas sekretarit të OKB, Moon, përçarjet në mes superfuqive të botës ka bërë që kriza në Siri të mos marrë fund. Këshilli i Sigurimit nuk merr dot një vendim mbi Sirinë, kjo për shkak të vetos të vënë nga ana e Rusisë dhe e Kinës, të cilat mbrojnë regjimin e Baschar Al Assad.

Eksperti amerikan: Shqipëria ka potenciale

Eksperti amerikan, Daniel Kaszeta, është shprehur se Shqipëria ka potencialet për të shkatërruar armët kimike. Ai shton më tej se ky shkatërrim nuk ka aq rrezikshmëri sa ç’është përshkuar në vend. “Siria e ka të nevojshme të largojë nga vendi 1 mijë ton lëndë kimike dhe Shqipëria është një vend kandidat për të marrë përsipër shkatërrimin e këtyre armëve. Shqipëria i ka potencialet dhe ka treguar se mund të shkatërrojë armë kimike, pasi e ka bërë këtë me armët kimike të mbetura nga komunizmi. Eksperienca që ka dhe afërsia gjeografike me Sirinë kanë bërë që ndërkombëtarët ta shohin Shqipërinë si një vend ku mund të ndërmerret shkatërrimi i armëve kimike”, tha eksperti Kaszeta. Eksperti i armëve kimike ka shtuar se çështja nuk paraqet aq rrezikshmëri sa ç’është paraqitur në media dhe nga se është reaguar. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për ta bërë këtë, pasi ka ndërtesë që është krijuar për të shkatërruar lëndë kimike, dhe është projektuar për të shkatërruar lëndë madje më të rëndësishme se sa është gazi sarin”, përmbyll eksperti amerikan në fjalën e tij.

Eksperti i armëve, Duelfer: Shqipëria e ka në dorë

Një nga ekspertët e armëve të shkatërrimit në masë, Charles Duelfer, i cili ka qenë edhe kreu i ekipit të OKB për inspektim të armëve nga viti 2003 në vitin 2005 ka thënë se Shqipëria e ka në dorë nëse do ti shkatërrojë armët kimike të Sirisë. Duelfer ka vënë në dukje se Shqipëria mund ta marrë përsipër demontimin e armëve kimike të Sirisë dhe siguria është maksimale. Sipas ekspertit të armëve, lënda që mund të eksportohet nuk është shumë e rrezikshme, por është aq e rrezikshme sa një lëndë industriale. “Me sa kuptoj unë ka disa alternativa. Vendi juaj mund të thotë se nuk e pranon kërkesën dhe armët mund të dërgohen për demontim në çdo vend tjetër. Shqipëria mund të marrë pjesë vetëm në një komponent të demontimit, që është çaktivizimi i komponentit e më pas të dërgohet diku tjetër për djegie. Alternativa e tretë është që në Shqipëri të mund të ndërtohet një impiant djegie, vend i cili mund të shërbejë edhe për qëllime të tjera industriale”, ka thënë eksperti i armëve të shkatërrimit në masë, Charles Duelfer.

Zëdhënësi i KE: Nuk ka vendim. Ka disa shtete në listë

Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Michael Mann ka sqaruar opinionin publik se në listën e shteteve ku mund të shkatërrohen armët kimike janë disa të tilla. Ai bëri thirrje të mos ketë aludime lidhur me shkatërrimin e amrëve kimike në vende të caktuara. “Nuk është publikuar deri tani asgjë specifike lidhur me këtë temë. Në listë për të shkatërruar armët kimike që vijnë nga Siria janë disa shtete. Nga ana jonë nuk ka asnjë vendim”, ka sqaruar zëdhënësi Mann opinionin  në një konferencë për mediat. Ai ka komentuar më tej, duke thënë se gjithçka do të trajtohet me profesionalizëm. Michael Mann ka sqaruar se do të merret çdo masë, me qëllim që gjithçka të jetë transparente dhe e hapur. Sipas Mann, kur të ndodhë, çdokush do të jetë i vetëdijshëm, me qëllim që mos të ketë asnjë lloj cënimi. Kështu, zëdhënësi i KE jep një siguri për shtetin që do të marrë përsipër shkatërimin e armëve kimike të Sirisë. Ai konfirmoi sigurinë dhe njëkohësisht transparencën e plotë në proces.

Friday, November 15, 2013 – 07:40

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/arm%C3%ABt-kimike-drejt-shqip%C3%ABris%C3%AB-jardine-keni-kapacitete-p%C3%ABr-asgj%C3%ABsim-procesi-%C3%ABsht%C3%AB-i-sigurt#sthash.cdPNP9Ef.dpuf

sh-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë tentuar dje të bëhen pjesë e protestës qytetare përpara Kryeministrisë. Ata kanë dashur ta politizojnë protestën e qytetarëve shqiptarë, mirëpo nuk janë lejuar ta bëjnë një gjë të tillë. Kanë qenë protestuesit ata të cilët kanë dëbuar të dy politikanët e opozitës. Berisha ka dalë në sheshin para Kryeministrisë duke ngritur gishtat lart, ndërkohë që protestuesit nuk janë bashkuar me këtë tentativë. Ka qenë kryesuesi i protestës, që ka bërë thirrje që të mos politizohet protesta dhe që njerëzit të mos bëhen palë me politikën dhe t’i rrinë larg servilizmit ndaj politikës. “Rrini larg politikanëve që na kanë gënjyer për 23 vite. Rrini larg atyre që për kaq vite na kanë mbajtur peng dhe na kanë lënë këtu ku jemi, duke vuajtur çështje jetike për ne siç është kjo për armët kimike. Ruani dinjitetin tuaj personal, emrin dhe mbiemrin tuaj dhe mos e shpërdoroni atë duke u bërë pre e politizimit. Thuajini ik këtyre politikanëve”, ka thënë një nga drejtuesit e protestës. Në këtë situatë të krijuar, Sali Berisha dhe Lulzim Basha pas bisedave të shkurtra me disa protestues, kanë ecur përmes turmës të shoqëruar. Ka patur një qëndrese nga protestuesit për të mos e përzier çështjen me politikën. Protestuesit vijuan më tej me thirrje: “Luli Ik, Luli ik …Largohuni plehra me dy këmbë. Mos u tregoni servilë. Vetëm ik, vetëm ik, ik”. Protestuesit janë irrituar edhe më shumë kur Berisha dhe Basha tentuan t’i drejtohen pjesës ku bëhej drejtimi i protestës. Protestat kundër armëve kimike kanë nisur dje që në orën 09.30 minuta përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar kundër armëve kimike të Sirisë. Në këtë protestë kanë marrë pjesë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës, fakultete dhe universitete, të cilët patën paralajmëruar braktisjen e mësimit për të protestuar për kauzën e armëve kimike.

Protesta në Tiranë

Protesta në Tiranë ka qenë mjaft e ndezur dhe me një pjesëmarrje të gjerë popullore, duke krijuar edhe trafik në “Rrugën e Elbasanit”. Të rinjtë shqiptarë bënë thirrje se do të vazhdojnë protestën derisa kauza e tyre të shkojë deri në fund. Nxënës, studentë dhe qytetarë të ndryshëm të Tiranës dhe të Shqipërisë janë ngjitur në podium dhe kanë folur, dukë vënë theksin tek rëndësia e një çështje të tillë. Ata thanë se janë për një Shqipëri të gjelbërt dhe evropiane dhe një Parlament që i përgjigjet popullit të tij. Nuk është ndalur vetëm këtu protesta kundër armëve kimike, por është vazhduar edhe përpara kryeministrisë. Protestuesve fillimisht iu janë bashkuar Sokol Olldashi, Mesila Doda dhe gazetarë si Blendi Fevziu, Andi Bushati, Arjan Çani, Çim Peka etj. Protesta u tentua më pas të politizohet nga dyshja Berisha – Basha, të cilat u larguan nga ana e protestuesve. Ata kanë qëndruar deri në orët e vona të natës në protestë për të pritur një përgjigje nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Marshimi

Protesta ka nisur me një marrshim nga Fakultetit Ekonomik drejt ambasadës amerikane, për të përfunduar para Parlamentit. Forca të shumta policie dhe forcat speciale u rreshtuan para Parlamentit. Me akuza se vendi po shkon në krim e vdekje, organizatorët kanë bërë apel që në këtë protestë të bashkohen të gjithë, kryesisht të rinjtë. Shoqëria civile thotë se do përshkallëzojë protestën e saj duke zbritur në rrugë përpara Kryeministrisë dhe Ambasadës Amerikane, Parlamentit për të mos lejuar përfshirjen e vendit tonë në shkatërrimin e armëve kimike siriane në vendin tonë.

Durrës, studentë dhe qytetarë në protesta

Studentë, nxënës, por edhe qytetarë të qytetit të Durrësit janë bashkuar kundër kauzës së armëve kimike që në orët e para të ditës së djeshme. Në protestë ka patur nxënës të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, të cilët janë ulur këmbëkryq në sheshin para bashkisë së qytetit, ku bashkë me ta janë bashkuar kryetari i bashkisë Dako dhe deputetë të PD, duke u bërë bashkë për një kauzë. Gjatë protestës, ka patur probleme edhe në qarkullimin  automjeteve në shesh. Qyteti i Durrësit paraqet një pikë strategjike të veçantë lidhur me këtë kauzë, pasi nëse do të merrej një vendim për ti sjellë armët kimike, nga ky qytet do të hynin armët kimike të Sirisë. Sazan Guri, ka thënë se protestat do të nisen edhe për në Durrës. “Nëse vijnë armët kimike do të ndalohen. Nuk do të lejohen që këta armë të helmojnë vendin. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një Hiroshimë të dytë. Vendi ynë është një vend që do pastërti dhe frymë humanitare e qytetare evropiane, e cila po shihet mjaft qartë në këta ditë”, është shprehur ambjentalisti Guri.

Elbasan, protesta kundër armëve kimike

Qyteti i Elbasanit është mjaft i ndjeshëm ndaj çështjes së armëve kimike. Si rrjedhojë, protestat në qytetin e metalurgjikut kanë qenë të shumta dhe për disa ditë rresht. Protesta ka patur edhe ditën e djeshme, ku nxënës e studentë janë shprehur kundër një importi të mundshëm të armëve kimike siriane. Bashkë me këta të rinj janë bashkuar edhe qytetarë të sensibilizuar me kauzën, të cilët kanë bërë thirrje që qyteti të mos pranojë armë kimike, pasi do të ishte një katastrofë. Protesta dje, sikundër edhe ditë më parë është bërë në bulevardin qendror të Elbasanit, “Aqif Pasha”. Njerëzit janë ngritur kundër armëve kimike me një ndërgjegje qytetare dhe në një protestë civile. Elbasani është një qytet që ka ngritur zërin herë pas here, duke qenë se edhe problemi i një aplikimi të shkatërrimit të mbetjeve të ndryshme është më evident se në çdo qytet shqiptar. Qytetarët janë sensibilizuar si nga mediat,  ashtu edhe përmes rrjeteve sociale, të cilat kanë shërbyer për një ndërgjegjësim sa më të gjerë në të gjithë qytetin dhe për të gjithë qytetarët elbasanas.

Protesta kundër armëve kimike në Gjermani, Itali e Francë

Çështja e asgjësimit të armëve kimike në vendin tonë ka sjellë reagim qytetar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve të saj. Kështu, emigrantët kanë protestuar në shtete të ndryshme të Evropës për armët kimike siriane. Protesta ka patur në Gjermani, Itali dhe në Francë. Protesta janë shpërndarë në qytete të rëndësishme europiane, si në Milano, Paris dhe në Berlin. Emigrantët kanë protestuar në orën 11:00 në kryeqytetin francez, Paris përpara ambasadës shqiptare në Francë. Në Milano në orën 11:00 është mbajtur protesta e emigrantëve në “Piazza Cordusio” . Në kryeqytetin gjerman, në Berlin protesta është mbajtur nga emigrantët shqiptarë në orën 16:00. Çështja e nxehtë e armëve kimike ka prekur çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, jo vetëm ata që jetojnë brenda territorit shqiptar, por edhe emigrantët. Pavarësisht se jetojnë jashtë vendit, ata janë ndërgjegjësuar në protestën që ka ngërthyer të gjithë shoqërinë shqiptare.

Kisha Katolike, kundër armëve kimike

Kisha Katolike Shqiptare është shprehur kundër importit të armëve kimike siriane. Ky qëndrim është mbajtur gjatë Konferencës Ipeshknore Shqiptare, në zhvillimin e punimeve të konferencës të mbajtur nga ky institucion. “Konferenca Ipeshknore është kundër armëve kimike siriane. Ne shprehemi kundër një importi të këtyre armëve në tokën tonë. KISH bashkohet me shqetësimin mbarëpopullor shqiptar për të mos lejuar një import të mundshëm të armëve kimike në Shqipëri. Armët kimike mund të kenë pasoja të rënda mbi njerëzit, për shëndetin e tyre, si dhe për vendin tonë, Shqipërinë, duke ndotur ambientin”, ka qenë qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike. Gjithashtu, në konferencë, Kisha Ipeshknore ka mbajtur një qëndrim mohues edhe ndaj martesave mes gjinive të njëjta, një propozim ky i bërë nga ana e Avokatit të Popullit, Igli Totozani disa ditë më parë. “Konferenca Ipeshknore Shqiptare mbron njerëzit dhe respekton dinjitetin e personave me prirje homoseksuale, por është kundër martesave të personave me gjini të njëjtë”, thotë KISH.

Friday, November 15, 2013 – 07:35

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/protestuesit-d%C3%ABbojn%C3%AB-berish%C3%ABn-dhe-bash%C3%ABn-nga-sheshi-jan%C3%AB-plehrat-e-politik%C3%ABs-shqiptare#sthash.9Sb1iNLx.dpuf

Mediat botërore pasqyrojnë deklaratën e Ramës për armët kimike

Vendimi i Shqipërisë për armët kimike duket se është pasqyruar edhe në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare. BBC, Reuters, EuroNews, ishin ndër të parat që lajmëruan botën për vendimin e Shqipërisë menjëherë pasi kryeministri Edi Rama bëri publik vendimin e tij kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Portalet më të rëndësishme kudo në botë kanë pasqyruar zhvillimet e fundit në vend, protestat kundër ardhjes së armëve kimike siriane në vend, duke e vënë Shqipërinë në fokusin e ditës.

“Shqipëria nuk do të shkatërrojë armët kimike të Sirisë”, shkruan Reuters, duke theksuar se, Shqiperia ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të pritur çmontimin e armëve kimike të Sirisë. Kryeministri i një vendi të NATO-s, tha “Është e pamundur për Shqipërinë të përfshihet në një operacion të tillë”.

Ndërkaq, lajmit i ka dhënë jehonë në kohë reale edhe ABC News, duke shkruar se: Kryeministri ka kundërshtuar kërkesën e SHBA-së që të shkatërrojë armët kimike. “Shqipëria i thotë “JO” shkatërrimit të armëve kimike”- shkruan Corriere della Sera. BBC po ashtu shkruan se Shqipëria shmangu shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

– See more at: http://www.sot.com.al/politike-bota/mediat-bot%C3%ABrore-pasqyrojn%C3%AB-vendimin-e-ram%C3%ABs-p%C3%ABr-arm%C3%ABt-kimike#sthash.Utw9pYr6.dpuf

 

Protesta në 14 qytete të Shqiperisë, qytetarët fitojnë betejën me armët kimike

 

Qytetarët shqiptarë fituan betejën me armët kimike. Qytetarët shqiptarë mbushën sheshet e qyteteve të Shqipërisë për disa ditë me radhë, duke detyruar qeverinë të tërhiqet nga vendimi.
Protestat qytetare kanë arritur kulmin ditën e djeshme në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të rinj dhe qytetarë kanë mbushur sheshet qendrore të kryeqytetit, duke braktisur edhe shkollat për disa ditë me radhë. Një sensibilizim i paparë qytetar ka bërë që sheshet qendrore të Shqipërisë të gëlojnë nga nxënës, studentë dhe qytetarë. Disa nga protestuesit kanë qëndruar gjatë të gjithë natës përpara Kryeministrisë. Këtyre të fundit u janë bashkuar edhe studentë, nxënës dhe qytetarë të tjerë, që po protestojnë kundër importit të armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Ndërkaq, deklarata e Ramës për tërheqjen nga armët kimike është pritur me brohoritma dhe ovacione nga protestuesit.

Organizimi

Një rol shumë të rëndësishëm në mbledhjen e qytetarëve nëpër sheshe kanë luajtur edhe rrjetet sociale, si Tuitter apo Facebook. Të gjitha gjimnazet e Tiranës kanë braktisur mësimin për t’u bërë palë e protestuesve kundër armëve kimike. Në bulevardin përpara Kryeministrisë, përveç të rinjve dhe qytetarëve të ndryshëm, ka patur edhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman. Në këtë shesh nuk kanë munguar edhe persona publikë të fushave të ndryshme, si politikani Spartak Ngjela dhe këngëtarë si Greta Heta dhe Landi Hysa. Organizatorët e protestës u shprehën të vendosur në kauzën e tyre. Sipas tyre, në sheshin përpara Kryeministrisë në bulevard ishin rreth 40 mijë persona. Të gjithë kanë dalë që në orët e para të mëngjesit duke pritur përgjigje nga kryeministri për armët kimike siriane. Drejtoresha e komanduar e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Mira Peshkatari, ka thënë se nxënësve nuk iu është dhënë aspak leje, por kanë lënë orët e mësimit me vullnetin e tyre të plotë. “Në të gjitha shkollat e Tiranës nuk është dhënë asnjë urdhër lejeje për gjimnazistët e Tiranës. Ata kanë ikur nga mësimi me dëshirën e vet. Mësuesit janë nëpër shkolla dhe janë në gatishmëri të plotë dhe në orarin e punës. Në shumicën e gjimnazeve ka patur braktisje të mësimit në mënyrë masive. Nuk ka mungesa të shumta në gjimnazet e Petro Nini Luarasit dhe Besnik Sykja. Mësimi ka vazhduar edhe nëse ka patur pak nxënës nëpër klasa”, ka thënë Peshkatari.

Qytetet

Si asnjëherë më parë, sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve shqiptare janë mbushur plot me nxënës, studentë dhe qytetarë. Manifestimet e bëra këto ditë për kauzën e armëve kimike të Sirisë kanë prekur të gjithë shqiptarët. Një mbështetje jo të vogël qytetare ka patur në Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Sarandë, Lezhë, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Pogradec, Krujë, Berat, Ersekë, Pukë e Peshkopi. Kryeministri Edi Rama po përballet me një protestë civile, jo vetëm përpara godinës së Kryeministrisë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Dionis Xhafa

 

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/protesta-n%C3%AB-14-qytete-t%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-qytetar%C3%ABt-fitojn%C3%AB-betej%C3%ABn-me-arm%C3%ABt-kimike#sthash.HQGYOWyL.dpuf

Image

Protesta qytetare kundër armëve kimike siriane


Dionis Xhafa , 12.11.2013 , “Sot”

AKIP organizoi protestën qytetare në orën 13.00 pranë kryeministrisë dhe para Ambsadës Amerikane. Pikërisht tek “Piramida” ka nisur protesta e gjerë popullore, që ndryshe nga herët e tjera këtë herë u bë edhe më e fortë dhe me një pjesëmarrje të gjerë që shkonte në 3000 persona, paçka reshjeve të shiut. Me pankarta në duar si “Ndal pazareve në kurriz të Shqipërisë”, “Yes, We can say no”, “Shqipëria turistike dhe jo toksike”, “Jo armëve kimike” kishin dalë në protestë aktivistë të AKIP dhe qytetarë të thjeshtë shqiptarë. Në protestë folën Blendi Kajsiu, që bëri thirrje për t’iu përgjigjur me “Jo” këtij sugjerimi nga SHBA, ndërsa kanë folur edhe njerëz të tjerë publikë, si Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, gazetari Blendi Salaj, ambjentalisti Lavdosh Feruni, gazetari Andi Bushati etj.

Peticioni

AKIP po firmos një peticion ku fton të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe jo vetëm të nënshkruajnë kundër importit të armëve kimike të Sirisë. Peticioni po nënshkruhet në rrjetin social facebook. Numri i nënshkrueseve ka kaluar mbi 1 milionë. Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka radhitur edhe 10 arsye përse duhet që shqiptarët ta nënshkruajnë këtë peticion. Ambientalistët kanë bërë thirrje ndaj qeverisë shqiptare që kjo e fundit të refuzojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për import të mundshëm të armëve kimike në Shqipëri. Sipas AKIP, armët përbëjnë rrezik real për shoqërinë shqiptare.

Sazan Guri: Në kauzën tonë kemi me vete qytetarët dhe të drejtën e Zotit

Sazan Guri, në fjalën e tij hapëse të protestës kundër armëve kimike, është shprehur se në kauzën kundër armëve kimike në Shqipëri, shoqata ambientaliste ka me vete qytetarët shqiptarë, të cilët nuk do të lejojnë që jetët e tyre dhe fëmijëve e brezave të vihet në rrezik. Po ashtu, në fjalën e tij, Guri theksoi se kauza për të cilën qytetarët shqiptarë janë mbledhur në protestë është një e drejtë e patjetërsuar e Zotit dhe që parashikohet për më tepër edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. “Kombi shqiptar nuk do të lejojë që të helmohet nga kimikate të rrezikshme që vijnë nga tmerret e Sirisë. Nëse ju ka mbetur pak gjak shqiptar na mbështesni për të ngritur zërin të tërë tok ndaj një kërkese të tillë, që vë në rrezik jetët e qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që të mos shkelet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që e kundërshton një shkatërrim të mundshëm të armëve kimike”. Në fund të fjalës së tij, Sazan Guri nënvizoi faktin se protestat do vijojnë edhe sot, nesër dhe në ditët në vijim në sheshe të Tiranës dhe Durrësit, Fierit e Vlorës.

Lavdosh Feruni: Ky është vetëm fillimi i protestave

Ambjentalisti i njohur, Lavdosh Feruni, në fjalën publike të mbajtur përpara qytetarëve shqiptarë ka thënë se protestat janë vetëm në fillimet e veta dhe se do të ketë edhe tubime të tjera në disa qytete të Shqipërisë, për t’i dhënë jehonën e duhur ngjarjes. Feruni u shpreh kundër armëve kimike dhe falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në protestë, të cilët ishin të shumtë këtë herë. “Duke iu falënderuar përzemërsisht që keni ardhur në këtë protestë qytetare, ne duam të ndërgjegjësojmë shqiptarët që të mos lejojnë që vendi iu tyre të kthehet në një kosh mbetjesh kimike, por në një vend të begatë për mbarë shoqërinë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe janë përkrah nesh si aleati më i madh që kemi, por në rastin e armëve kimike që ka të bëjë me jetët tona nuk jemi dakord me ta”. Feruni shprehu kënaqësinë që më në fund ndihet një ndjenjë zgjimi ndaj padrejtësive e popullit shqiptar, që po tregon një qytetari të vërtetë. Feruni theksoi se protestat do jenë edhe më masive me mbështetjen e qytetarëve në Tiranë dhe në mbarë vendin.

Blendi Kajsiu: Kryeministri të dëgjojë zërin e qytetarëve

Blendi Kajsiu këtë herë nuk ka folur përpara njerëzve si gazetar, por si aktivist i AKEP. Ai e shprehu këtë vetë në fjalën e tij. “Po flas sot para jush jo si gazetar, por si aktivist i një të drejte që duhet çuar deri në fund. Ju falënderoj pa masë që jeni mbledhur për këtë kauzë mjaft të madhe dhe të rëndësishme për popullin shqiptar. I bëj thirrje nga ky podium kryeministrit Rama që ti përgjigjet negativisht kësaj kërkese dhe të mendojë për popullin që e zgjodhi me vota plebishitare në krye të vendit pikërisht për ti ardhur në ndihmë shqiptarëve dhe jo për ti dënuar”, tha në fjalën e mbajtur Kajsiu. Blendi Kajsiu vijoi më tej duke thënë se është bërë pjesë e një shoqate si AKIP vetëm për të ardhur në ndihmë të qytetarëve shqiptarë dhe se këtë mision do ta bënte deri në fund. Ai përcolli këta mesazhe në fjalën e mbajtur dhe radhiti edhe anët e errëta që mund të sjellë një import i mundshëm i armëve kimike, që sipas tij janë sëmundjet e kancerit, që duhet medoemos të mos jenë pjesë e shoqërisë shqiptare, e cila vuan nga shumë plagë të tilla dhe sjellja e armëve kimike do të ishte katastrofike.

Blendi Salaj: Ti lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri të pastër

Blendi Salaj, një gazetar i njohur në vend dhe gjithashtu mirëmbajtës i një prej blogjeve më popullore në vend si “Peshku Pa Ujë” ka lënë anash rolin e gazetarit për të folur si një qytetar dhe si një prind shqiptar. “Unë jam këtu para jush i barabartë me ju dhe si një nga ju. Unë jam një prind që kam një fëmijë dhe nuk do të doja asnjëherë që fëmija im të rritet në një vend të bombarduar nga armë kimike, që mund ti sjellin atij sëmundje. Unë jam së bashku me ju për një Shqipëri të pastër, të shëndetshme dhe të sigurt e larg sëmundjeve për fëmijët tanë. Të mblidhemi sot për një Shqipëri të pastër mjedisore dhe për t’iu lënë fëmijëve tanë një vend të begatë larg armëve kimike”, tha Salaj. Blendi Salaj tha më tej se Shqipëria është vend i shqiptarëve dhe vetëm ata e dinë se çfarë është më e mira për vendin e tyre. “Ka ardhur koha që vendit tonë ti dalim zot vetë, pasi Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti dhe kurrsesi nuk do të lemë që të baltoset nga askush”, përfundoi Salaj.

Image

Mediat amerikane jo shenja të mira për armët kimike


Dionis Xhafa , 11.11.2013

Shqipëria është aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm për punë të pista. Kështu, shkruan Los Angeles Times, duke iu referuar debateve të fundit për çështjen e armëve kimike. Sipas Los Angeles Times, aleanca mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë së vogël është vetëm për ndonjë pisllëk diplomatik, siç është edhe rasti i fundit me armët kimike. Në artikull përmendet fakti se SHBA e përdori Shqipërinë, duke i dhënë të burgosurit ujgurë, ndërsa tani e shesh si vend të dorës së fundit, ku mund të shkatërrohen armët kimike të Sirisë. “Për vite me radhë, sa herë SHBA kanë pasur nevojë për të kryer ndonjë punë të pistë diplomatike, një vend i panjohur ka ngritur dorën për të ndihmuar: Shqipëria. Një vend i varfër dhe i dobët buzë Europës, Shqipëria morri të burgosurit ujgurë nga Guantanamo Bay kur SHBA nuk mund t’i riatdhesonin ata në Kinë. U ofroi azil 210 anëtarëve të muxhahedinëve Kalq, një grup disident iranian që ishte prej kohësh i izoluar në një kamp në Irak. Tani SHBA ka kthyer sërish sytë nga Shqipëria, duke shpresuar se ata do të lejojnë që armët kimike të Sirisë do të shkatërrohen në tokën e tyre”, thuhet në shkrim. Ndërkaq, çështja e shkatërrimit të armëve kimike ka qenë në vëmendje edhe të mediave të tjera amerikane. Kështu, Bloomberg thekson se gazi i përdorur kundër civilëve në Siri, pritet të shkatërrohet në Shqipëri. Po ashtu se thuhet se SHBA ka zgjedhur Shqipërinë për shkatërrimin e këtyre armëve, pasi Shqipëria kishte asgjësuar deri në vitin 2005 16 ton mustardë. Bloomberg shkruan gjithashtu se transporti i lëndëve kimike përbën rrezikun më serioz nga mundësia e aksidenteve të mundshme.

Kërkesa

Sipas Los Angeles Times, kërkesa e administratës së Obamës për Shqipërinë, e konfirmuar nga zyrtarët qeveritarë në Tiranë javën e shkuar, synon që të zgjidhë një nga pyetjet më të mprehta rreth planit të sponsorizuar nga amerikanët për të shkatërruar arsenalin vdekjeprurës të Sirisë me sarin, VX dhe gaz mustardë. “Me një luftë të ndezur në Siri, presidenti Bashar Assad dëshiron që armët e tij përfshi 1300 ton me agjentë kimikë dhe 1200 tonë me municione të pambushura të shkatërrohen jashtë vendit. Kreu i agjencisë për mbikëqyrjen e shkatërrimit të armëve kimike, thotë se largimi i këtyre lëndëve nga Siria mbetet opsioni më i mirë. SHBA po udhëheqin kërkimin për një vend që do të marrë këtë rezervë toksike. Por, pak vende janë të gatshme që të dalin vullnetarë për një detyrë që mund të provokojë kundërshti të brendshme, do të krijojë sfida sa i përket sigurisë dhe mjedisit, por dhe do kushtojë miliona dollarë. Një tjetër vend, që SHBA i ka kërkuar që të trajtojë këtë problem, Norvegjia, ka refuzuar. Dhe zyrtarët danezë thanë të premten se vendi i tyre mund të ndihmojë që të transportojë këto armë, por jo t’i shkatërrojë. Zyrtarët shqiptarë thonë se po e marrin në konsideratë këtë kërkesë”, thuhet më tej. Departamenti i Shtetit thotë se nuk është marrë ndonjë vendim dhe ka refuzuar që të diskutojë çështjen më tej. “Ka pasur disa sinjale pozitive nga Shqipëria, por është një çështje shumë e ndjeshme këtu”, tha një zyrtar evropian që është në dijeni të bisedimeve. Shqipëria ka eksperiencë me armët kimike.

Laboratori

Ndërsa në Shqipëri protestat sa vijnë e përshkallëzohen, ushtria amerikane ka shpikur një laborator të ri për shkatërrimin e armëve kimike. Një aparaturë gjigante sapo është prodhuar nga Pentagoni posaçërisht për shkatërrimin e armëve kimike, dhe, në rast se shkatërrimi i tyre do të bëhet në Shqipëri, sipas të gjitha gjasave, ky laborator do të përdoret për t’i shkatërruar armët kimike nga Siria. Jo vetëm aparatura do të jetë amerikane, por edhe specialistët që do të bëjnë shkatërrimin e armëve kimike do të jenë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aparatura quhet Field Deployable Hydrolysis System (FDHS) ose Sistemi Operator i Hidrolizës dhe është prodhuar nga ana e ushtrisë amerikane në muajt e fundit dhe posaçërisht për shkatërrimin e armëve kimike siriane. Sistemi i ri i menduar nga ana e Pentagonit dhe i paprovuar asnjëherë më parë, u mendua fillimisht që të vihet në jetë në Siri për t’i shkatërruar armët kimike në vendin ku edhe u përdorën, por sipas artikullit të prestigjiozes “Foreign Policy”, të publikuar disa ditë më parë, ky sistem operativ mjaft modern mund të sillet në Shqipëri për të eliminuar mbi 1 mijë ton sarin dhe gazra të tjerë.

15 nëntori

Në 15 nëntor pritet të merret vendimi për zhvendosjen e armëve kimike nga Siria. Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, pritet të mblidhet në 15 nëntor për të marrë një vendim. Ndërkaq, SHBA mësohet se i ka kërkuar qeverisë shqiptare për t’i shkatërruar këto armë në Shqipëri. Është zgjedhur vendi ynë dhe jo vendi i origjinës për një shkak tepër të thjeshtë, sepse në Siri situata është tejet e agravuar dhe aspak e stabilizuar për të bërë deri një shkatërrim armësh kimike në tokën që dergjet nga plagët e luftës dhe ku pasiguria politike është në kulmin e vet.

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/mediat-amerikane-akuza-bomb%C3%AB-shba-e-p%C3%ABrdor-shqip%C3%ABrin%C3%AB-p%C3%ABr-pun%C3%AB-t%C3%AB-pista-pas-ujgur%C3%ABve-po-i#sthash.Ee132Bkx.dpuf

Image