Grushti i absurdit


dionis_xhafa27

Dionis Xhafa

Në një rrugë qorre kur ndodhesha, së bashku me erën e freskët të fillimit të dimrit, edhe me shiun e madh që binte nëpër rrugë rrebesh, një grusht absurdi më goditi fytyrën. Ishte grusht nga shekulli i XV. Një luftëtar lirie në kohën e heroit kombëtar, që kishte dalë kundër shtypjes dhe ishte shtypur më keq se ç’shtypet një portokall dhe shtrydhet më tej nëpër shtrydhëse frutash. Një grusht absurdi më goditi fuqishëm dhe më nxori nofullat përnjëherë në tokë, e ishte nga rrjedha e kohës, e shekujve dhe e historisë, ku viktimat kishin qenë viktima dhe të fortët kanë mbetur të fortë, të pamposhturit që u gdhendën me mermer dhe mermeri që u kalit nëpër flamuj të pakuptimtë të një njerëzimi që çahet dhe përçahet përditë e nga pak, nga koha, nga e keqja dhe e mira, nga e mira dhe e keqja dhe është bërë kaq llum sa nuk kuptohet se ku nis e mira dhe ku e keqja, ku e keqja dhe ku e mira. E grushtin e absurdit, siç thotë Albert Camus nuk mund ta shpjegosh ndryshe vetëm duke iu afruar sa më shumë vetë absurdit. Absurde është jeta, një kohë dhe një vend që ka vdekatarë, ku më i forti fiton dhe vdes në fund edhe si hero, kurse s’ka kaq kohë sa viktima të mos jetë viktimë deri në fund, por të dalë dhe të triumfojë, për të mos rrëmbyer flamurin e gjakut dhe të shtypjes e të represionit, por të lirisë dhe të vëllazërisë. E kështu njerëzimi gjithnjë njeh padrejtësinë që fiton më shumë se drejtësia, drejtësia që zhytet nga padrejtësia, e nëse drejtësia thuhet se fiton ajo vjen në formë të mashtrimit dhe të gënjeshtrës, janë ca derra që thonë se do të ketë drejtësi e derra të rinj dalin në skenë më derra se derrat që ishin, andaj ekziston absurdi, e një Kushtetute përtej jetës dhe jeta përtej Kushtetutës, se në të gjallë njeriu është me ndjenja, urren, mallkon, mashtron, bëhet dreq dhe shejtan për të zhytur njeriun, njeriu, kafsha më e mirë dhe më e keqe njëkohësisht, që ka ekzistuar dhe ekziston në mbarë rruzullin tokësor. E kështu, në një rrugicë, më goditi grushti i absurdit, u gjakosa, isha shekuj më herët dhe u ktheva prapë në vete. Vazhdova të ecë e absurdin ndjeva nën këmbët e mia. Absurdi, ndjenjë e kafes që pihet në mëngjes, shekuj padrejtësie që mbajnë iniciale të pazgjidhshme të drejtësisë pa drejtësi në varre. Kushtetuta e të vdekurve, ja drejtësia dhe afrimi në absurdin e madh të së përditshmes, ferri që nuk e pamë, mortja që na ha të gjallë, zëri i zi i një jete që është më e zeza në tërë dimensionin e saj politik, moral dhe ekonomik. E zezë, si vejusha e natës së errët, bota e zezë. Dhe një grusht absurdi mora, për të mos e marrë veten kollaj, kurse më pas rregullova këmishën bukur dhe saktë e vazhdova drejt, në jetë reale, për një moment.

 

 

 

 

This entry was posted in Shkrime.